RMV, Roth: Shpresojmë mbajtjen e konferencës së anëtarësimit në dhjetor, pa kushte shtesë

Presidenca Gjermane e Bashkimit Evropian ka përsëritur synimin për të mbajtur brenda muajit dhjetor konferencat e para ndër-qeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, pa kushte shtesë për dy vendet, transmeton EN. I pyetur gjatë konferencës për shtyp në përfundim të Këshillit të çështjeve të përgjithshme në Bruksel, veçanërisht për Maqedoninë e Veriut e cila për momentin është e bllokuar nga një kërkesë shtesë nga Bullgaria për përfshirjen e zbatimit të Traktatit të Miqësisë në kuadrin negociues, ministri gjerman i shtetit për çështjet evropiane Michael Roth u përgjigj se vendi ka punuar shumë për të arritur deri në pikën aktuale, si me Marrëveshjen e Prespës njësoj dhe me Traktatin e Miqësisë me Bullgarinë.

“Presidenca gjermane i kushton shumë rëndësi situatës në Ballkan dhe përtej kësaj ne dëshirojmë të shohim angazhim të rritur e të thelluar të BE-së tek vendet e rajonit që popujt e tij të kenë besim tek ne. Gjatë presidencës kroate ne dërguam një sinjal mjaft pozitiv për nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe njësoj me Maqedoninë e Veriut, dhe në momentin që flasim po punojmë në mënyrë intensive që në dhjetor të mund të organizojmë konferencat e para ndër-qeveritare që puna të nisë në mënyrë konkrete. Ne dëshirojmë të jemi ndërmjetës të ndershëm mes partnerëve të ndryshëm dhe dëshirojmë të ndërtojmë ura të sigurta e të besueshme dhe jemi edhe në kontakt, ndër të tjerë, me partnerët bullgarë, pasi duhet të punojmë mbi bazat që kemi vendosur të gjithë, dhe nuk është çështja të shtojmë kritere reja, kushte të reja, përtej atyre që figurojnë në përfundimet e këshillit dhe në parimet e përbashkëta. Pra dua t’i bëj thirrje frymës konstruktive të njërit apo të të tjerëve, pasi Ballkani Perëndimor nuk është kopshti ynë i pasëm, por kopshti ynë i brendshëm, dhe mendoj se është në interesin e të gjithë vendeve të BE-së, dhe në veçanti në interesin e fqinjëve më të afërm që vendet e Ballkanit të kenë një perspektivë të vërtetë evropiane dhe që në fund të kthehen në një hapësirë të qëndrueshme, të sigurt dhe të paqtë,” tha Michael Roth, ministri gjerman i shtetit për çështjet evropiane.

Ministri gjerman i shtetit për çështjet evropiane u takua mëngjesin e sotëm në Bruksel me Zëvendës-Kryeministrin për çështjet evropiane nga Maqedonia e Veriut, Nikola Dimitrov. Ndërkohë, vendi që nuk ka asnjë kusht për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare është bllokuar nga Bullgaria që kërkon të shtojë tek Kapitulli 35, i çështjeve të tjera, zbatimin pikë për pikë të Traktatit të Miqësisë të nënshkruar mes dy vendeve. Ndërkohë që Shqipërisë i mbeten ende disa kushte për të plotësuar nga përfundimet e Këshillit Evropian të marsit deri në dhjetor.

Ndryshe, zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov ka realizuar sot një takim në Bruksel me eurokomesarin për zgjerim, Oliver Varheji, me të cilin kanë diskutuar për pritjet që konferenca e parë ndërqeveritare të mbahet para përfundimit të vitit. Dimitrov, pas takimit me eurokomisionarin për zgjerim, Oliver Varhejl, paralajmëroi se në ditët në vijim duhet të arrijnë 120 milion euro ndihmë e BE-së për Maqedoninë e Veriut.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button