“Marrëveshja e Uashingtonit”, dominimi ekonomik dhe ndikimi në Maqedoninë e Veriut

Pas marrëveshjes së ‘Normalizimit Ekonomik’ të nënshkruar nga Serbia dhe Kosova në Uashington, zyrtarë të lartë amerikanë nga “EximBankUS” dhe “DFC”-ja, kanë nënshkruar një kontratë me palën serbe dhe kosovare për të ndihmuar financimin e ndërtimit të “Autostradës së Paqes”. Më shumë “DFC”-ja, në partneritet me “EXIM”, do të bëhen pjesë e procesit paqësor që administrata aktuale amerikane e ka nisur në Ballkan. Procesi paqësor për normalizimin e raporteve në mes Prishtinës dhe Beogradit, është fokusuar në zhvillim ekonomik duke investuar në projekte që krijojnë vende pune siç thotë i dërguari special për Kosovën dhe Serbinë Riçard Grenell duke “sjellë përfitime të qëndrueshme ekonomike për të dy vendet”.

“Autostrada e Paqes” është një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimit ekonomik midis Beogradit dhe Prishtinës dhe unë e përgëzoj punën e Presidentit Donald Trump dhe të gjithë administratës mbi këtë marrëveshje historike,” tha Kimberly Reed nga “EximBankUS”.

Me “Marrëveshjen e Uashingtonit”, Kosova obligohet të bëhet pjesë e “Mini-Shengenit Ballkanik” me çka pala kosovare ka marrë një obligim që duhet ta përmbushë me SHBA-të. Në këtëdrejtim, Qeveria e Maqedonisë së Veriut (MV) nuk ka lëshuar ndonjë deklaratë për sa i përket impaktit rajonal të marrëveshjes së “Normalizimit Ekonomik”. Shkupi zyrtar pret që një marrëveshja serbo-kosovare të zgjedhë problemim historik, por gjithnjë duke u frikësuar nga shkëmbimet territoriale. “Marrëveshja e Uashingtonit” kryesisht ka për qëllim fuqizimin e Serbisë dhe hapjen e një perspektive ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor nën drejtimin e “Serbisë moderne”. Ky është koncepti klasik dhe realist i analizës së marrëdhënieve ndërkombëtare dhe situatës aktuale në Ballkan.

Megjithatë, një plan i tillë amerikan i ndërtuar shpejt, mund të ketë pasoja në zhvillimin e një çekuilibri në mes shteteve të rajonit bazuar në “Prodhim Bruto Kombëtar” (PBK) ose të GDP-së.

PPK-ja e Serbisë është më e madhja krahasuar me PBK-të e të gjitha vendeve të “Mini-Shengenit” me çka Beogradi me infrastrukturën e dikurshme jugosllave dhe tani amerikane që do të investohet në Serbi, i mundësohet një përparësi që shtetet tjera të jenë të varura nga politikat ekonomike të Serbisë. As duhet debatuar se pse Uashingtoni synon që Serbia të jetë bartëse e një projekti kaq të rëndësishëm dhe stategjik që do ta bëjë Serbinë fuqinë dominuese të shekullit në Ballkan.

Disa thonë se është ndikimi ruso-kinez që e shtyn Uashingtonin të tërheqë Serbinë nga orbita e ndikimit rus dhe kinez. Po siç shihet Serbia vazhdon me nënshkrimin e marrëveshjeve me Kinën dhe Rusinë, pavarësisht se çka është nënshkruar në Uashington DC.

Parë nga këndi i rritjes ekonomike, Serbia dhe Mali i Zi sipas Bankës Botërore, përkundër pandemisë pritet të kenë rritje ekonomike prej -2.5 deri në -4.5 % me çka hapen dyert e mëdha të Serbisë për të ‘gëlltitur’ ekonomitë tjera të Ballkanit.

Maqedonia e Veriut me marrëveshjen e re do të ketë përfitime të drejtëpërdrejta, pasi eksport-imorti do të bëhet shumë më lehtë se tani më Perëndimin dhe shtetet tjera të “Mini-Shengenit”. Heshtja e qeverisë maqedonase nuk është e rastit, me këtë Shkupi nuk dëshiron të deklarohet rreth aleancës se re tregtare dhe gjithnjë gjeopolitike në mes Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut. MV-ja ka një PBK-GDP prej 12 miliard dollarë amerikanë, ndërsa Serbia mbi 50 miliard, Kosova me një GDP prej 8 miliard dollarë, Shqipëria 15 miliard dollarë dhe Mali i Zi me 5.5 miliard dollarë.

