RMV, kriza e Koronës e pengoi edhe realizimin Strategjisë për energjetikë deri në vitin 2040

Strategjia e fundit për zhvillimin e energjetikës deri në vitin 2040 do të presë momente më të mira ekonomike dhe politike për të filluar. Kriza me kovid, e cila i ka bllokuar rrjedhat ekonomike bashkë me zgjedhjet parlamentare, e kanë vonuar afatin e fundit për pranimin e një prej tre skenarëve të propozuar (në mënyrë referente, për tranzicion të moderuar dhe skenar të gjelbër). Afati i fundit kur qeveria është dashur të zgjedhë një nga skenarët dhe të miratojë Program për realizim në një periudhë prej 5 vjetësh, ishte korriku i këtij viti, gjashtë muaj pasi Strategjia u miratua në shkurt, njofton Portalb.mk.

Megjithëse është e pasigurt se kur do të zgjidhet skenari, të gjitha deklaratat e mëparshme nga zyrtarët qeveritarë kanë për qëllim pranimin e skenarit “të gjelbër”, i cili thekson investimet dhe ndërtimin e impianteve të energjisë së rinovueshme dhe braktisjen e qymyrit si burimi kryesor i energjisë, në të cilin bazohet prodhimi vendas i energjisë elektrike, për të mbrojtur mjedisin jetësor dhe ajrin.

“Duke pasur parasysh situatën me krizën e koronavirusit, disa nga aktivitetet janë prolonguar. Presim që deri në tremujorin e parë të vitit 2021, Programi do të kompletohet dhe do t’i propozohet Qeverisë për miratim. Ministria e ekonomisë ka negociuar me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për të siguruar grant fonde për përgatitje të Programit, ato tashmë janë aprovuar dhe ekipi është zgjedhur që do të punojë në këtë dokument”, tha për “Meta.mk” Fatmir Bitiqi, Zëvendës kryeministër për çështjet ekonomike dhe koordinim të resorëve ekonomike dhe investime.

Ai shton se Strategjia e fundit është e para e miratuar në vendet anëtare të Komunitetit për energjetikë e cila bazohet plotësisht në pesë shtyllat e BE-së në lidhje me energjinë dhe klimën (siguria, solidariteti dhe besimi, tregu energjetik plotësisht i integruar, aksion klimatik – dekarbonizimi i ekonomisë, hulumtimi , inovacioni dhe aftësia konkurruese).

“Analizat kanë treguar se skenari “i gjelbër” kërkon investimet më të mëdha. Por në planin afatgjatë, përfitimet më të mëdha janë pikërisht nga ky skenar, si nga pikëpamja ekonomike, ashtu edhe nga pikëpamja e zvogëlimit të emetimeve të gazeve serë dhe ndotjes lokale”, thotë Bitiqi.

Sipas përllogaritjeve në Strategji, si rezultat i skenarit “të gjelbër”, mund të krijohen të paktën 6,000 vende pune në vend, pa i llogaritur ato për ndërtimin e HEC-eve të mëdha, si “Çebreni” dhe hidrocentralet e Vardarit.

Sipas Bytyqi, është e qartë se zvogëlimi i ndotjes është një nga prioritetet në Strategji, sipas së cilës, në skenarin “e gjelbër” në 2040, emetimet e gazeve serë ulen me 61.5 % krahasuar me vitin 2005, dhe në të njëjtën kohë do të rritet ndjeshëm përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë duke arritur pjesën e tyre prej 45% në energjinë përfundimtare bruto.

Në dy nga tre skenarët (për tranzicion të moderuar dhe të gjelbër) parashihet braktisja e qymyrit si burim energjie dhe investime të konsiderueshme në centrale diellore dhe të erës. Vlerësohet se kjo do të kërkojë investime të shpejta, kapitale prej 9.4 deri në 17.5 miliardë euro deri në vitin 2040, varësisht nga skenarit që do të përzgjidhet.

Fokusi kryesor në të tre skenarët është në investimet në efikasitetin energjetik, pas çka vijnë investimet në burimet e ripërtëritshme të energjisë që është mundësi e mirë për mbështetje dhe financim nga fondet evropiane dhe institucionet financiare ndërkombëtare dhe donatorët, pasi ato gjithashtu e identifikojnë dhe theksojnë rëndësinë e tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button