Nuk ka më protesta, nxënësit janë pajtuar me vendimin për mësim nga distanca

Gazetari i Portalb.mk mëson se është marrë vendim në Unionin e Nxënësve të Shkollave të Mesme që të ndërpriten protestat e organizuara kundër mësimit online dhe nxënësit të respektojnë vendimin e Ministrisë së Arsimit në bashkëpunim me Komisioni për Sëmundje Ngjitëse, gjegjësisht për mbajtjen e mësimit nga distanca. Megjithatë, Hodai paralajmëron se vazhdimisht do të ndjeke situatën epidemiologjike për mundësinë e rikthimit në klasa.

Se vendimi që të ndërpriten protestat dhe nxënësit të vijojnë mësimin online është marrë, e konfirmon për Portalb.mk edhe kryetari i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme, Blendi Hodai.

“Nga java e kaluar, ne kemi qenë në kontakt të vazhdueshëm me nxënës të shkollave të mesme nga gjithë qytetet e vendit. Kemi konsideruar të gjitha opsionet që janë në dobi të nxënësve dhe të shtunën është marrë njëzëri vendim që të bëjmë kompromis me institucionet. Duke respektuar epidemiologët, viti shkollor të filloj nga 1 tetori nga distanca” tha Blendi Hodai.

Megjithatë, ai paralajmëron se së bashku me anëtarë tjerë dhe ekspert të kësaj fushe vazhdimisht do të ndjekin gjendjen epidemiologjike në vend dhe do të vendosin për mundësinë e rikthimit të nxënësve në bankat shkollore, bazuar në gjendjen epidemiologjike.

“Në qoftë se gjendja epidemiologjike përgjatë muajit tetor është stabile atëherë në Nëntor nxënësit duhet të fillojnë të rikthehen në bankat shkollore gradualisht. Në rast se kjo nuk ndodhë, atëherë nxënësit kanë pranuar që të bojkotojnë mësimin nga distanca në nëntor” shtoi Blendi Hodai.

Rikujtojmë se propozimi i Unionit të Nxënësve të Shkollave të Mesme ka qenë modeli i kombinuar i arsimimit, gjegjësisht rotacion të nxënësve të shkollave të mesme në klasat në çdo dy ditë (ndjekje të mësimit onlajn dhe prani fizike) dhe qasja të mos jetë qendrore, por çdo komunë të organizojë model sipas gjendjes epidemiologjike gjegjësisht numrit të të infektuarve.

Një muaj më herët, disa ditë para protestës së organizuar nga Unioni i Nxnënësve të Shkollave të Mesme, anëtarë të kësaj organizate u takuan me ministrin e Shëndetësisë, Venko Filipçe, ministren e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska, ish kryeministrin teknik Spasovski etj. Menjëherë pas këtij takimi, u vendos që fillimi i vitit shkollor të shtyhet me date 1 tetor si dhe modeli i kombinuar të merret parasysh.

Ndryshe, Unioni i nxënësve të shkollave të mesme ka degë në 17 qytete.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button