fbpx

Pendarovski në përvjetorin e themelimit të OKB-së: Falë Kombeve të Bashkuara zgjidhëm një kontest shumë të komplikuar

Krijimi i Kombeve të Bashkuara është një nga projektet më të rëndësishme globale dhe arritjet e njerëzimit, por Organizata jonë mund të jetë efektive aq sa do t’i lejojnë vendet-anëtare, porositi presidenti Stevo Pendarovski në video fjalimin në forumin e nivelit të lartë “E ardhmja që e duam, Kombet e Bashkuara që na duhen: Konfirmim i përkushtimit tonë kolektiv ndaj multilateralizmit”, që u mbajt mbrëmë në Nju-Jork me rastin e shënimit të 75 vjetorit të themelimit të KB-së.

“Në vitin 1945 popujt u bashkuan rreth vizionit që t’i mbrojnë pasardhësit nga tmerri i luftës. Ata i vendosën themelet e rendit të ri ndërkombëtar që në bazën e vet e vë njeriun, dhe jo vetëm shtetet dhe aleancat e tyre”, theksoi Pendarovski.

AI potencoi se në 75 vitet e kaluara, Kombet e Bashkuara arritën shumë. Si gur themeli i të drejtës ndërkombëtare dhe sistemit multilateral, organizata i obligon anëtarët e vet t’i tejkalojnë kontestet në mënyrë paqësore dhe të bashkëpunojnë për ruajtjen e paqes dhe të sigurisë.

“Kombet e Bashkuara kanë parandaluar një numër të madh konfliktesh dhe i kanë zbutur pasojat e shumë krizave humanitare. Ato u kanë ndihmuar shumë popujve që nëpërmjet vetëvendosjes të ecin në rrugën drejt pavarësisë. Në dekadat e kaluara miliona njerëz janë nxjerrë nga varfëria ekstreme dhe janë mbrojtur nga dhuna”, shtoi Pendarovski, transmeton MIA.

Shefi i shtetit theksoi se nëpërmjet deklaratës universale, pakteve dhe konventave ndërkombëtare, Kombet e Bashkuara e kanë nxitur lëvizjen globale për të drejta dhe liri, për drejtësi sociale dhe barazi. E kanë përforcuar rezistencën ndaj katastrofave dhe e kanë mobilizuar botën në luftën kundër ndryshimeve klimatike.

“Formimi i Kombeve të Bashkuara është një nga projektet dhe arritjet më të rëndësishme të njerëzimit. Por, organizata jonë mund të jetë efikase aq saç e lejojnë që të jetë shtetet anëtare”, theksoi Pendarovski.

Sipas tij, për shkak të pengesave të shumta në punën e saj, në botë ekzistojnë ende tensione dhe konflikte, milionë refugjatë dhe migrantë, eksploatim i pakontrolluar i natyrës dhe shkelje e dinjitetit të njeriut. Problemeve të vjetra iu bashkëngjiten edhe probleme të reja akute siç janë terrorizmi global, krimi transnacional i organizuar dhe ndarja digjitale.

Pendarovski theksoi se nga pavarësia e saj dhe deri më sot, Republika e Maqedonisë së Veriut ka dëshmuar edhe për fitimet dhe për sfidat e Kombeve të Bashkuara.

“Nga përdorues të misionit të parë parandalues – UNPREDEP, edhe vetë u bëmë kontribuues në shumë misione paqësore. Falë Kombeve të Bashkuara zgjidhëm një kontest shumë të komplikuar i cila e ka ngadalësuar integrimin tonë në rendin ndërkombëtar. Ne do të vazhdojmë t’i përmbushim në frymën e multilateralizmit obligimet ndërkombëtare dhe ta mbështesim punën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të agjencive të saj të specializuara. Është e qartë se vetëm nëse investojmë në organizatën botërore do të arrijmë të ndërtojmë një botë me dinjitet”, theksoi presidenti Pendarovski në fjalim.

Forumi, i organizuar në kuadër të sesionit të 75-të të Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, u mbajt me transmetimin e mesazheve nga përfaqësues të mbi 180 vendeve dhe organizatave në sallën e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës Botërore, në prani të sekretarit të përgjithshëm Antonio Guteresh dhe përfaqësuesve të vendeve-anëtare të KB-së.

Për shkak të pandemisë KOVID-19, sesioni i sivjetshëm zhvillohet pa praninë fizike të udhëheqësve botërorë në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close