fbpx

RMV, Ministria përcaktoi karakteristikat e kompjuterit që duhet ta ketë mësimdhënësi për mësimin online

Ministria e arsimit dhe shkencës (MASH) në Maqedoninë e Veriut ka përcaktuar karakteristikat e pajisjeve elektronike që duhet t’i kenë mësimdhënësit për zhvillimin e mësimit online në Platformën për mësim në distancë, transmeton Portalb.mk. Ministria nuk sqaron se çka do të ndodhë në rastet kur mësimdhënësit dhe shkollat nuk kanë mundësi të sigurojnë pajisje të tilla.

Sipas MASH-it, mësimdhënësit për ndjekjen e mësimit online në Platformë, duhet të kenë kompjuter me memorie të brendshme 4GB dhe procesor me dy bërthama. Për kyçje në Platformë, nuk duhet të zbritet ndonjë aplikacion, por kyçja mund të bëhet përmes Chrome, Microsoft Edge, Safari, etj.

“Për të shfrytëzuar gjithë funksionet në Platformën për zhvillimin e mësimit online, është e nevojshme të keni minimum sistemi operativ Windows 8.1”, rekomandoi MASH.

Karakteristikat minimale që duhet t’i ketë një pajisje elektronike e mësimdhënësit, sipas MASH janë: gjenerata e shtate i3 procesor, 1.6GHz, memorie 4 GB RAM, hard disk 128 GB SSD, ekran 1024×768, kartelë grafike 128 MB, sistem operativ Windows 10, Windows 8.1, kamerë me USB ose të laptopit, si dhe mikrofon dhe dëgjuese.

Karakteristikat e rekomanduara që duhet t’i ketë një pajisje elektronike e mësimdhënësit, sipas MASH janë: gjenerata e tetë i5 procesor, 1.6GHz, memorie 8 GB RAM, hard disk 240 GB SSD, ekran Full HD, kartelë grafike me 1 GB, sistem operativ Windows 10, kamerë të jashtme me Full HD ose të laptopit, si dhe mikrofon e dëgjuese me Wi-Fi ose Bluetooth.

Ndryshe, Viti i ri shkollor 2020-21 do të zhvillohet përmes Platformës Nacionale për mësim online e cila u prezantua më 18 shtator në Qeveri. 30 mësimdhënësit (trajnuesit nacional) e trajnuar për përdorimin e Platformës për mësim në distancë, gjatë javës (16-18 shtator) trajnuan mbi një mijë mësimdhënës tjerë (trajnues shkollor) nga shkolla të ndryshme. Trajnuesit shkollor, njohuritë e tyre të fituara do t’i shpërndajnë te të gjithë mësimdhënësit e shkollës duke filluar prej nesër e deri më 23 shtator, ashtu që prej 25 shtatorit deri më 28 shtator do të realizohet testimi i Platformës në gjithë shkollat e vendit.

MASH raportoi se 113 shkolla fillore kanë kërkuar mbajtjen e mësimit me prani fizike. Prej 113-të shkollave, 79 janë fillore dhe 34 të mesme. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë.

Gjatë javës së kaluar nxënësit e shkollave të mesme protestuan kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online. Ata në protestë theksuan se do të ketë bojkot e protesta tjera, nëse nuk do të kemi mësim të kombinuar.

Vendimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close