LUMJA

Lumja është ulur në fund të shkallëve dhe e ka mbështetur ballin në të dy duart, të cilat me bërryla mbështeten në gjunjtë e saj. Një cep shamie që e ka mbi kokë ia lëviz era, thuajse luan me të. Gjyshja që ecën nëpër çardak pas punëve të përditshme, e thërret: Oj Lume, hajde bijë lartë. Lumja e dëgjon, por nuk përgjigjet. Një kumri këndon para mashnës, sigurisht e nginjur, ngase gjyshi nuk lejon asnjë kokërr drithi e asnjë thërrmijë të hidhet sepse, thotë, thërrmija e kokrrat që s’i mbledh fshesa në oborr janë nafakë e zogjve. Një kumri tjetër afohet pranë saj. Edhe ajo sqepon me ngut. Pastaj, ja edhe një sorrë, edhe një tjetër. I sqepojnë me shpejtësi kokrrat e grurit që kanë mbetur në lëmë. Pëllumbat largohen e kërkojnë ndonjë vend tjetër. Të butë duken pëllumbat, po nuk dorëzohen aq lehtë para sorrave. Një korb fluturon mbi oborr. Sorrat nguten, nga droja se mund të vijnë korbat. Pëllumbat ikin përnjëherë. Më në fund korbi nga lartë e zbulon thesin me arra të mbetur hapur e të mbështetur për shtyllën e jashtme të hajatit të mashnës që Lumja e ka përpara. E merr një kokërr arre. Ngrihet lart me frytin. Pastaj e lëshon mbi shkëmbin që është midis lëmës dhe kopshtit. Eh, i madhi zot, thotë gjyshja që shikon nga çardaku, ec e thuaj se shpeza nuk di. Po të mos kishte ditur as që do t’i afrohej arrës. Po ajo e di mirë se brenda lëvozhgës së arrës fshihet fryti i saj i shijshëm. Pastaj e di mirë se lëvozhga është shumë e fortë dhe se nuk mund ta thyejë as me sqep e as me kthetra. Po ajo që po më habit, mendon gjyshja, është se ku e di ajo se kur lëshohet arra prej lartësie thyhet dhe fryti i lezeçëm bëhet i kapshëm e mund të gostitet? Dhe në atë çast kokrra e arrës kërcet e thyhet mbi shkëmb e korbi lëshohet poshtë. E mbledh bereqetin e vet, që e ka merituar dhe gostitet. Zot i madh, përsërit gjyshja dhe i kujtohet Lumja që rri në fund të shkallëve. Afrohet gjyshja në krye të shkallëve.

Lume, moj bijë, eja me gjyshen të flasim. Lumja qan. Dhe, gjyshja e dëgjon. Ti më qake, moj bijë! i thotë gjyshja me të mirë. I dhembset e mbesa se asaj i ka vdekur nëna dhe e ka lënë dy vjeç. Gjyshja e ka rritur me dy duart e veta dhe me dashuri të madhe. Lumja nuk pushon së qari. Gjyshja zbret ulet pranë saj, ia hedh krahun rreth qafe, me dorën tjetër ia heq duart në të cilat vajza e ka mbështetur ballin. Çka ke, ti xhani i gjyshes, që po më qan kështu?

A mos të foli kush diçka?

Jo…

Po atëherë?

Nuk shkoj për Tushin e Zemës!

Kush ta përmendi ty Tushin e Zemës?Në oborr përsëri mblidhen pëllumbat. Kurse në degë të manit dëgjohet kënga e harabelave.

Au gjyshe!… thotë Lumja duke qarë. Krejt katundi flasin se gjyshi i ka premtuar Zemës se do të më japë mua për të birin e tij, Tushin.

Hë, moj bijë, e ngushëllon gjyshja, po ata janë derë e madhe. I kanë hambarët plot, kanë pesëdhjetë copa dhen… Tamël e tëlyen, djathë e kos – sa të duash! Gjyshja vetëm dëshiron ta qetësojë Lumen, jo se i pëlqen ky lajm. As gjyshja s’do ta jepte Lumen për Tushin e Zemës.

Lumja qetësohet. I vjen keq prej gjyshes të cilën aq shumë e do.  I fshin lotë me mëngët e këmishës dhe e pëqafon gjyshen, pastj i thotë:

Nuk martohem me dash moj gjyshe… ç’më duhen mua hambarët, s’më duhet as tëlyeni e kosi, kur s’e kam në zemër e për zemre burrin. Më mirë bukë e kripë do të ha, po të jem pranë atij që e dua.

Mos moj bijë, i thotë gjyshja, se një vajzë si ti e derës së madhe nuk flet ashtu. Gjyshi ta do të mirën që dashka të të japë ty atjem thotë gjyshja dhe i mbushen sytë me lot.

Oj gjyshe, o xhan, o shpirt, gjyshi ma do të mirën, thotë Lumja, por unë nuk e dua Tushin e Zemës. Nuk e dua!

Fryn një erë atëherë, mjaft e fortë. Zogjtë shpërndahen. Degët e manit të madh luhaten andej e këndej. Lotët e Lumes kanë bërë do vija fytyrë dhe rrokullisen nëpër ato faqe të kuqe si molla pikat e lotëve si kokrra kristali. Gjyshja e merr për krahu Lumen dhe bën hooop, e çon, pastaj shton, hajde se do të bjerë shi. Shiko si rrotullohen retë e zeza dhe si ikën shpezët të strehohen. Të strehohemi edhe ne. Futen në dhomën e ndejes. Gjyshja e nxjerr një kokërr mollë nga dollapi i gjyshit dhe ia jep. Merre, bija ime! Dhe, qetësohu! thotë gjyshja e shqetësuar, e cila nuk di gjë për këtë mesele. Dhe, habitet si e ka anashkaluar kështu i shoqi, me të cilin kanë jetuar aq mirë me dhjeta vjet.

Pastaj hapet dera e dhomës. Futet gjyshi brenda. I lagur qull nga shiu. Pastaj del t’i ndërrojë teshat. Pas tij del edhe gjyshja. Lumes përsëri sytë i shndërrohen në dy burime lotësh. Pastaj hyjnë gjyshi e gjyshja në dhomë. Gjyshi, edhe ky i shqetësuar, e pyet mbesën.

Lume kush të paska thënë ty se unë të paskam dhënë për Tushin e Zemës? Lumja s’ka fuqi t’i përgjigjet nga turpi dhe nga sikleti e dhembja.

Po flasin bota… i përgjigjet gjyshja.

Jo bre bija ime, s’të jep gjyshi ty aty ku s’do ti.

Lumja i hidhet në përqafim gjyshit dhe qan.

Gjyshja e mallëngjyer e shikon këtë skenë. Ajo do të kishte dashur tash të fluturojë si kumritë nga gëzimi.

Gjyshi ia përkëdhel flokët Lumes. Qetësohu bija ime! Zogëza e gjyshit!

Nga larg  dëgjohen qentë e rrugës që lehin. Po kjo zhurmë shkon e zbehet.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button