RMV, Nesër fillojnë trajnimet per gjithë mësimdhënësit për shfrytëzimin e Platformës per mesimin online

Në Maqedoninë e Veriut 30 mësimdhënësit (trajnuesit nacional) e trajnuar për përdorimin e Platformës për mësim në distancë, gjatë javës (16-18 shtator) trajnuan mbi një mijë mësimdhënës tjerë (trajnues shkollor) nga shkolla të ndryshme. Trajnuesit shkollor, njohuritë e tyre të fituara do t’i shpërndajnë te të gjithë mësimdhënësit e shkollës duke filluar prej nesër e deri më 23 shtator, transmeton Portalb.mk.

“Rekomandimet nga Ministria e arsimit dhe shkencës për mënyrën dhe dinamikën e zhvillimit të trajnimit në nivel të shkollës, tashmë janë të dorëzuara deri të drejtorët e shkollave”, duke sqaruar se shkollat do të vendosin se si do ta mbajnë trajnimin.

Ministria sqaroi se qëllimi i trajnimeve është që testimi i Platformës të bëhet më 23 dhe 24 shtator në pilot shkollat, ndërsa prej 25 shtatorit deri më 28 shtator të realizohet testimi i Platformës në gjithë shkollat e vendit.

“Gjithë udhëzimet do të jenë të vendosura në faqen kryesore të platformës www.schools.mk, më së voni deri të hënën (21.09.2020). Në këtë mënyrë do të sigurohet qasje deri të udhëzuesit për gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit, si dhe për gjithë palët në sistemin arsimit”, njoftojnë nga Ministria e arsimit dhe shkencës.

MASH-i sqaron se faqja kryesore do të jetë vazhdimisht e plotësuar me përmbajtje, ndërsa Emrat dhe Fjalëkalimet tashmë janë krijuar dhe shpërndarë nëpër shkolla.

“Do të dorëzohen në adresën elektronike të shkollës dhe në adresën elektronike të drejtorëve gjatë fundjavës (19-20.09.2020), ndërsa pastaj duhet të shpërndahen te të gjithë mësimdhënësit, para fillimit të trajnimit”, sqarojnë nga ministria.

Ndryshe, Viti i ri shkollor 2020-21 do të zhvillohet përmes Platformës Nacionale për mësim online e cila u prezantua më 18 shtator në Qeveri. Nëpërmjet kësaj platforme, nxënësi përmes telefonit apo kompjuterit mund ta sheh klasën dhe mësimdhënësit dhe do të mund t’i shfrytëzojë të gjitha materialet audio dhe video të vendosura në platformë.

MASH raportoi se 113 shkolla fillore kanë kërkuar mbajtjen e mësimit me prani fizike. Prej 113-të shkollave, 79 janë fillore dhe 34 të mesme. Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë.

Gjatë javës së kaluar nxënësit e shkollave të mesme protestuan kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online. Ata në protestë theksuan se do të ketë bojkot e protesta tjera, nëse nuk do të kemi mësim të kombinuar.

Vendimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button