RMV, blerja e punimeve të diplomës dhe masterit – janë të njohur shitësit, nuk ka kush t’i dënojë apo parandalojë

Mbi 13.413 shpallje për shit-blerje të tezave të magjistraturës dhe baçelorit janë aktive aktualisht në një nga faqet që merret me tregti në Maqedoninë e Veriut, çmimet dallojnë varësisht prej kërkesës, edhe atë deri në 500 euro, e në qoftë se je me fat, magjistër i shkencave mund të bëhesh për vetëm 150 euro. Asnjë nga këto mijëra shpallje nuk i ka rënë në sy inspektorëve të Arsimit në vend, një gjë e tillë nuk rregullohet as me ligjet pozitive në vend ndërkaq shoqëria civile dhe njohësit e Arsimit, alarmojnë se kjo situatë mund të na çoje deri në degradimin total të arsimit në vend, shkruan Portalb.mk.

Foto screenshot nga vendi ku shiten tezat e magjistraturës.
Foto screenshot nga vendi ku shiten tezat e magjistraturës.

Korrupsion akademik, treg jo i ligjshëm që merret me shit blerje, mashtrim akademik, dhe shumë vepra tjera janë sinonim i problematikës të cilën e kemi hulumtuar tash disa muaj, e që pikërisht ka të bëje me shit-blerjen e tezave të baçelorit dhe magjistraturës nga ana e disa studentëve dhe tani më të diplomuarve, të cilët, këtë punë tanimë e bëjnë me orar të plotë për shkak se fitimet, nuk janë të vogla ndërkaq askush nuk po ua zë rrugën e ti ndaloj në kryerjen e kësaj vepre.

Në botën e tregut është një parim nga më kryesorit, i cili thotë se kur kërkesa është e lartë, edhe oferta duhet të jetë e tillë, ndërkaq ofertat për blerje të punimeve të diplomës nuk janë aspak të vogla, madje ky “produkt” mund të gjendet fare lehtë, me disa klikime në faqet e internetit të cilat merren kryesisht me shit-blerjen e gjësendeve.

Çmimet për një punim të diplomës.
Çmimet për një punim të diplomës.

Çfarë thonë shitësit e punimeve diplomike?

Me kusht që të ngelet anonim, Portalb.mk arriti të kontaktoje me një nga personat që ishte i kyçur në këtë treg ilegal të shit blerjes të punimeve të diplomës, pranoi të na informoje më shumë në lidhje me punën që ai me një grup tjetër studentësh bëjnë.

“Ka 4 vite që e bëj këtë punë së bashku me një grup tjetër studentësh, punojmë si grup dhe secili prej nesh e ka fakultetin e vet që e mbron, dikush në ekonomi, dikush në marketin apo fakultete tjera siç është psikologjia, gazetaria e kështu me radhë. Marrë parasysh se kjo punë kërkon shumë mund, nuk jemi të kënaqur nga profiti, nuk mund të thuhet se fitojmë shumë” tha njëri nga shitësit e punimeve të diplomës.

“Nuk e di a janë të njoftuar profesorët apo anëtarët e komisionit për këtë. Megjithatë, ata duhet ta kuptojnë se jetojmë në një shoqëri të shpejtë ku nuk na lehet hapësirë gjithçka të punojmë vetë” shtoi ai.

Përveç çmimeve, në asgjë tjetër nuk dallonin shitësit e tezave të magjistraturës, të njëjtit pohuan se “profesorëve nuk ju intereson a ke punuar vetë temën, ata vetëm dëshirojnë të ju heqin prej fytyre”.

Foto screenshot nga biseda me një nga shitësit e punimeve të diplomës.
Foto screenshot nga biseda me një nga shitësit e punimeve të diplomës.

A janë të njoftuar Universitetet e pollogut për këtë fenomen?

Universitetet në Maqedoninë e Veriut në rregulloret e tyre nuk e kanë të paraparë këtë vepër si mashtrim akademik të veçante, edhe pse në këtë rregullore dënohet plagjiatura, nuk parashihet prezantimi i punës së dikujt tjetër si tënden.

Deklaratë nga Universiteti i Evropës Juglindore me seli në Tetovë dhe Shkup.

