Përjetësi

Asnjëherë nuk isha ndier aq e vetmuar sa mbrëmjen e së premtes së kaluar kur humba nënën. Nuk kisha përjetuar kurrë vetmi të tillë. Të jesh e vetëdijshme se je e rrethuar me aq shumë njerëz të dashur, me fëmijët tu e me tërë familjen e sërish të ndjesh se diçka shumë e madhe mungon qenka dhimbje që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Dikush që ka plotësuar jetën tënde në të gjitha mënyrat nuk është më dhe ti vetëm tani e kupton atë pasuri të paçmuar që e ke pasur e përnjëherë e ke humbur, si një zog i bukur, i qetë e paqësor që papritur të fluturon nga dora për të mos u kthyer kurrë më.

Qenka e vërtetë se kur e humbke nënën bashkë me të e humbke edhe sigurinë se gjithçka do të bëhet mirë, se gjithçka do të kalojë, se e nesërmja do të jetë më e mirë se sot, se çdo vështirësi do të përballohet. Qenka e vërtetë se kur e humb nënën çdo gjurmë e fëmijërores në ty zhduket për një çast, dhe ti ndjehesh befasisht plakë që nuk ka të drejtë më të quhet fëmija i dikujt. Unë llogaritem njeri me fat sepse kam pasur mundësinë për 38 vjet ta kem këtë përkrahje të madhe në jetën time, për dallim nga shoqe e shokë që këtë humbje e kanë përballuar shumë më të vegjël, në moshë shumë më të ndjeshme. E megjithatë, qenka e vërtetë se nëna nuk ka moshë, mosha e saj është irelevante përpara ekzistencës kur gjithçka tkuret në dilemën e thjeshtë hamletiane të jesh apo të mos jesh. Pra njeriu ose ka ose nuk ka nënë, ndërsa mosha e saj është vetëm një numër i parëndësishëm.

Gjatë ditëve që pasuan erdhën ngushëllime nga të gjitha anët. Për shkak të situatës së krijuar me pandeminë nga komplikimet e së cilës edhe nëna humbi jetën, këtë dhimbje e kalova së bashku me babanë në vetmi, në shtëpinë e prindërve ku mungesa e saj ndihet në çdo hap, ku aroma e saj është ende prezente, ku gjërat e saj janë ende aty ku i ka lënë një javë më parë, ku kujtimet e saj të rrethojnë e të flasin për një prezencë permanente të një shpirti fisnik. Por kjo vetmi ishte vetëm fizike, pasojë e realitetit të ri në të cilin jetojmë. Nuk besoj se ndonjëherë tjetër kemi pasur komunikim më të gjerë e më thelbësor virtual me kaq shumë miq e dashamirë të cilët ndanë dhimbjen me ne. Dhe kjo na bëri më të fortë për ta përballuar humbjen. Në fakt na ndriçoi me të vërteta të cilat as nuk i kishim ditur dhe na shfaqi një pamje tjetër të nënës të cilën nuk e kisha njohur aq mirë deri tani. Jam thellësisht falenderuese për këtë.

Ajo ishte një person që ia donte të mirën çdo njeriu. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të flasë një fjalë të keqe për askënd, as për ata të cilët i kanë bërë keq. Asnjëherë nuk e kam dëgjuar të ankohet për dikë ose të flasë me mllef edhe kur ka pasur të drejtë ta bëjë këtë. Ajo ishte person që mendonte si mund ta zgjidhë një problem e jo si të krijojë probleme të reja. Ajo ishte person që dhimbjen për gjërat që nuk i pëlqenin e mbante brenda vehtes pa e dalluar, pa e ndarë me të tjerët, pa dashur ta përhapë, ashtu si që e kishte mbajtuar pa e dalluar në bark edhe karcinomin që ia mori jetën. Ajo me ne e ndante vetëm gëzimin, dhe në botë përhapte vetëm dashuri për jetën.

Nga të gjitha shkrimet dhe telefonatat që pranuam në këtë kohë të vështirë mundëm të shohim sa shumë ndikim kishte pasur ajo në jetën e shumë njerëzve. Ajo ka qenë mësuese shembullore që punën e mësuesisë e kishte kuptuar jo vetëm si profesion por si mision jetësor. Nxënësit e saj të të gjitha moshave na gjetën e na u paraqitën nga të gjitha vendet e botës ku i ushtrojnë me përkushtim profesionet e tyre pasi kanë marë bazat e edukimit duke kaluar nëpër duart e saj si mësuese e parë që u ka mësuar shprehinë e punës dhe shkrim-leximin. Nga fjalët e tyre ngushëlluese unë kuptova një gjë shumë të çmuar: mësuesja e tyre asnjëherë nuk kishte pushuar së qeni mësuese. Ajo kishte ruajtur kontaktet me aq shumë nxënës të saj të dikurshëm dhe kishte vazhduar ti këshillojë e ti motivojë ata edhe shumë shumë kohë më pas. Ajo asnjëherë nuk e kishte kuptuar mësuesinë si diçka që mbaron në klasën e katërt të shkollës fillore por si një raport mes mësuesit dhe nxënësit i cili vazhdon gjatë gjithë jetës. Fjalët që nxënësit e saj na i transmetuan, përkrahjen e saj që ata e kanë pranuar e që tani na e përcollën tregojnë më së miri se veprat e mira dhe raportet ndërnjerëzore vazhdojnë të jetojnë në kujtesën tonë edhe gjatë kohë pas ikjes nga kjo botë.

Dhe është vërtet mbresëlënëse ti dëgjosh kujtimet që nëna i ka lënë tek secili person që e ka takuar. Secili që na ka kontaktuar për ngushëllim ka pasur një tregim të veçantë për të treguar për të, një këshillë të veçantë që ajo i ka dhënë, një fjalë të mirë që atë person e ka ndihmuar në një kohë të vështirë. Unë habitem se si ka gjetur kohë të kontaktojë me aq shumë njerëz, dhe për secilin të gjejë fjalët e duhura për ta përkrahur, për ta qetësuar në momente shqetësimi, për ti dhënë kurajo për da dashur jetën, për të lënë gjurmë në çdo jetë që ka prekur. Unë habitem me atë energji të pashtershme e cila tani kuptoj që nuk na ka plotësuar vetëm ne, familjarët e saj më të afërt por ka plotësuar shumë jetë të tjera, ka ndarë shumë dhimbje tjera dhe ka dhënë përkrahje në shumë momente të cilat as që e kemi ditur se kanë ndodhur.

Vlerat e saj si nënë, si bashkëshorte, si motër e si gjyshe mbeten me ne gjithmonë si një kujtim i përjetshëm. Vlerën e saj si mësuese e mbajnë në zemër të gjithë nxënësit e saj, duke më pëfshirë edhe mua që e kujtoj edhe si nënë edhe si mësuese. Por mbi të gjitha, vlerat e saj si njeri përkrahës, si njeri që donte të shihte vetëm të mirën te njerëzit tjerë dhe refuzonte ta shohë edhe të keqen më të vogël, do e mbajnë në shpirt të gjithë ata që e kanë njohur qoftë edhe vetëm për një kohë të shkurtër.

Jeta e saj, përshtypjet që ka lënë te të tjerët, energjia pozitive që e ka pëhapur si diell në këtë botë janë dëshmia më e fuqishme se shpirti dhe vlerat njerëzore janë të pavdekshme, dhe kur trupi shuhet ato vazhdojnë të jetojnë në përjetësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button