Dhuna në  bazë gjinore dhe rëndësia e mbështetjes psikologjike

Shkruan: Sema Halili

“Gratë janë gjysma e popullatës dhe njëkohësisht edukatore të gjysmës tjetër”-por fatëkeqësisht janë më shumë viktima të dhunës. Është koha që të gjithë së bashku t’i themi jo dhunës ndaj grave, t’i themi jo nënshtrimit”.

Dhuna me bazë gjinore ka një natyrë shumë dimenzionale, prandaj nuk është e thjeshtë t’i jepet një përkufizim këtij termi.Termi “dhunë” është barazuar shpesh në dhunën fizike, ndërsa dhuna me bazë gjinore mund të marrë forma të ndryshme, fizike, psikologjike,ekonomike dhe seksuale. Ky term përfshin një sërë praktikash dhe sjelljesh të dëmshme të kryera ndaj vajzave dhe grave, për shkak të gjinisë sëtyre. Përderisa dhuna ndaj gruas nis nga statusi i pabarabartë, tipar ky i shoqërisë patriarkale, gjithnjë e më shumë ajo po trajtohet sipas këndvështrimit “gjinor” (UNICEF & Instituti i Studimeve të Opinionit Publik, 2003).

Të gjitha kontaktet e rrezikshme apo kërcënimet mes anëtarëve të familjes ose mes bashkëshortëve dëshmojnë dhunën në familje, duke pasur parasysh edhe dëmet materiale (pasurinë), metodën e kontrollës, hakmarrjes apo dënimet.Dhuna në familje përfshinë fyerjet emocionale dhe verbale (inferioritetin verbal) ose dhunën seksuale (akt seksual i padëshiruar).

Secili mund të jetë viktimë e dhunës në familje, pra është një fenomen që mund t’i ndodh çdokujt pa patur parasysh moshën apo grupën sociale ose ekonomike, që donë të thotë se mund t’ju ndodh edhe njerëzve me shkallë të ndryshëm arsimimi. Vlerësojmë se rreziku mund t’ju kërcënohet të gjithë anëtarëve të familjes në mënyrë të balancuar.

Nëse flasim në aspektin Global mund të themi se 1 në 3 gra janë viktima potenciale të dhunës ndërgjinore. Dhuna ndaj grave ka tendencë të rritet gjatë çdo lloj emergjence, përfshirë edhe epidemitë.Padyshim se në gjendje pandemie kemi rritje të numrit të rasteve të dhunës ndërgjinore dhe kjo nga fakti se gjatë kësaj periudhe familjet detyrimisht ishin të obliguar të qëndronin bashkë për një periudhë të pacaktuar ku frika nga situata e re e sapokrijuar, nga e panjohura, frika për siguri, kufizimet dhe heqja dorë nga shumë aktivitete ishin stresuse dhe nxitës që në shumë familje të rritej tensioni, konfliktet dhe dhuna. Ndërsa vendosen masat e izolimit dhe njerëzit inkurajohen të qëndrojnë në shtëpi, rreziku i dhunës së partnerit intim ka të ngjarë të rritet.Mundësia që gratë në një marrëdhënie abuzive dhe fëmijët e tyre të ekspozohen ndaj dhunës është rritur në mënyrë dramatike, pasi anëtarët e familjes kalojnë më shumë kohë në kontakt të ngushtë dhe familjet përballen me stresin shtesë dhe humbjet e mundshme ekonomike ose të punës. Gratë mund të kenë më pak kontakte me familjen dhe miqtë të cilët mund të sigurojnë mbështetje dhe mbrojtje nga dhuna.Ata mbajnë barrën e punës së shtuar të kujdesit gjatë kësaj pandemie.Mbylljet e shkollave e përkeqësojnë më tej këtë barrë dhe u japin më shumë stres.Humbja e mjeteve materiale dhe aftësia për të fituar jetesën, përfshirë gratë (shumë prej të cilave janë punëtore informale me paga), do të ulë mundësinë e pavarsisë ekonomike aksesin në nevojat themelore dhe shërbimet, duke rritur stresin në familje, me potencial për të përkeqësuar konfliktet dhe dhunën. Ndërsa burimet bëhen më të pakta, gratë mund të jenë në rrezik më të madh për të përjetuar abuzim ekonomik.

Përveç dëmeve fizike që në përgjithësi shihen, dëmet psikologjike janë dominante dhe flasin më shumë edhe pse syri i njeriut nuk i sheh me shikim të parë.Dhuna ndaj grave mund të rezultojë në dëmtime dhe probleme serioze të shëndetit fizik, mendor, seksual dhe riprodhues. Ajo që vjen më shumë në shprehje dhe që njëherit kërkon dhe trajtim është aspekti psikologjik dhe emocional me qëllim që ata të vetëdijësohen për dëmet që pësojn dhe të inkurajohen në rikthimin e potencialit të tyre, besimit dhe respektit të humbur, vendimeve dhe përgjgegjësit për të rimarrë kontrollin e jetës dhe fatit në duart e tyre.

