fbpx

RMV, Sindikata: Mbi 90 % e mësimdhënësve nuk mund t’i shfrytëzojnë kompjuterët e tyre për nevoja të punës

Në Maqedoninë e Veriut procesi arsimor do të zhvillohet online përmes Platformës nacionale për mësim në distancë, duke filluar prej 1 tetorit, transmeton Portalb.mk. Për zhvillimin e procesit arsimor, përveç nxënësve, edhe mësimdhënësit duhet të kenë pajisje elektronike të tyre me karakteristika të përcaktuara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe internet në shkollë, ku mësimdhënësi duhet të jetë prezent gjatë ligjërimit.

“Pasi filloi testimi i platformës së re për mësim online, doli se kompjuterë ekzistues nuk janë të përshtatshëm, që do të thotë se nuk do të mund të lidhen në platformën e re. Kemi informacione nga terreni, se shumë shkolla kryejnë anketa me mësuesit dhe i pyesin se nëse mund t’i shfrytëzojnë kompjuterët personal. Numri më i madh i mësuesve, mbi 90 për qind kanë theksuar se nuk mund t’i shfrytëzojnë për nevoja të punës për shkak se si ata kanë edhe fëmijë të cilët duhet të punojnë me të njëjtin kompjuter”, tha për TV21 Jakim Nedellkov, kryetari i Sindikatës për për arsim, shkencë dhe kulturë (SASHK).

SASHK-u theksoi se mësuesit do të punojnë vetëm nëse kanë kushte për punë, ndërkaq alarmojnë se edhe ato pak shkolla që kanë kompjuterë, të njëjtit nuk janë të përshtatshëm për platformën.

“Në asnjë formë nuk do të lejojmë dhe nuk do të pranojmë dyfishim të orës mësimore. Ajo është e rregulluar me ligj, se çdo punë shtesë duhet të paguhet në mënyrë shtesë. Nëse shteti mendon se në këtë formë është më lirë, atëherë mësuesit me shumë gjasë do të pranojnë”, sqaroi Nedellkov, për rastet kur mësuesit që mbajnë mësim me prani fizike duhet të mbajnë mësim më shumë se fondi i orëve i përcaktuar me ligj.

Ndryshe, Viti i ri shkollor 2020-21 do të zhvillohet përmes Platformës Nacionale për mësim online e cila u prezantua më 18 shtator në Qeveri. Trajnuesit shkollor, njohuritë e tyre të fituara do t’i shpërndajnë te të gjithë mësimdhënësit e shkollës duke filluar prej 21 shtatorit e deri më 23 shtator, ashtu që prej 25 shtatorit deri më 28 shtator do të realizohet testimi i Platformës në gjithë shkollat e vendit. Gjithashtu MASH-i ka përcaktuar karakteristikat e pajisjeve elektronike që duhet t’i kenë mësimdhënësit për zhvillimin e mësimit online në Platformën për mësim në distancë.

MASH raportoi se 113 shkolla fillore kanë kërkuar mbajtjen e mësimit me prani fizike. Prej 113-të shkollave, 79 janë fillore dhe 34 të mesme. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë.

Vendimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close