Antikorrupsioni ka marrë vendim se nuk është kompetente për ankesën e familjarëve të Naser Eshtrefit

Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka miratuar një vendim në maj të këtij viti me të cilin e hedh poshtë kërkesën e familjarëve të Naser Eshtrefit, për shkak se siç thuhet, nuk janë kompetentë për të vepruar për këtë lëndë, për të cilën familjarët kishin kërkuar që të shqyrtohet puna e ish kryetarit të Penale, Vlladimir Pançevski, pasi që sipas tyre ai ia ka dorëzuar lëndën gjykatësit Ilija Trpkov në mënyrë manuale, pra jo sipas procedurës ligjore, apo nëpërmjet sistemit AKMIS, njofton Portalb.mk.

“Në pajtueshmëri me të konstatuarën, Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ka vlerësuar se nuk ka kompetenca që të deklarohet në lidhje me pretendimet në fjalë, paraqitja të hidhet poshtë, ndërkaq lënda të mbyllet”, thuhet në vendim.

Në vendim gjithashtu shtohet se për lëndën është kompetente tjetër organ shtetëror dhe për çka Antikorrupsioni ka informata se është vepruar, gjegjësisht se në seancë të mbyllur, më 25 dhjetor të vitit 2019-të, është shkarkuar ish kryetari i Gjykatës Penale për “punë të papërgjegjshme” dhe për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë shpërndarjes së lëndëve nëpërmjet sistemit AKMIS, pas akuzës së dorëzuar nga Prokuroria për manipulim me sistemin.

Pançevski momentalisht gjendet prapa grilave, pasi që më 5 gusht u dënua me tre vite e gjashtë muaj burg, për keqpërdorim të sistemit AKMIS, gjegjësisht se ka ndikuar në shpërndarjen e rreth 50 lëndëve në Gjykatën Penale të Shkupit, gjegjësisht në vend që lëndët në shpërndahen në mënyrë kompjuterike, ai ua ka dhënë në mënyrë manuale.

Vendimin e plotë mund ta shihni: KËTU

Gjykata Supreme ende s’ka vendosur për lëndën e Nasser Eshtrefit. Pala mbrojtëse ka dërguar ankesë për ta rishqyrtuar vendimin e Gjykatës Penale dhe të Apelit për shkak se sipas tyre është dhënë dënim drakonik, duke e pasur parasysh se vepra është kryer në mbrojtje. Prej vitit 2016-të ende nuk ka vendosur.

Shëtitja e lëndës

  • Viti 2016 – Avokati Angel Gjerogievski, ka dorëzuar ankesë deri te Gjykata Supreme në lidhje me vendimin e Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për dënimin me 14 vjet burg të Naser Eshtrefit për vrasjen e maturantit në Gjorçe Petrov në vitin 2014-të. Gjykata Supreme thekson se në po të njëjtin vit ka formuar lëndë.
  • Viti 2017 – Sipas Gjykatës Supreme, lënda nëpërmjet sistemit AKMIS është dhënë që të punohet në te gjykatësi. Në tetor të vitit 2017-të, lënda administrativisht është kthyer deri te Gjykata Themelore Shkupi 1 – Shkup, që të merren dhe plotësohen ankesa dhe përgjigja e ankesës, të cilat nuk janë gjetur në dosjen e lëndës.
  • Viti 2018 – Pas kompletimit të dosjes së lëndës, lënda dy herë është ekspozuar dhe diskutuar përpara Këshillit Gjykues dhe është anuluar. Lënda ka qenë në lexim te të gjithë gjykatësit e Këshillit Gjyqësor kompetent.
  • Viti 2019 – Ka pasur ndryshim të përbërjes së Këshillit Gjykues. Lënda disa herë, përsëri është ekspozuar përpara Këshillit Gjykues, ndërkaq për shkak të kompleksistetit të lëndës, ka qenë e nevojshme, me kërkesë të gjykatësve i njëjti që të shqyrtohet nga çdo gjykatës.
  • 2020 – Lënda ende është në fazë të vendimit.

Portalb.mk, ka kontaktuar në vazhdimësi me Gjykatën Supreme, por të njëjtët vazhdojnë të japim përgjigje “robotike” – po punohet për lëndën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button