Dhuna psikologjike është një ndër format më të shpeshta të dhunës ndaj gruas, për të cilën shumë pak flitet dhe raportohet. Ajo zakonisht përfshinë sjellje si ofendime, përulje, frikësime, kërcënime, izolim, kontrollë të lëvizjes dhe forma të tjera të cilat lëndojnë emocionalisht personin.Studimet e shumta me gra dhe vajza në lidhje me përjetimet e dhunës psikologjike na tregojnë se ata e cilësojn dhunën psikologjike si më të dëmshme dhe më shkatërruese për mirëqenien e tyre e cila shumë shpejt mund të shpie në dhunë fizike. Sipas kësaj mund të konkludojmë se çdo kërcnim për vrasje është një vrasje e mundshme. Kërcënimet shpesh injorohen dhe nuk meren parasysh dhe shpesh përfundojnë në formën më të rëndë të dhunës ndaj grave dhe vajzave. Studimet në lidhje me pasojat e dhunës na tregojnë se të gjithë format e dhunës shkaktojnë pasoja të rënda në mirëqenien psikologjike të personit duke përfshirë: ankthin, depresionin, uljen e vetëbesimit, vetëvlerësimit, vetërespektit, shtrembërimin e imazhit për veten, mendime dhe bindje negative për veten, mendime dhe sjellje vetëvrasëse,stres post-traumatik dhe çregullime të tjera psikike të cilët janë të dëmshme për mirëqenien mentale.

Fakti se pasojat e dhunës psikike nuk janë të dukshme dhe shpesh personat që përjetojnë këtë lloj dhune nuk e marrin seriozisht dhe nuk e denoncojnë e vështirëson edhe dokumentimin e të dhënave të sakta sa u përket statistikave që bëhen për dhunën.Në mungesë të të dhënave zyrtare rreth numrit të rasteve të paraqitura të dhunës ndërgjinore, qëndron edhe shqetësimi se ky fenomen në të shumtën e rasteve nuk lajmërohet dhe regjistrohet.

Fatëkeqësisht, është një “luftë e heshtur”, për të cilën flitet vetëm në raste ekstreme të krimit dhe të lë përshtypjen sikur ky fenomen meqë nuk flitet dhe identifikohet si i tillë meret sikur nuk egziston dhe në raste kur veç më ndodhin krimet, llogariten si raste të izoluara. Nëse mendojmë pak më thellë për të kuptuar se pse ndodhky fenom i heshtjes, mund të themi dhe numërojmë disa arsye. Arsyeja e mos rebelimit ndaj dhunës psikologjike, ka të bëjë me faktin se shumica e individëve nuk e perceptojnë atë si dhunë, si dhe ekziston një tolerancë e lartë për këtë lloj të dhunës dhe mungesë e vetëdijes në lidhje me definimin e saj, kështuqë shpesh herë dhuna psikologjike konsiderohet si jo aq e dëmshme sikurse konsiderohet dhuna fizike. Si një ndër arsyet tjera mund të themi se në hapësirat tona janë paragjykimet dhe digmat kulturo-sociale, ndjenja e fajit dhe turpit, frika, varshmëria ekonomike, sociale dhe emocionale. Këtu gjithashtu, luan rol të rëndësishëm konteksti kulturor si dhe toleranca e lartë ndaj këtyre sjelljeve të dhunshme e cila i bën njerëzit të hezitojnë të flasin dhe të raportojnë këto sjellje,që konsiderohen si të pranueshme dhe madje nuk cilësohen si dhunë.Mosparaqitja e rasteve të dhunës në momentet e para të shfaqjes së saj ndikojn negativisht në vazhdimin e jetesës në një familje.Një realitet prezent në shoqërinë tonë është se shumë gra e fshehin të vërtetën dhe vazhdojnë të jetojnë mes dhunës dhe dhimbjes.

Parashtrohet vetëvetiu me të drejt pyetja pse nuk e lënë ata marrëdhënien abuzive?Kjo pyetje, në dukje e pafajshme, nënkupton që vendosja për të lënë një marrëdhënie abuzive është e lehtë për tu thënë, por e vështirë për tu bërë. Kjo pyetje anon gjithashtu nga fajësimi i viktimës, kur viktima, në vend se abuzuesi, fajësohet për situatën në të cilën ndodhet. Një element i rëndësishëm këtu është se abuzuesit janë ekspertë në heqjen e vetë-vlerësimit.Kjo mund të bëjë që viktimat të ndihen me vetëbesim të ulët, të traumatizuar, të paaftë të mendojnë dhe gjykojnë në mënyrë racionale për të marrë vendime dhe për tu përballur me gjendjen dhe menaxhimin e situatës.

