Dosja FinCEN: Gjithçka që duhet të dini për rrjedhjen e këtyre dokumenteve

Rrjedhja e disa dokumenteve, ku përfshihen transaksione në vlerë të 2 trilionë dollarëve, ka bërë të ditur sesi bankat më të mëdha në botë u kanë lejuar kriminelëve që të bartin para të pista në gjithë botën, transmeton REL.

Dokumentet kanë treguar edhe sesi oligarkët rusë kanë përdorur bankat për të shmangur sanksionet që ishte besuar se do t’i ndalnin ata nga marrja e të hollave në Perëndim.

Ky rast përbën vetëm një prej rrjedhjeve të tilla të dokumenteve në pesë vjetët e fundit, të cilat kanë shpërfaqur marrëveshje sekrete, pastrim të parave dhe krime financiare.

Dosja FinCEN, përbëhet nga më shumë se 2,500 dokumente, shumica e të cilave u janë dërguar autoriteteve amerikane në periudhën 2000-2017.

Ato ngrisin shqetësime rreth asaj se çfarë mund të kenë qenë duke bërë klientët.

Këto dokumente konsiderohen disa prej sekreteve më të ruajtura të sistemeve bankare ndërkombëtare.

Bankat i përdorin ato për të raportuar sjellje të dyshimta, mirëpo nuk janë prova për krim apo ndonjë keqbërje tjetër.

Këto dokumente fillimisht kanë rrjedhur nga faqja Buzzfeed News, dhe janë shpërndarë me një grup që përbëhet nga gazetarë hulumtues të gjithë botës, të cilët më pas kanë dërguar të njëjtat dokumente në 108 organizata mediale në 88 shtete, raporton BBC.

Qindra gazetarë janë duke analizuar këto materiale, duke vënë në pah disa aktivitete, të cilat bankat nuk kanë pasur dëshirë që të dalin në publik.

Dy akronimet që duhet t’i dimë

FinCEN është Rrjeti amerikan për Krime Financiare. Aty punojnë personat e Departamentit të Thesarit, që luftojnë krimet financiare.

Shqetësimet për transaksionet e bëra në dollarë amerikanë duhet të dërgohen në FinCEN, edhe nëse janë bërë jashtë territorit amerikan.

Raportet mbi aktivitetet e dyshimta, që njihen si SAR, janë shembuj sesi regjistrohen shqetësimet. Bankat duhet të plotësojnë këta formularë, nëse ekzistojnë dyshime për ndonjë klient. Ky raport më pas u dërgohet autoriteteve.

Pse ka rëndësi kjo çështje?

Nëse jeni duke planifikuar që të përfitoni nga një aktivitet kriminal, një prej gjërave më të rëndësishme që duhet menduar është gjetja e mënyrës së pastrimit të parave.

Pastrimi i parave është proces i marjes së parave të pista – që fitohen kryesisht nga krimet si kontrabanda me drogë apo korrupsion – dhe dërgimi i tyre në një bankë të respektuar, që nuk lidhet me krime.

Procedura e njëjtë vlen edhe nëse jeni oligark rus, ndaj të cilit shtetet perëndimore kanë shënjestruar sanksione, për të ndaluar marrjen e parave nga Perëndimi.

Bankat supozohet se sigurohen që nuk u ndihmojnë klientëve që të pastrojnë para, apo që t’i bartin ato në mënyra që shkelin rregullat.

Sipas ligjit, ato duhet të dinë kush janë klientët e tyre – nuk është e mjaftueshme vetëm mbushja e formularit (SAR), dhe marrja e parave të pista nga klientët derisa pritet që autoritetet të merren me problemin.

Nëse kanë të dhëna për aktivitet kriminal, ato duhet ta ndalin tranksionin dhe të bllokojnë paratë.

Fergus Shiel nga Konsorsiumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Hulumtues, ka thënë se rrjedhja e dokumenteve ka qenë “shikim nga brenda rreth asaj se çfarë dinë bankat për para të pista në gjithë botën”.

Ai ka thënë se dokumentet kanë vënë në pah shumë jashtëzakonshme të madhe të parave të përfshira në këto aktivitete.

