Shqiptarët dhurues territoresh dhe simbolesh etnike

Viteve të fundit, përveç tjerash, Serbia ka intensifikuar edhe propagandën për të dëshmuar se Gjergj Kastrioti paska qenë serb. Për ta mbështetur mashtrimin e tyre, pseudohistorianët serbë kanë botuar këtë vit katër verpra voluminoze, të cilat janë duke i përkthyer edhe në gjuhët e mëdha të botës. Ata shkojnë aq larg sa përgatiten për të kërkuar zyrtarisht nga muzeu i Vjenës që t’ia dorëzojë Serbisë përkrenaren dhe shpatën e heroit kombëtar të shqiptarëve të fjetur.

Në shikim të parë kjo duket qesharake, por duke pasur parasyshë shpirtin mercenar të klasës politike shqiptare, që viteve të fundit u dhuron fqinjëve grabitqarë territore ertnike, pa denjuar të përmendë barbaritë e bëra ndaj nesh dhe tokat e pushtuara kubarisht prej të njëjtëve gjatë dy shekujve të fundit, nuk do të ishte befasi as dhurimi i simboleve të rëndësishme të Shqiptarisë. Në fakt, ka kohë që një lukuni e tërë bashibozukësh shqipfolës (pseudohistorianë, pseudointelektualë, analistë gjithollogë, gazetarë shpirtshitur, televizione të mëdha “nacionale”…), e trumbetojnë pallavrën për Skënderbeun sllav, si puna e atij shtonës me mbiemër jazexhiu, duke ua lehtësuar kësisoj terrenin manovrave mashtruese serbe. Kjo sigurisht i shkon për hoshafi klasës së esad-toptanëve të Shqiptarisë, të cilët në sajë të zhvatjes së gjithçkaje me vlerë, gati gjysmën e etnisë e kanë përzënë tani më jashtë atdheut, kurse pjesën e mbetur e kanë varfëruar, ia kanë shpëlarë trurin, ia kanë vrarë shpresën, ia kanë përulur dinjitetin dhe e kanë bërë të pandjeshme edhe ndaj zhveshjes nga simbolet e etnise.

Se sa të rrezikshme janë lojërat e pista të jazexhinjëve të vegjël shqipfolës, të cilëve jazexhinjtë e mëdhenj ua sigurojnë hapësirat publike për shpërndarje propagandash të huaja, duke keqpërdorur për misionet e tyre edhe besimet fetare, kuptohet nga lehtësia me të cilën të painformuarit i pranojnë si të vërteta gënjeshtrat, pa qenë në gjendje ta kuptojnë dëmin që ia bëjnë të tashmes dhe të ardhmes së tyre. Për fat të keq, vijnë duke u rralluar personalitetet dhe institucionet që i kundërvihen kësaj shëmtie, sepse, siç thamë më lart, mediet e mëdha “nacionale” më shpesh ftojnë në debate të zhurmshme mohsat e etnisë se sa dijetarët e mirëfilltë që do ta ushqenin popullin me të vërtetat e historisë sonë tragjike. Në rrethana të këtilla, shqiptarët e esëllt për situatën në të cilën gjenden duhet të luftojnë propagandat e jashtme dhe të brendshme duke iu referuar të vërtetave historike të veprave dhe enciklopedive kredibile të botës, që s’ka kaçik t’i vë në pyetje asnjë gomar ballkanik i tebdilosur në dijetar.

Po sjell me këtë rast vetëm ca të dhëna mbi Skëndërbeun nga Enciklopedia Britanike, në të cilën për heroin tonë kombëtar, mes tjerash, thuhet:

Një djalë i Gjonit (Gjon) Kastrioti, princ i Emathia, George u dha herët si peng i sulltanit turk. I kthyer në Islam dhe i shkolluar në Edirne, Turqi, atij iu dha emri Iskander – pas Aleksandrit të Madh – dhe grada e beut nga Sulltan Murad II. Gjatë humbjes së turqve në Nish (1443), në Serbi, Skënderbeu braktisi shërbimin turk dhe u bashkua me bashkatdhetarët e tij shqiptarë kundër forcave osmane. Ai riktheu pronat e familjes së tij dhe më 1444 organizoi një ligë të princërve shqiptarë, mbi të cilën u emërua komandant i përgjithshëm. Në periudhën 1444–66 ai zmbrapsi në mënyrë efektive 13 pushtime turke, rezistencën e tij të suksesshme ndaj ushtrive të Muratit II në 1450 duke e bërë atë një hero në të gjithë botën perëndimore… Deri në fund të jetës së tij ai vazhdoi të rezistojë me sukses të gjitha pushtimet turke. Brenda disa viteve të vdekjes së tij, sidoqoftë, kështjella e tij në Krujë kishte rënë (1478) dhe Shqipëria kaloi disa shekuj errësirash nën sundimin turk.

Nga moria e madhe e të dhënave mbi Skënderbeun, që mund të gjenden në mijëra vepra e enciklopedi të botës, po shkëpusim këtu vetëm edhe disa rreshta nga Leksikoni i Madh Norvegjez, që është në pronësi të universiteteve të këtij shteti dhe të disa organizatave të tjera jofitimprurëse:

Skënderbeu, ishte djali i një  princi shqiptar që u bë një hero kombëtar, sepse ai udhëhoqi qëndresën shqiptare kundër ushtrisë osmane. Georg Castriota, siç u quajt fillimisht, si fëmijë u mor peng (u dërgua) te sulltani osman, i edukuar (rritur) si mysliman dhe i shkolluar në shkolla ushtarake. Ai shkëlqeu në shërbimin turk të luftës dhe iu dha emri i nderit Iskander (sipas Aleksandrit të Madh), Bej (zotëri), që u bë emri i Skënderbeut. Gjatë betejës së Nishit në Serbi në 1443 ai iku dhe pushtoi Krujën, selinë familjare në Shqipëri. Në vitet 1444–1466, ai udhëhoqi qëndresën shqiptare ndaj pushtimeve turke, ndonjëherë në bashkëpunim me princat italianë. Megjithatë, shqiptarët vazhdimisht liheshin vetëm. Skënderbeu vdiq nga një vdekje natyrale. Megjithëse rezistenca vazhdoi për disa vjet, turqit fituan kontrollin e plotë të Shqipërisë në vitin 1480, dhe e sunduan vendin deri në vitin 1912.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button