“Lidhur me fenomenin e shitblerjes së punimeve të magjistraturës, në UEJL, zyrtarisht nuk kemi asnjë informacion nga institucionet përkatëse, të cilët janë krijuar për të mbikëqyrur cilësinë e mësimdhënies dhe dokumentacionit të kualifikimeve në arsimin e lartë dhe në këtë rast përgjegjës është Inspektorati i Arsimit i RMV-së. Nëse ky fenomen vërtetohet zyrtarisht, mendojmë se duhet të alarmohen të gjitha institucionet që e ndjekin cilësinë e arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut. Universitetet duhet t’i denoncojnë rastet e tilla, kurse institucionet shtetërore të ndërmarrin masat konkrete për parandalimin e këtij fenomeni mjaft të dëmshëm për arsimin dhe shoqërinë në përgjithësi” thanë nga Universiteti i Evropës Juglindore, duke potencuar se në Universitetin e tyre, nuk ka pasur asnjë rast të tillë.

Deklaratë nga Universiteti “Nëna Tereza” me seli në Shkup.

“Po jemi të vetëdijshëm se ky fenomen ekziston, sepse i njejti është bërë publik në faqet për shitblerje por edhe në rrjetet sociale. Mendojmë se meqë lajmërimet për këtë punë të pandershme po propagohen publikisht në faqe me adresë të njohur  duhet që para organeve kompetente të paraqiten këto lloj inkriminime dhe promovimi i faqeve të tilla promovuse të ndalohet, respektivisht kushdo që e bën të dënohet nga organet kompetente. Nuk mund ta kuptojmë se si deri më tani nuk është reaguar në vijë zyrtare, kur shqetësimi tani më është i një niveli të lartë me rrezikshmëri publike” deklaruan nga Universiteti “Nëna Tereza” me seli në Shkup.

Edhe pse tentuam disa herë, nga Universiteti i Tetovës nuk deshën të japin qëndrimin e tyre në lidhje me këtë temë.

Ku qëndron faji?

Edhe pse ky mashtrim akademik ekziston tash disa vite, shumë profesorë vazhdojnë të mbajnë sytë mbyllur dhe të mos e kuptojnë kur studentët e tyre realisht nuk janë autorë të asaj që prezantojnë. Për këtë, inspektori shumëvjear i Arsimit, Predrag Ilieski thotë se faji qëndron te profesorët.

“Sa i përket shfaqjes së kësaj dukurie, mendoj se mund të anashkalohet në qoftë se vendoset një sistem elektronik i verifikimin e dijes së studentëve gjatë studimeve, si dhe verifikimi i profesionalizmit dhe i asaj se sa kompetent janë para punësimit të të njëjtëve, sidomos në qoftë se të njëjtit punësohet në institucionet e sistemit. Unë personalisht nuk kam pasur përvojë të tillë përmes inspektimit  të tezave të magjistraturës” deklaroi për Portalb.mk Predrag Ilieski, inspektor.

Disa profesorë mentorojnë 10 studentë në vit, të tjerët 0

Ndërkaq, një ndër arsyet se pse profesorët jo gjithmonë, për të mos thënë asnjëherë, i dallojnë studentët kur temat të cilat ata i prezantojnë nuk janë punë e tyre, është se disa profesorë përkundër punëve të tjera në Universitet, gjatë 1 viti mentorojnë deri në  10 studentë kurse kolegët e tyre, nga 1 studentë apo aspak.

Kjo ndarje e pa drejtë e cila mund të sjelle deri në diplomimin e studentëve në formë jo meritore, për shkak të kohës së kufizuar të profesorit që të merret personalisht me studentin, shihet qartë në Fakultetin JuridikUniversitetit të Tetovës.

Portalb.mk arriti të siguroje listën e profesorëve që kanë mentoru studentët në Fakultetin Juridik dhe Ekonomik të Universitetit të Tetovës.

Lista e profesorëve të fakultetit juridik që kanë mentoruar studentë gjatë vitit 2018 dhe 2019.
Lista e profesorëve të fakultetit juridik që kanë mentoruar studentë gjatë vitit 2018 dhe 2019.

