“Bukuroshja” -Gjonovicë, Gostivar, kjo shpellë madhështore, sa afër, por sa larg

Të joshur nga oferta e anëtarit të STEP, Speleo Klub Korabi, vendosëm të pranojmë sfidën e ofruar, dhe nga Tetova të udhëtojmë drejt Gostivarit, së bashku me anëtarët e STEP nga Tetova, Hajrullahun, pronar i Hotel Scardus, dhe Sadikun, lider i Brendit Peaktrip, të shoqatës Procivic, duke mos ditur se çka në realitet na pret. Gjithçka që kishim dëgjuar ishte, shpellë mistike, lakuriqë, ujëra nëntokësorë dhe adrenalinë.

Vendtakimi në restorant Relax, buzë lumit Vardar, që për çudi, në këtë kohë të fundverës, me një fuqi mahnitëse të vëllimit dhe shpejtësisë së ujit, sikur na bën me dije se aventura veç sa nuk ka filluar.

Takojmë nikoqirët, Jetonin dhe Arianitin, dhe kompletohemi me grupin, Fatimen dhe Xhihanën, entuziaste dhe dashamirëse të natyrës, që në një farë mënyre  hulumtimi i materialeve të shpellave i lidh edhe me profesionin.

Rruga nga jeta urbane tek natyra e virgjër

Pa humbur kohë lamë Gostivarin dhe futemi në rrugët rajonale për në Sërmnovë e Gjonovicë, një rrugë përplot imazhe me kolorit të theksuar gjelbrimi malor, që ta bën të shkurtër arritjen në cakun përfundimtar….dhe pas nja 25 minuta rrugë në pjesë të asfaltuar dhe një copëz rruge me tokë të shtypur, na shfaqet tabela me informatë për shpellën dhe një pushimore, që si duket na bën me dije, se pas vizitës do na duket atraktive për të pushuar.

Nikoqirët  kanë bërë gjithçka për të bërë sa më të lehtë guidën dhe na japin rrobat dhe pajisjet e posaçme, të nevojshme për të hulumtuar sa më lehtë shpellën.

Pasi të gjithë jemi të gatshëm për hapin e ardhshëm, ecim nja 30-40 metra në një terren me shkallë të improvizuara natyrore, dhe për një moment shfaqet…..porta natyrore, që pret vizitorët e radhës për t’i mahnitur me fshehtësitë që gjenden brenda saj.

Fillimi i aventurës

Grumbullohemi para portës natyrore dhe bëjmë përgatitjet e fundit para se të fillojmë eksplorimin e asaj që për ne është ende mistike, e panjohur, por në të njëjtën kohë edhe aq e afërt dhe tërheqëse, thuajse kemi qenë shumë herë para kësaj porte të Sezamit. Arianiti me përkushtim na i tregon të gjitha informatat bazë, që duhet të dijmë për rrugëtimin brenda, si dhe instruksione praktike për lëvizje në hapësirë të ngushtë.

Brenda, që në hyrje, na presin dy lloje të lakuriqëve, të cilët të shqetësuar nga ndriçimi i llampave elektrike, fluturojnë në vende më të sigurta. Aty shohim dhoma të ndara, secila me historinë e vet të veçantë, njëra pas tjetrës. Dikush e ka marrë me seriozitet se kjo është shpella e Ali Babës dhe mund të  shihen gjurmët e kërkimit të thesareve, dëm ky i pariparueshëm për autenticitetin e shpellës.

Hyrja  në shtegun kryesor është sfidë në vete, një e çarë,që për momentin mendova se do mbes i ngujuar në dysh. Për çudi kalova me lehtësi, dhe i them grupit, se më mos i kufizoni turistët, pasi kalova unë me këtë madhësi, të gjithë do e kalojnë. Temperatura sa vjen e bie, një freski që kalon edhe në të ftohtë, ndërsa shtegu, të shumtën e ecjes është i mbuluar me ujë, që na i lag këmbët, e na bën ta ndiejmë edhe më shumë vrazhdësinë e natyrës, që tenton ta mbrojë veten, nga elementet e huaj, që mund të sjellin shkatërrimin e saj.

Jo, këtu nuk ka ecje vertikale, si në shpellat komerciale, por shpesh herë duhet ecur tërësisht i përkulur, për të kaluar nga një segment në tjetrin, e që për secilin, guidat kanë nga një tregim, duke na e bërë më të lehtë shtegtimin.

Diku ka fundi, jepet instruksioni që t’i fikim bateritë ndriçuese, dhe nuk bëzajmë për një minutë! Errësirë apsolute, nga pak drithëruese, ndërkohë që dëgjohet një shushurimë e rëndë, thuajse çdo moment do na afrohet treni imagjinar, që posa ka hyrë në tunel.

I ndezim dritat, dhe mbrijmë në fund të rrugëtimit, një nga një, duke përjetësuar momentet e paharruara në fotografi, dhe……për një moment mbetemi pa tekst. Kulçedra e shpellës nxjerr nga goja, flakët,… jo , jo, nxjerr ujin e pastër nëntokësor , që shkakton një ujvarë mahnitëse, dhe një atrakcion që nuk ka çmim. Aty lartë , stalaktitet kanë krijuar zemrën e shpellës, thuajse e dëgjojmë të troket orë e çast. Bëjmë fotot e fundit, lëshohemi me litar, dhe lagemi në çdo cep të trupit, sikur duam që ta shfrytëzojmë në maksimum këtë turë.

Vazhdojmë me shpejtësi për të arritur në dalje të shpellës, pasi misioni arriti atë që kishte për qëllim – Një pasdite shumë më ndryshe nga ato të zakonshmet!

Jashtë veç sa nuk ka filluar të errësohet, ndërsa era e lehtë që fryen, na duket si erë tropikale, nga ndryshimi drastik i temperaturave brenda disa dhjetra metrave.

Ndërrojmë rrobat e lagura , me ato rezervë dhe vazhdojmë me programin.

Ndarja e çertifikatës në natyrë

A ka vend më të mirë për Klubin, se sa ta pranojë në natyrë, Çertifikatën e konformitetit, nga rrjeti STEP? “EU me ju” – është motoja e Bashkimit Evropian, për të gjitha përkrahjet që ofron këtu tek ne, e kjo vërehet edhe nga Pllakati ku edhe ndamë çertifikatën .

Vazhdojmë pjesën jo formale të shujtës së rastit, që na kishin përgatitur nikoqirët, duke kompensuar ato kalori që harxhuam brenda.

Vazhdojmë rrugës për “civilizim” në errësirë , duke komentuar mbresat e sapokrijuara  dhe faktin që pse nuk kemi ardhur më herët…Bukuroshja, kjo shpellë madhështore, sa afër, por sa larg për ata që nuk e dinë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button