fbpx

Institucionet e Kosovës paguan mbi një milion euro për bileta pa dëshmi se çmimi ishte real

Dokumenti përmban të dhëna për 8,570 aviobileta, për të cilat shteti ka paguar mbi 4 milionë euro në 20 muajt e fundit. Pagesat janë bërë në bazë të raportit të përgatitur nga “Malësia Reisen”, kompani të cilën Agjencia Qendrore e Prokurimit e ka kontraktuar në dhjetor të 2018-s për të ofruar shërbime të transportit ajror për të gjitha institucionet shtetërore.

Por KOHA ka gjetur se për 2,266 nga këto bileta mungojnë të dhënat në raportet e nxjerra nga Billing and Settlement Plan (BSP), sistem ndërkombëtar që tregon çmimin real të shitjes. Kësisoj, institucionet e kanë paguar kompaninë për këto bileta, pa dërguar ajo në AQP dëshmi të besueshme, që tregojnë nëse çmimi ishte real, ose nëse biletat ishin blerë vërtet apo jo.

Raporte të nxjerra nga sisteme relevante ndërkombëtare që dëshmojnë vërtetësinë e çmimeve për udhëtim nëpërmjet transportit ajror nuk i janë prezantuar KOHËS as pas gjashtë muajsh, prej kur ato janë kërkuar.

Në “Malësia Reisen” kanë refuzuar të flasin për KTV-në, por në një përgjigje të dhënë në muajin shkurt, përfaqësues të saj kishin theksuar se për secilën biletë e posedojnë edhe dëshminë nga sistemi BSP. Ndërkaq këtë javë janë sprapsur nga kjo përgjigje dhe kanë dhënë një justifikim për mospërputhjet në numrin e biletave të raportuara.

“Sistemi i BSP-së është e vërtetë që raportohet në AQP dhe çdo biletë është raportuar. Biletat online apo sisteme të tjera alternative po ashtu raportohen në AQP. Mospërputhja është se biletat online nuk mund të raportohen në BSP, pasi që nuk shtypen në BSP”, është thënë prej saj.

Në AQP kanë paralajmëruar se mund të ndërmerret një proces verifikimi i biletave dhe çmimeve.

“AQP-ja rezervon të drejtën që gjatë gjithë kohëzgjatjes së kontratës, pa paralajmërim, të inspektojë ofruesin e shërbimeve për të kontrolluar se çmimet e lëshuara nga sistemi BSP përputhen me çmimet e biletës elektronike të dorëzuar me faturë, apo edhe çdo formë tjetër të kontrollit për shërbimet që hyjnë në fushën e kësaj kontrate dhe për çdo mashtrim AQP-ja do të ndërpresë menjëherë kontratën dhe do të konfiskojë sigurimin e ekzekutimit të kontratës (vlera e të cilit është 650 mijë euro v.j.)”, kanë thënë nga Agjencia Qendrore e Prokurimit.

Në bazë të kontratës me AQP-në, del se “Malësia Reisen” fiton 37,500 euro nga tarifa e shërbimit, ndërsa vetëm kostoja për pagat e dy punëtorëve e konsumon pothuajse gjithë këtë shumë.

Përpara kësaj kontrate, fitues i tenderit për shërbime të transportit ajror ishte konsorciumi “Altavia Travel & AS Travel”. Ai kishte fituar falë ofertës akoma më të lirë për tarifë shërbimi.

Atëkohë Agjencia Kundër Korrupsionit kishte angazhuar konsulentë për të kalkuluar koston e shpenzimit për realizimin e kontratave të kësaj natyre dhe kishte konstatuar se bëhej fjalë për “çmim jo-normalisht të ulët”. Njëkohësisht, kishte dhënë një alarm.

“Agjencia Kundër Korrupsion ka informacione se operatorët ekonomikë mund ta ndryshojnë çmimin e biletës në sistem me rastin e printimit të biletës, andaj ky fakt iu lë mundësi shumë të madhe që operatorët ekonomikë të manipulojnë me çmime të biletave”, ishte thënë nga AKK-ja.

Në AQP kanë thënë ta kenë marrë në konsideratë këtë opinion, porse Organi Shqyrtues i Prokurimit, që njihet si Gjykatë e Tenderëve, nuk ka lejuar që të shpallen të papërgjegjshme kompanitë të cilat kishin ofruar oferta me çmim “jo-normalisht të ulët”.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close