Ndarja në formë jo proporcionale e numrit të studentëve të cilët do ti mentorojnë profesorët gjatë një viti vërehet qartë edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Tetovës, për gjatë tre viteve të fundit, një profesor ka mentoruar gjithsej 16 studentë, ndërkaq pjesa më e madhe e kolegëve të tij nuk kanë mentoruar asnjë apo vetëm 1.

Lista e profesorëve të Fakultetit Ekonomik që kanë mentoruar studentë gjatë vitit 2018, 2019, 2020.
Lista e profesorëve të Fakultetit Ekonomik që kanë mentoruar studentë gjatë vitit 2018, 2019, 2020.

Ilir Memedi nga Byroja Për Zhvillim të Arsimit konfirmoi ekzistencën e këtij fenomeni, ai potencoi se ka të bëje me cilësië e arsimit, në secilin nivel.

“Do isha jo i sinqertë të them se nuk jam i njoftuar ose se një gjë e tillë nuk ekziston. Me keqardhje nuk mund të jap shembuj konkret ose përvoja konkrete në këtë drejtim ndërkaq se ekziston një dukuri e tillë është më shumë se e dukshme aq më tepër kur shohim se si në raste të caktuara “vërviten “ tema të njëjta të punuara disa herë dhe të miklosura në titujt e tezave duke i ndryshuar ato dhe vetëm ato dmth titujt. E gjithë kjo ndonëse bëhet e mundur që në përzgjedhje të tezës në të cilën dosido duhet të jetë faktor vetë mentori I kandidatit ( e ka detyrim profesional). Në këso raste student- kandidati lihet i lirë të përzgjedh temën dhe si rrjedhojë ai fillon të notojë për të gjetur “peshkun e nxënë” gatshëm” theksoi Ilir Memedi nga Byroja për Zhvillim të Arsimit.

Ilir Memedi, i punësuar në Byronë për Zhvillim të Arsimit dhe njohës i Arsimit në vend.
Ilir Memedi, i punësuar në Byronë për Zhvillim të Arsimit dhe njohës i Arsimit në vend.

Ai shtoi se “Ky fenomen vjen si pasojë e asaj çka ju servohet studentëve nga ciklet paraprake. Për fat të keq kjo dukuni brumoset shumë më herët në nivele paraprake arsimore siç është ai i mesëm dhe niveli i ciklit të parë. Në programet studimore respektivisht kriteret për vlerësimin e të arriturave veç tjerash janë të parashtruara edhe realizimi i punimeve seminarike dhe ai përfundimtarë – punim diplome. Punimet seminarike në të shumtën e rasteve jepen krejt formalisht dhe  të dedikuara që studentët të  “ orientohen” lehtazi  ti gjejnë të gatshme dmth të punuara ose argatin e gatshëm për t’I punuar ato kundrejt një shpërblimi.E kundërta e këtij veprimi do I aftësonte studentët që në këtë drejtim mos të vareshin nga “ndihma” anësore por me vetëbesim ta realizoninkëtë fazë e cila sigurisht do Ju shërbente si një përvojë për të sfiduar detyrat profesionale në tërrë karierën e tyre.  Momenti i përzgjedhjes së tyre e deri tek prezentimi dhe së fundmi vlerësimi i tyre kryesisht e merr trajtën formale. Pikërisht vlerësimi formal i tyre e përligj edhe realizimin formal të tyre. Pra, studentët në këtë rast janë më pak të fajshëm. Gjithsesi një trjatim më serioz i kësaj procedure I jep përvojë dhe krijon aftësitë kreative dhe kritike të studentit që detyrat në vijim ti realizojë me përkushtim dhe së fundmi me qasje origjinale autentike.  Pikërisht kjo formë e realizimit të seminareve e “udhëzon” studentin për detyrat e radhës dhe pse jo edhe për tezën e magjistraturës.

