E dimë se çfarë po bëjmë, i kemi linjat e kuqe të mbrojtjes së interesave kombëtare, tha Osmani për memorandumin bullgar

Ministri i punëve të jashtme Bujar Osmani thotë se kanë strategji dhe se e dinë çfarë po bëjnë, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari në lidhje me memorandumin bullgar për vendet anëtare të BE, me të cilën Bullgaria njofton se mund të bllokojë integrimin e Maqedonisë në BE. Osmani, në konferencën për shtyp që paraqiti misionin e ministrisë së tij për katër vitet e ardhshme, tha se do të mbrojë me forcë interesat kombëtare dhe shtetërore, njofton Portalb.mk.

“Kemi strategji, e dimë se çfarë po bëjmë. I kemi linjat e kuqe të mbrojtjes së interesave tona kombëtare dhe shtetërore dhe unë qëndroj i vendosur në mbrojtje të këtyre interesave. Jini të bindur se me mençuri kemi arritur një vendim për të filluar negociatat dhe kështu do t’i fillojmë negociatat”, tha Osmani.

Lidhur me memorandumin bullgar, ai tha se del jashtë nga Marrëveshja e fqinjësisë së mirë.

“Mund të shpreh keqardhje, sepse del jashtë parimeve mbi të cilat bazohet Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, e cila synonte pikërisht krijimin e një kornize dhe instrumente për të kapërcyer ndryshimet që ekzistojnë midis dy vendeve, për të ndarë çështjet politike nga ato historike. Nuk duhet t’i jepet përparësi njërës mbi tjetrën, por për sa kohë që janë të ndërthurura, nuk mund të ketë sukses në asnjë nga dy trajektoret”, thotë Osmani.

Siç tha ai, çështja e karakteristikave të identitetit burojnë nga e drejta e popujve për vetë-shprehje dhe vetëvendosje dhe ato nuk janë pjesë e mosmarrëveshjeve bilaterale.

“Çështja e figurave historike është sepse ata nuk mund të deklarojnë vetveten dhe kjo është arsyeja pse historianët dhe shkencëtarët duhet të ulen dhe të gjejnë dokumente historike në lidhje me atributet e tyre të identitetit. Për çështjen e gjuhës dhe karakteristikave të tjera të identitetit, është një e drejtë moderne për vetëvendosje që askush nuk e konteston”, tha ministri i jashtëm.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button