“TikTok nuk do të shesë operacionet e saj në SHBA”

Aplikacioni kinez për ndarjen e videove TikTok nuk do të shesë bazën e tij në SHBA por është në bisedime për një bashkëpunim të mundshëm në operacione, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë për gazetën “Global Times”, pronari i TikTok, ByteDance tha se është në bisedime me gjigantin e programeve amerikane Oracle, i cili mundi Microsoft-in në një luftë ofertash për të blerë aplikacionin e famshëm, por çdo marrëveshje do të kërkonte një aprovim të autoriteteve përkatëse si në Pekin ashtu edhe në Washington.

“Planet në diskutim nuk përfshijnë shitjen e biznesit ose teknologjisë së saj dhe se ende nuk është nënshkruar një marrëveshje përfundimtare”, tha kompania.

Zyrtarët e sigurimit kombëtar të SHBA-së kanë frikë se kompania mund të sigurojë të dhëna të përdoruesve amerikanë për qeverinë kineze.

ByteDance, megjithatë, ka mohuar akuzat, duke thënë se të dhënat e përdoruesve të saj janë ruajtur jashtë Kinës dhe se është e angazhuar për të mbrojtur privatësinë dhe sigurinë e përdoruesve të saj.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump më parë kishte kërcënuar se do të ndalonte aplikacionin nëse operacionet e saj amerikane nuk do t’i shiteshin një kompanie amerikane. Ai ka thënë se nuk do të ketë “asnjë vazhdim” të afatit të shitjes së 20 shtatorit.

TikTok u shkarkua 315 milionë herë në janar-mars 2020, më shumë se çdo aplikacion në një tremujor të vetëm në histori, dhe 26 milionë herë në gusht, tha kompania analitike “Sensor Tower”.

Kohën e fundit Kina përditësoi rregullat e saj të kontrollit të eksportit për t’i dhënë asaj të drejtë mbi transferimin e teknologjisë. Pekini thotë se do të marrë “të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur me vendosmëri të drejtat dhe interesat legjitime të kompanive kineze”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button