Dëmi që shkakton kjo dukuri është i pamatshëm në kontekstin e efekteve që prodhon ajo duke qenë se kjo dukuri bën të mundur përligjjen e një kuadri të pakompetencë i cili mëpastaj si i tillë do i shërbejë gjeneratave vijuese duke krijuar standarde “normale”.  Në kontekstin e cilësisë kjo ndonëse është e provuar disa vjet me radhë sidomos në peshoret  ndërkombëtare përmes rangimeve dhe testimeve Pissa Times etj. të cilat në fakt pasqyrojnë të arriturat e  nxënësve dhe rrjedhimisht cilësinë e tërë procesit arsimorë në të cilin nuk përjashtohet hisja e kudarit menaxhues dhe atij mëimdhënës në institucionet përkatëse. Në tërë këtë proces sdo mend se vrapi për të siguruar numër të studentëve pa kritere adekuate shërben si katalizatorë për intensifikimin e kësaj  kësaj dukurie në vazhdimësi” tha Ilir Memedi.

Nga Forumi Rinor Edukativ, të cilët kryesisht merren me problemet e Arsimit në RMV, konsiderojnë se ky fenomen është jashtëzakonisht shqetësues dhe mund të shkatërroje tërësisht perceptimin që të rinjtë kanë për arsimin e lartë.

Forumi Rinor Arsimor (FRA).
Forumi Rinor Arsimor (FRA).

“Jemi dëshmitarë të shumë grupeve të hapura dhe reklamave të paguara në rrjetet sociale që ofrojnë shkrime të punimeve akademike në tema dhe fusha të ndryshme, dhe në të njëjtën kohë institucionet kompetente nuk bëjnë pothuajse asgjë”, deklaruan nga Forumi Rinor Arsimor (FRA).

“Nëse parashtrojmë pyetjen se cilët aktorë duhet të fajësohen për këtë fenomen, atëherë do duhet të mendojmë më gjerë, duke filluar me institucionet arsimore nga vijnë kërkuesit e këtyre  shërbimeve, por edhe mungesa e një komisioni efektiv, përdorimi i programeve dhe qasjeve për njohje të teksteve dhe zbulim të përmbajtjeve të “vjedhura”.

Kështu, përgjegjësia qëndron në shumë vende, tek studentët që blejnë punime akademike, tek ata që përgatisin punimet, por kryesisht tek profesorët dhe fakultetet që nuk kushtojnë vëmendje të mjaftueshme përcaktimit të pronësisë së punimeve akademike që vlerësojnë” thanë nga FRA.

Sipas tyre, “kjo dukuri mund të parandalohet nëpërmjet dy metodave, edhe atë 1) edukim dhe 2) angazhimi më i madh i institucioneve kompetente. Gjegjësisht, në aspektin e edukimit është e rëndësishme t’u shpjegohet studentëve pse krijimi personal i punës me shkrim është i rëndësishëm për suksesin e tyre akademik, por gjithashtu edhe në përgjithësi se cila është rëndësia e krijimit të punimeve në komunitetin akademik dhe si ndikon në zhvillimin e tyre profesional dhe personal.

Metoda e dytë është përmes angazhimit më të madh të institucioneve kompetente (MASh-i, Universitetet, Fakultetet) në “gjueti” të këtyre shërbimeve që u ofrohen studentëve dhe ndëshkim i shpejtë i plagjiaturave. Fatkeqësisht, derisa të vendoset një shembull ku plagjiatura është një krim që ndëshkohet dhe shkakton më shumë dëm sesa dobi, do të jetë një opsion që shumë studentë do të zgjedhin në vend që të përmbushin përgjegjësitë e tyre” thanë nga Forumi Rinor Arsimor.

Ndryshe, numri i studentëve të cilët shfaqin interes për të regjistruar ciklin e dytë dhe atyre të cilët diplomojnë është rritur dukshëm në Maqedoninë e Veriut, sipas Entit Shtetërorë për Statistika, në vitin 2009 kanë marrë titullin magjistër 412 persona ndërkaq në vitin 2019 gjithsej 1736 persona.

Përgatitja e kësaj storje hulumtuese mbështetet nga Nisma për demokraci në Ballkanin perëndimor, një program i Fondacionit Westminster për demokraci. Përmbajtja e kësaj storje hulumtuese nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet ose qëndrimet e Fondacionit Westminster për demokraci ose të Qeverisë Britanike.

Organizatat të cilat kanë financuar këtë storje investigative.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button