Kompleksiteti dhe vështirësia e definimit dhe matjes së dhunës psiqike është e potencuar në shumë studime, duke argumentuar se në kontekste të ndryshme kulturore definimi i dhunës psikologjike mund të jetë i ndryshëm.Eksplorimi dhe artikulimi i të gjitha formave të dhunës, ato që janë të dukshme dhe të njohura por edhe ato që janë të padukshme, por të pranuara në shoqëri kontribojn fuqimisht në një rritje të sjelljes së dhunshme tek të gjitha kategoritë e qytetarëve dhe në një kulturë të neglizhencës dhe abuzimit.

Meqë dhuna si fenomen është shumë kompleks, arsyet e shfaqjes janë të shumta.Teoritë e ndryshme psikologjike tregojnë se nuk ekziston vetëm një faktorë për shfaqjen e dhunës, por dhuna shfaqet si rezultat i ndërveprimit të shumë faktorëve të vendosur në nivele të ndryshme duke përfshirë atë individual, të lidhjes apo familjes,komunitetit dhe shoqërisë.Në nivelin individual zakonisht përfshihen faktorët që ndërlidhen me karakteristikat individuale të individit si gjinia, edukimi, statusi socio-ekonomik, por edhe disa karakteristika psikologjike si tiparet e personalitetit, gjendja e përgjithshme e shëndetit mendor të individit, aftësitë vetë-rregulluese në lidhje me reagimet emocionale, socializimi me dhunën dhe qëndrimet tolerante ndaj dhunës.Në nivelin e lidhjes, zakonisht përfshihen dinamikat familjare apo ata të lidhjes duke përfshirë aftësitë komunikuese, aftësitë e zgjidhjes së konflikteve, tendenca për të dominuar mbi partnerin, xhelozia, stresi në lidhje apo familje dhe kënaqësia në lidhje.Në nivelin e komunitetit dhe shoqërisë zakonisht përfshihen faktorët që kanë të bëjnë me gjendjen e përgjithshme në komunitet si normat rigide gjinore, pabarazia gjinore, toleranca shoqërore ndaj dhunës ndaj gruas,normat patriarkale, varfëria dhe papunësia.

Megjithëatë, kjo nuk do të thotë se nuk duhet bërë asgjë në këtë drejtim.Përkundrazi është detyrim i ynë si profesionist t’ju dalim në ndihmë viktimave që dhe ata të kenë derë ku të trokasin dhe një dorë të zgjatur për problemin e tyre.Fillimisht, këto raste duhet identifikuar dhe në asnjë mënyrë të heshten. Kur viktimat do të dinë se kanë mundësi ku të drejtohen dhe në të njëjtën kohë mos paragjykohen dhe neglizhohen atëherë dhe ata do të kenë më shumë kurajo dhe guxim të paraqesin rastet dhe flasin për dhunën në çfarëdo qoftë mënyre të paraqitjes, qoftë verbale (fyerjet, sharjet, qortimet) apo dhe fizike.

 

Njohja e sjelljes së dhunshme dhe zgjimi i opsioneve të shëndetshme për të përballuar dhe kapërcyer kanë një ndikim të rëndësishëm në thyerjen e ciklit të dhunës dhe gjetjen e alternativave më të përshtatshme për përballimin e betejës me këtë fenomen.

Në betejën ndaj dhunës fizike dhe psikologjike për ta goditur si fenomen rekomandimetdhe sugjerimet janë në aspektin e plan veprimit për tu zbatuar prej profesionistëve të fushës,organizatave dhe autoriteteve:si psh., trajnim i profesionistëve të shëndetit mendor në njohjen e fenomenit; realizime sensibilizuese publike në popullatë (seminare, shpërndarje materialesh informative, video); angazhim mediatik i profesionistëve; bashkëpunim organe shtetërore – shoqëri civile; hapja e SOS linjevenë të gjithë gjuhët që i flasin nacionalitetet që jetojnë në RMV; ndërtim e fuqizim i qendrave të krizës, strehimoreve, qendrave për mbështetje psikologjike dhe këshillim në të gjithë rajonet në RMV; qasje multi-sektoriale në sistemin e mbrojtjes së viktimave të dhunës; fuqizim i statusit ekonomik të viktimës sidhe mirëfunksionim i ligjit për mbrojtje të viktimës.

