Kodi zgjedhor në RMV, diskutime për listat e hapura duke përfshirë rekomandimet e ODIHR

Qeveria e Maqedonisë së Veriut po përgatitët për ndryshime të Kodit Zgjedhor të cilat mund të reformojnë thellësisht sistemin e zgjedhjeve në vend. Hap i parë do të jetë hapja e listave për këshilltarë në zgjedhjet lokale, si paralajmërim për hapjen e listave për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Aktualisht në Maqedoninë e Veriut partitë e caktojnë renditjen e kandidatëve në listat e tyre, ndërsa zgjedhësit votojnë partinë e jo drejtpërdrejt kandidatët për deputetë si emra të përveçëm. Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiç thotë për Euronews Albania se mes ndryshimeve do të përfshihen edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR.

“Qëllimi kryesor i ndryshimeve do jetë implementimi i sugjerimeve nga raporti i OSBE ODIHR dhe diskutimi për listat e hapura në zgjedhjet lokale për kandidatët për këshilltarë. Ky do jetë një hap tjetër, do jetë praktikisht një testim që do të provohej për herë të parë në sistemin tonë. Dhe nëse tregohet i suksesshëm do mendohet për zbatim gjatë zgjedhjeve parlamentare”, tha ai.

Mariçiç thotë se ndryshimi i Kodit Zgjedhor nuk do të jetë çështje e lehtë, pasi duhet të sigurojnë konsensus mes të gjitha partive politike, edhe pse formalisht nevojitet vetëm shumica e deputetëve në Kuvend. Një ndër pikat më të vështira është ndryshimi i zonave zgjedhore dhe kalimi nga 6 zona në vetëm një në gjithë territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

 “Ne nuk ikim nga këto çështje, edhe si Qeveri por edhe si ministri, do ti hapim këto çështje. Por duhet të kuptojmë se për këtë gjë duhet të kemi pajtueshmëri nga të gjithë pasi që ky është një ndryshim i madh i modelit zgjedhor dhe ne do ta bëjmë vetëm nëse sigurohemi se kemi pajtueshmëri nga të gjithë partitë politike dhe se është model i ekzekutueshëm që do e mbështesin partitë”, shtoi ai.

Aktualisht, Maqedonia e Veriut është e ndarë në 6 zona zgjedhore të cilat zgjedhin nga 20 deputet secila. Prej vitesh ekziston debati që vendi të kalojë në një zonë të vetme zgjedhore, gjë e cila do ti jepte shansin edhe partive të vogla për të konkurruar dhe për të thyer monopolin e partive të mëdha.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button