Arrijnë në Kosovë 25 ekspertë gjermanë për ofrim të ndihmës rreth COVID-19

Në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK), ka arritur të martën në mëngjes një grup ekspertësh shëndetësorë të COVID-19 nga Gjermania të cilët do të qëndrojnë për dy javë me qëllim ofrimin e ndihmës lidhur me punën e mjekëve që merren me rastet me koronavirus, raporton Anadolu Agency (AA).

Pas ceremonisë së pritjes së misionit me ekspertët nga “Joint Robert Koch Institute” nga Gjermania, drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, tha se ardhja e këtij ekipi ka për qellim “forcimin e kapaciteteve në Kosovë në luftën kundër koronavirusit”.

“IKSHPK dhe Instituti Robert Koch në Berlin të Gjermanisë, kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi që nga marsi i vitit 2018. Ekspertët e Institutit Robert Koch, duke përfshirë specialistët e Departamentit të Epidemiologjisë dhe Sëmundjeve Infektive, Qendra e Informacionit për Mbrojtjen e Shëndetit Ndërkombëtar, Njësia e Shëndetit Publik dhe mbështetja e Laboratorit Publik të Robert Koch, përbëjnë delegacionin e këtij instituti për të këshilluar në fushat e mbështetjes, mbikëqyrjes, epidemiologjisë, komunikimit të rrezikut dhe diagnostikimit laboratorik”, tha Ramadani.

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha se ardhja e këtij grupi ekspertësh është një ndihmë shtesë për ta kaluar pandeminë.

“Këta njerëz që po i shini sot dhe ushtarakët e kontingjentit nga Italia me të cilët sapo biseduam dhe të cilët kanë ardhur që t’i ndihmojnë qytetarët e Kosovës, shpresoj që do të jenë udhërrëfyesi më i mirë për të gjithë ne që të respektojmë masat, atë të cilën po e proklamojmë dhe që është më e lehta. Ta mbajmë distancën, ta mbajmë higjienën dhe t’i mbajmë maskat”, tha Zemaj.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, tha se ekipi është në përbërje prej 25 ekspertësh gjermanë, teksa u shpreh i kënaqur për bashkëpunimin konkret midis institucioneve të shëndetësisë kosovare dhe gjermane.

Ekipi i ekspertëve epidemiologjikë dhe mjekësorë nga instituti gjerman i shëndetësisë do të qëndrojë në Kosovë për dy javë dhe do të ofrojë asistencë përkitazi me nevojat për luftimin e pandemisë COVID-19. Misioni i ekspertëve do të udhëhiqet nga doktor Andreas Jansen.

Sot gjatë ditës, kryeministri Avdullah Hoti duke folur rreth situatës epidemiologjike në vend, tha se “Kosova e ka vënë në kontroll pandeminë COVID-19”.

Hoti gjatë një vizite në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (ShSKUK) duke diskutuar me drejtorët e Klinikave është shprehur optimist se vendi është në rrugën e duhur për të menaxhuar me sukses edhe mundësinë e një vale të re të koronavirusit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button