Duke pasur parasysh se dhuna tashmë është një problem global dhe duke u bazuar në rekomandimet, vlerësojmë se nuk mund të ndihmojnë vetëm profesionistët e kësaj fushe në parandalimin, prevenimin dhe eliminimin e saj por është e domosdoshëme përfshirja dhe bashkëpunimi i gjithë komunitetit, institucioneve shtetërore dhe organizatave që punojnë në këtë fushë, që do të thotë krijim i një sistemi multisektorial. Ky sistem mund të luaj rol të rëndësishëm në parandalimin e dhunës, sepse dhuna tash më nuk është vetëm një problem familjar që duhet zgjidhur mes katër mureve por është një problem që tangon gjithë shoqërin sepse pasojat e saj ndjehen në gjithë komunitetin, është një sjellje që mësohet në familje dhe e njejta bartet në shoqëri dhe përësritet pa ndërprerë si një proces i vazhdueshëm .

Puna jonë si Psikolog/Psikoterapeut është e rëndësishme posaçërisht në proceset e vetëdijësimit, prevenimit dhe parandalimit të efekteve të dhunës, si dhe në procesin e shërimit dhe fuqizimit të viktimave dhe konteksteve të sistemeve të ndjeshme pas dhunës së (pa) ndodhur. Kjo kontribuon në zbulimin dhe vetëdijësimin e asaj që është e padukshme me norma nga shoqëria, për të cilën është shumë e vështirë të flitet dhe sanksionohet, për shkak të frikës së përhapur nga përjashtimi, margjinalizimi dhe refuzimi nga familja dhe komuniteti.

Këshillimi psikologjik te gratë viktima të dhunës familjare është e një rëndësie të padiskutueshme, pasiqë në të gjitha rastet kemi të bëjmë me persona që kanë humbur besimin fillimisht në vete dhe tek të tjerët, ndjehen të pashpresë, të pafuqishëm dhe të dorëzuar fatit të tyre, të pa mbrojtur. Në të shumtën e rasteve ata ndjejn sikur nuk kanë askënd që mund t’i ndihmojë, ose ndoshta janë përpjekur të kërkojnë mbështetje më parë, por kanë pasur një përvojë të keqe.Është e rëndësishme që ata të kuptojnë se edhe përkundër pengesave të ndryshme për të dal nga marrëdhënia abuzive, duhet të rikthejnë jetën, potencialin, vetëbesimin dhe rëndësinë e tyre.Ata janë në një pozitë tepër të vështirë dhe nuk duhet ta fajësojnë veten për rrethanat.Kërkimi i ndihmës nuk është gjithmonë i lehtë, por është mënyra më e mirë për të gjetur mbështetjen që i’u nevojitet për të marrë vendime dhe ndaluar dhunën.Qëllimi ynë është të vetëdijësojmë viktimën e dhunës që mos lejoj që t’i nënshtrohet dhunës fizike, psikike, emocionale dhe seksuale, por të punojmë me ta në këshillim dhe psikoterapi në kontinuitet që tek ata të rritet niveli i vetëbesimit, vetërespektit dhe vetëvlerësimit dhe si rezultat i punës afatëgjate në terapi të inkurajohen të marrin kontrollin e situatave të tyre të jetës dhe të marrin përgjegjësi për veprimet dhe vendimet e tyre, të marin guximin dhe të denoncoj dhunën të cilës i nënshtrohen dhe të dalin nga rrethi toksik i cili uʼa pamundëson funksionimin normal në aspektin kognitiv dhe emocional.Fatëmirësisht gjatë periudhës së pandemisë kemi pasur tentativa të ndryshme, mundësi të ndryshme dhe dhënie të shërbimeve online në formë të përkrahjes psikologjike në mënyrë që ata të inkurajohen dhe vetëdijësohen për dëmet dhe pasojat e dhunës dhe mënyrat sesi të rikthejnëintegritetin e humbur.

Që fenomeni i dhunës të zgjidhet ose të eliminohet, është e rëndësishme që vetëdija kolektive të rritet në nivel më të lartë në shoqëri, në institucionet më të larta madje edhe në nivel shtetëror dhe të përdoren praktikat e mira të shteteve fqinje dhe atyre Evropiane.

“Ne mund të dëgjojmë shumë arsye për dhunën, por asnjë arsye nuk është e mjaftueshme për tu arsyetuar, çdo dhunë. Kjo vlen edhe për dhunën ndaj grave dhe vajzave, që është misioni dhe vizioni ynë. Nuk ka asnjë arsyetim! Jemi bashkë në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe vajzave!

Ky publikim është përgatitur në kuadër të proektit “Shërbime të Sigurta për Mbështetjen e Viktimave të Dhunës me Bazë Gjinore (RBN) gjatë COVID -19” e implementuar nga zyra e UNFPA në Maqedoninë e Veriut , me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup, për rajonin e Shkupit dhe Tetovës.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button