Kryeministri Hoti pret të hënën delegacionin amerikan, mes tyre dhe Richard Grenell

Kryeministri Avdulla Hoti do të presë ditën e hënë delegacionin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajon, transmeton EN.

Hoti do të presë kryesuesin e delegacionit, Adam Boehler, i cili është njëherësh edhe drejtues i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim (DFC) si dhe ambasadorin Richard Grenell, ky njëherësh edhe i dërguar i posaçëm i Presidentit Donald Trump për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Pjesë e delegacionit do të jetë edhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të departamentit të Energjisë dhe Tregtisë së SHBA-së.

Disa orë më vonë Kryeministri Avdullah Hoti e konfirmoi takimin përmes një postimi në Twitter.

Ai tha se do të priste me kënaqësi ambasadorin Grenell, drejtuesin e DFC-së Adam Boehler, duke nënvizuar se kjo do të vinte si rrjedhojë e zhvillimeve nga Shtëpia e Bardhë për “normalizimin ekonomik” dakordësuar në Shtetet e Bashkuara.

Vizita e delegacionit amerikan vjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit arritur mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe marrëveshjeve të tjera që ka arritur Izraeli me vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni.

Në politikën e brendshme, marrëveshja i ka sjellë qeverisë së kryesuar nga Hoti mjaft kontestime sidomos nga ana e opozitës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button