Përsëri protestuan nënat kundër vendimit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Nënat e fëmijëve të vegjël sot protestuan përsëri kundër vendimit të Qeverisë për kthimin e tyre në vendet e punës prej 23 shtatorit, duke shpalosur edhe disa çështje tjera të rëndësishme. Ata kërkojnë rikthimin e vendimit për vazhdimin e pushimit të lehonisë dhe pushimit për nënat e fëmijëve nën 6 vjeç deri më 31 dhjetor.

“Ende nuk kam marrë përgjigje për pyetjet kryesore lidhur me atë se, kush do ta paguaj nënën nëse fëmija infektohet me Kovid dhe ajo do të detyrohet të shkojë në izolim? A janë konsultuar me pediatër për këtë rast? Si mund të pohojnë se ka vend nëpër çerdhe kur nënat janë në listën e pritjes, në kushte normale nuk ka vend, e lëre më tani. A keni njohuri rreth numrit të nënave që deri më tani janë detyruar të japin dorëheqje?”, u shpreh një nga protestueset, raporton Alsat-M.

Javën e kaluar nënat e fëmijëve të moshës nën 6 vjeçare protestuan para objektit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, kundër vendimit për kthimin e tyre në punë prej 23 shtatorit. Në fund të protestës, Qeveria ka ftuar përfaqësues të protestuesve në takim, ftesë e cila ishte pranuar.

Komisioni për sëmundje ngjitëse nuk është i vlefshëm???”,  “Për fëmijët tanë i keni përgatitur spitalet mobile???”, “Vazhdim të pushim të lindjes deri më 31.12.2020”, ishin disa nga mbishkrimet e qytetarëve që protestuan javën e kaluar.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e katërt vendosi që prindërit që e kanë kryer pushimin e lehonisë dhe të sëmurët kronik, do të kthehen në punë prej 23 shtatorit.

“Të punësuarit që kanë qenë të liruar në bazë të shfrytëzimit të pushimit të lindjes, duke filluar nga 23 shtatori i vitit 2020, do të kthehen në vendet e punës dhe në kryerjen e rregullt të punëve”, deklarojnë nga Qeveria, duke sqaruar se në vendin punës do të rikthehen edhe prindërit e fëmijëve të tjerë që kanë qenë të liruar nga puna gjatë kohës së pandemisë, si masë kundër përhapjes së virusit korona.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button