Ekstradimi i Shimshek në Turqi, 9 eurodeputetë letër të hapur kryeministrit Edi Rama

Një grup eurodeputetësh i janë përgjigjur nismës së deputetes së Parlamentit Europian, Ramona Strugariu, duke i dërguar një letër kryeministrit Edi Rama për rastin e turkut Selami Shimshek, të cilit i është refuzuar e drejta për azil në Shqipëri, transmeton EN.

Këtë muaj, Komisioni për Azilin dhe Refugjatët i refuzoi Shimshek të drejtën për apel, duke lënë në fuqi vendimin e Drejtorisë së Azilit dhe Shtetësisë pranë Ministrisë së Brendshme, e cila vendosi që ai të dëbohet nga Shqipëria.

Ky rast është i ngjashëm me atë dëbimit të turkut tjetër Harun Çelik, i cili u ekstradua nga Shqipëria pa iu dhënë e drejta e apelimit. Më pas u raportua se Çelik u burgos në Turqi, i akuzuar si mbështetës i klerikut Fetullah Gylen.

Në letrën e tyre, 9 deputetët i bëjnë thirrje Ramës se Shimshek konsiderohet nga Ankaraja si anëtar i një organizate terroriste, për shkak se është pjesë e lëvizjes së Fetullah Gylenit, dhe se familja e tij ka shprehur shqetësimin se jeta dhe liria e tij mund të jenë në rrezik në Turqi.

Eurodeputetët kujtojnë se në mars të vitit 2020, Zyra e Komisionierit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka nisur hetimin e ekstradimit të Harun Çelikut, mësuesit turk që u ndalua bashkë me Shimshekun dhe që u dërgua në Stamboll në mënyrë të dyshimtë, ku u arrestua sapo zbriti.

Sipas eurodeputeëve, refuzimi i azilit i është bërë Shimshekut për shkak të një teknikaliteti, pasi nuk është apeluar brenda afatit prej 15 ditësh. Ata kërkojnë sqarime në lidhje me këto detaje dhe i kujtojnë Shqipërisë detyrimet ndërkombëtare që rrjedhin nga pjesëmarrja në Konventën e Gjenevës për Refugjatët, e nënshkruar në vitin 1951, e cila specifikon se një person nuk duhet të kthehet në një vend ku i kanoset jeta dhe liria.

Ata kujtojnë gjithashtu se respektimi i të drejtave të njeriut është një kusht për anëtarësimin në BE.

“PE ka qenë mbështetëse e fortë e Shqipërisë në përpjekjet për t’iu bashkuar BE-së, ndaj jemi tepër të shqetësuar për pasojat e rënda që mund të sjellë përsëritja e këtyre shkeljeve për rrugëtimin e Shqipërisë në BE”, thotë letra e nënshkruar nga nëntë eurodeputetët, kryesisht nga partia “Grupi i Rinovimit të Europës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button