Dokumentet e dosjes FinCEN mbulojnë rreth 2 trilionë dollarë transaksione dhe përbëjnë vetëm një pjesë të vogël të formularëve (SAR), që janë plotësuar në këtë periudhë.

Çfarë është zbuluar?

  • Banka angleze, HSBC, u ka lejuar mashtruesve që të bartin miliona dollarë të vjedhur nga e gjithë bota, edhe pasi ka mësuar nga hetuesit amerikanë se skema ka qenë mashtrim.
  • Banka amerikane, JP Morgan i ka mundësuar një kompanie që të bartë më shumë se 1 miliard dollarë nga një llogari në Londër, pa pasur njohuri kush e zotëron atë. Banka më vonë nga zbuluar se kompania mund të jetë nën udhëheqje të një prej 10 personave më të kërkuar nga Byroja Federale e Hetimeve (FBI).
  • Kanë dalë të dhëna se një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin, ka shfrytëzuar bankën Barclays në Londër, për të shmangur sanksionet, që ishin aplikuar për t’ia ndaluar atij shërbimet financiare në Perëndim. Disa prej parave të gatshme janë shfrytëzuar për të blerë vepra arti.
  • Burri i një gruaje që ka bërë donacion në vlerë të 1.7 milion dollarëve për Partinë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar, është financuar në mënyrë sekrete nga një oligark rus, që ka lidhje të ngushta me presidentin rus, Vladimir Putin.
  • Mbretëria e Bashkuar është konsideruar vend i “juridiksionit me rrezik të lartë”, dhe është krahasuar me Qipron nga Departamenti për Inteligjencë i FinCEN. Kjo për shkak të numrit të kompanive britanike të regjistruara në formularët SAR. Rreth 3,000 kompani britanike janë përmendur në dosjen FinCEN – më shumë sesa në secilin shtet tjetër në botë.
  • Pronarit të klubit Chelsea, Roman Abramovich, i janë zbuluar investime në futbollistë, që nuk janë të regjistruar në klubin e tij, përmes kompanive jashtë shtetit.
  • Banka Qendrore e Emirateve të Bashkuara Arabe ka dështur që të veprojë edhe pas paralajmërimeve se një kompani i ka ndihmuar Iranit që t’iu ikë sanksioneve.
  • Kompania gjermane, Deutsche Bank, ka bartur paratë e pista të mashtruesve për krime të organizuar, terroristë dhe trafikatë të drogës.
  • Kompania britanike, Standard Chartered, ka bartur para të gatshme nga banka arabe për më shumë se një dekadë, pasi llogaritë e klientëve në bankat e Jordanisë janë shfrytëzuar për financim të terrorizmit.

Pse Dosja FinCEN është ndryshe prej rrjedhjeve tjera të informacionit?

Letrat ose dosja FinCEN është ndryshe sepse nuk përfshin dokumente nga një apo dy kompani, por ato vijnë nga një varg bankash.

Ato vënë në pah një varg të aktiviteteve potencialisht të dyshimta, që përfshijnë kompani dhe individë, dhe po ashtu ngrisin pikëpyetje rreth asaj se pse bankat, që kanë vërejtur këtë aktivitet, nuk kanë vepruar ndaj shqetësimeve.

Në momentin që një bankë paraqet kërkesë te autoritetet, është shumë e vështirë që ajo ose zyrtarët ekzekutivë të saj të ndiqen, edhe nëse kanë ndihmuar në aktivitete të dyshimta apo kanë mbledhur taksa.

Dosja FinCEN është thënë se mund të ketë ndikim të sigurinë kombëtare të SHBA-së, të komprometojë hetimet dhe të kërcënojë sigurinë e institucioneve dhe individëve që kanë hartuar raportet për aktivitetet e dyshimta.

Megjithatë javën e kaluar, Rrjeti amerikan për Krime Financiare, ka bërë të ditur propozimet për të rishikuar programet për pastrim të parave.

Mbretëria e Bashkuar po ashtu ka njoftuar se planifikon të reformojë mënyrën e regjistrimit të kompanive, në mënyrë që të anashkalojë mashtrimet dhe pastrimin e parave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button