Nëse “Marrëveshja Ekonomike e Uashingtonit” shihet nga këndi i rritjes ekonomike dhe PPK-së, vërehet se Serbia është lidere dhe do t’i shpartallojë ekonomitë kombëtare të ‘Shengenit Ballkanik” duke përfshirë këtu edhe të Maqedonisë së Veriut e cila ka një eskport të lartë të mallrave në Kosovë dhe Shqipëri.

Me këtë “globalizim ballkanik” të tregut kombëtar humbje më të mëdha ekonomike do të kenë Maqedonia e Veriut dhe Kosova, që do të detyrohen të lënë tregjet e hapura për mallrat serbe dhe të shteteve tjera. Si vende që nuk prodhojnë asgjë nga fusha ushtarake dhe e industrisë së rëndë, një treg i tillë do t’iu imponojë blerje masive të teknologjisë serbe e cila do të arrijë t’i sjellë në “Mini-Shengen” nga SHBA, BE dhe bota aziatike.

Për sa i përket infrastrukturës, Serbia do të modernizohet me dy hekurudha dhe “Autostradën e Paqës”, ku infrastruktura kritike serbe do të jetë bartësja kryesore e të gjitha projekteve ndërkombëtare. Qeveria e Maqedonisë së Veriut për të arritur qëllimet strategjike të hyrjes në Bashkimin Evropian ose qoftë të përshtatjes së rrugëve automobilistike dhe hekurudhave me të “Shengenit Ballkanik” do të detyrohet të investojë më shumë dhe t’i përfundojë të gjitha projektet e nisura drejt Republikës së Kosovës, si e vetmja rrugë për t’i mbijetuar sadopak ndikimit ekonomik serb dhe krijuar vetes një rrugë më të lehtë të shpërndarjes së mallrave maqedonase drejt tregjeve rajonale.

Pasi “Marrëveshja e Uashingtonit” e vë theksin tek zhvillimi ekonomik dhe jo tek simbolet siç thotë vetë i dërguari amerikan Riçard Grenell, korporatat amerikane nuk duhet të zbarkojnë vetëm në Beograd siç po bëhet tani me hapjen e Korporatës Ndërkombëtare të Financave të Zhvillimit të Shteteve të Bashkuara (DFC).

Një investim kaq i madh rajonal amerikan do të rigjallëronte një garë kombëtare në mes shteteve të anëtare të “Mini-Shengenit” me ritjen e emocioneve të vjetra tregtare të politikave të dikurshme ekonomike të Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene (SKS) e cila një shekull më parë ishte një union grabitqarë ndaj kombeve tjera të Ballkanit post- otoman.

Në këtë kuadër, qeveria e Maqedonisë së Veriut duhet urgjentisht të kriojë mekanizmat e përshtatshëm se si do të funksionojë në një union të tillë. Opisonet janë që aleancat përsëri të zhvillohen brenda këtij unioni ekonomik. Nuk është e qartë se sa do të varfërohen apo pasurohen Shqipëria dhe Kosova, që tashmë nuk janë ekonomi të integruara në mes veti dhe pa një rrjet të zhvilluar ekonomik nuk mund ta përballojnë ekonominë serbe.

Shkupi dhe Beogradi do të mund ta sundojnë unionin e ri ekonomik ballkanik, por gjthnjë duke krijuar rivalitet në mes shteteve edhe pse është menduar të jetë një treg i njëjtë dhe i barabartë për të gjitha shtetet.

Maqedonia e Veriut është deklaruar se do t’i bashkohet këtij projekti të dalë nga investitori më i madh global SHBA-të, por pasi identiteti kombëtar maqedonas çdoherë ka qenë çështje e debatueshme e shteteve fqinjë, ekonomia dhe tregu i fuqishëm serb do ta ‘gëlltisë’ tregun maqedonas dhe pas kësaj nacionalizmi ekonomik i Shkupit do të zhduket.

Globalizimi ekonomik në Ballkan me “Marrëveshjen e Uashingtonit” lë të hapur shumë dilema në kohën e rënies ekonomike dhe ikjes së popullatës nga Ballkani Perëndimor. Historikisht jo gjithherë Fuqitë e Mëdha kanë vepruar drejt dhe kanë mbajtur një baraspeshë në mes kombeve të pafuqishme dhe jo të barabarta.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button