RMV, “disa drejtorë i urdhërojnë mësuesit të blejnë vetë llaptop për mësim-online”, autoritetet fajësojnë njëra tjetrën

Vetëm dhjetë ditë na ndajnë nga fillimi i vitit shkollor 2020-2021, nga Ministria e Arsimit tashmë kanë vendosur që mësimi do të mbahet nga distanca, gjegjësisht online. Për të funksionuar kjo, nevojiten kushte të caktuara. Jakim Nedelkov nga Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë alarmon se shumë drejtorë kërkojnë që mësimdhënësit me mjete personale të blejnë llaptop ndërkaq nga Ministria e Arsimit këtë obligim ia veshin komunave, i pari i Arsimit të Tetovës thotë se nga Ministria e Arsimit po i injorojnë, madje nga muaji mars nuk ju kthejnë përgjigje, shkruan Portalb.mk.

Shumë shkolla në Maqedoninë e Veriut nuk janë gati për zhvillimin e rregullt të Platformës Nacionale për mbajtjen e mësimit nga distanca, e cila u promovua pak ditë më herët nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në krye me ministren Mila Carovska.

Po atë ditë, ministrja theksoi disa kritere të cilat duhet të i plotësoje llaptopi apo kompjuteri me anë të së cilët mësimdhënësit do të ligjërojnë orët mësimore, nga distanca. Megjithatë, me këtë u ndje i lumtur Nedelkov nga Sindikata e Arsimit, i njëjti thotë se kërkesat e ministrisë nuk përputhen me mjetet aktuale me të cilat disponojnë shkollat.

Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës për Arsim dhe Shkencë.
Jakim Nedelkov, kryetar i Sindikatës për Arsim dhe Shkencë.

“Platforma e unifikuar nacionale për mbajtjen e mësimit online ka disa kërkesa të caktuara teknike, që i bije llaptop apo kompjuter me performanca solide. Momentalisht, shkollat fillore dhe të mesme në shtet disponojnë me kompjuterë shumë të vjetër të cilët nuk i kënaqin karakteristikat e kërkuara nga Ministria e Arsimit” tha Nedelkov për Portalb.mk.

Ai shtoi se shteti është i detyruar që të respektoje Ligjin për Marrëdhënie Pune dhe punëtorëve, që në këtë rast janë mësimdhënësit, të ju siguroje kushte për punë. I njëjti alarmon se disa drejtorë sigurimin e kushteve për punë e kërkojnë që punëtorët ta bëjnë vetë, me mjete vetanake.

“Sipas Ligjit për Marrëdhënie Pune, punëdhënësi është i detyruar të ju siguroje punëtorëve kushtet për punë. Në rastin konkret, punëdhënësi apo shkolla është e detyruar që të ua siguroje mësimdhënësve këta kushte për punë, që i bije, blerja e kompjuterëve të rinj. Në të kundërtën, punëtorët apo në këtë rast mësimdhënësit, nuk do të kenë mundësi që normalisht ta zhvillojnë procesin arsimor.
Në ditët e fundit, një numër i caktuar i drejtorëve të shkollave fillore dhe të mesme anketojnë mësimdhënësit, për mundësinë e shfrytëzimit të kompjuterëve personal. Madje kemi informacione që disa drejtorë kanë kërkuar nga mësimdhënësit që personalisht t’i sigurojnë kompjuterët apo me mjetet e veta të blejnë llaptop apo kompjuter”, shtoi Jakim Nedelkov.

Nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës shprehen se sigurimi i mjeteve për punë është obligim i komunave dhe shkollave vetë, nga kjo ministri kundërshtojnë Nedelkov duke u shprehur se shumica e shkollave tashmë i posedojnë mjetet e kërkuara për punë.

“Obligim i të gjitha komunave dhe shkollave është sigurimi i internetit dhe mjeteve përmes së cilave do të ligjërojnë mësimdhënësit. Me qëllimin e sigurimit në kohë të mjeteve për mbajtjen e mësimit nga distanca, Ministria e Arsimit ka informuar për konfiguracionet minimale për mbajtjen e mësimit nga distanca përmes Platformës Nacionale për mësim nga distanca. Bëhet fjalë për kushte dhe mjete të cilat pjesa më e madhe e shkollave i posedojnë” thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Portalb.mk.

Megjithatë, të vetëdijshëm se komunave iu është veshur kjo barë e madhe financiare. Nga Sektori për Arsim në Komunën e Tetovës thonë se kanë kërkuar ndihmë nga Ministria e Arsimit edhe atë nga muaji mars dhe nuk kanë marrë asnjë përgjigje.

Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.
Ahmed Qazimi nga Sektori për Arsim, Tetovë.

“Nga marsi kemi njoftuar institucionet për mungesën e pajisjeve që janë të domosdoshme si dhe për nevojat e mësimdhënësve dhe shkollave në aspektin e rrjetit të internetit dhe pajisjeve elektronike, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës në këtë drejtim deri tani nuk kemi pasur ndonjë investim konkret. Respektivisht, të njëjtit nuk na janë përgjigjur në kërkesat tona”, u shpreh Ahmed Qazimi, drejtor i Sektorit për Arsim në Komunën e Tetovës.

Ai thotë se i kanë pajisur të gjitha klasat me kompjuter dhe llaptop me të cilët mësimdhënësit do të mbajnë mësimin. Megjithatë, shprehet se gjithmonë ka hapësirë për ndihmë në mënyrë që ky proces arsimor të shkoje sa më mirë.

“Ne si Komunë e Tetovës kemi vendosur në funksion disa tableta të mençur të cilat paraprakisht i kemi pasur në shfrytëzim të shkollave, të njëjtat ua kemi shpërndarë mësimdhënësve dhe nxënësve që nuk kanë pasur pajisje të tilla. Çdo ndihmë do të ishte e mirëseardhur, ka shumë mësimdhënës që kanë nga dy, tre fëmijë si dhe bashkëshortin mësimdhënës, atyre ju nevojiten disa llaptop apo kompjuter, kjo është arsyeja se pse mësimdhënësit kanë nevojë për ndihmë në sigurimin e kushteve, jo ana sociale” shtoi Qazimi.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Ndryshe, modeli i zgjedhur për mbajtjen e procesit arsimor për këtë vit ishte ai i mësimit nga distanca, shkollat e mesme dhe fillore do të fillojnë zyrtarisht nga data 1 tetor me procesin arsimor online. Ky vendim i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me Komisionin për Sëmundje Ngjitëse nuk ishte i pranueshëm për Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme të cilat pasi protestuan, ranë dakord që të respektojnë vendimin për mësim nga distanca, me mundësinë për rikthim në shkolla në nëntor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button