Vështirësitë e ndërtimit të paqes në Kosovë

Shkruan: Gentrit Misini, student i Shkencave Politike

Marrëdhëniet e mira ndëretnike në një vend janë shumë të rëndësishme, sepse në atë mënyrë bëhet e mundur edhe vendosja e themeleve për një paqe afatgjate dhe kështu vendi do të kishte stabilitet dhe siguri. Pas përfundimit të luftës së Kosovës të vitit 1999, organizatat ndërkombëtare të cilat kanë qenë të pranishme në Kosovë, vazhdimisht kanë bërë thirrje për forcim të institucioneve dhe po ashtu kanë bërë përpjekje për ndërtim të paqes ndëretnike dhe ndërfetare, sidomos në mes shqiptarëve dhe serbëve, por vetëm pak vite pas luftës ndodhi një prej ngjarjeve më të rënda në Kosovë, trazirat e marsit 2004 të shkaktuar nga shumë faktorë, duke filluar nga çështjet sociale, ekonomike, politike për shkak të mos zgjidhjes të statusit të atëhershëm të Kosovës, por edhe të provokuara nga komuniteti serb në Kosovë.

Trazirat e marsit filluan pas raportimeve se tre fëmijë shqiptarë ishin mbytur në lumin Ibër, afër fshatit Çabër si pasojë e ndjekjes së disa serbëve, kjo i revoltoi të gjithë në Kosovë dhe pas këtij njoftimi filluan protestat e ashpëra të cilat zgjatën dy ditë, ku mbetën të vrarë 19 civilë nga të cilët 11 shqiptarë dhe 8 serbë, ndërsa shumë të tjerë u lënduan dhe shumë shtëpi e monumente të trashëgimisë kulturore mbetën të shkatërruara. Dhuna e madhe në këto protesta ishte sinjal për bashkësinë ndërkombëtare të angazhohet më shumë për zgjidhjen e statusit përfundimtar të Kosovës, kjo edhe ndodhi sepse në vitin 2006 filluan bisedimet e Vjenës dhe si rezultat i atyre bisedimeve, Kosova shpallet shtet i pavarur dhe sovran. Trazirat e marsit 2004, mund të kenë qenë një provokim i organizuar nga Beogradi, sepse revolta e shprehur e shqiptarëve bëri që në sy të ndërkombëtarëve të balancohet dhuna nga dy palët dhe serbët të paraqiten si viktima.

Një tjetër ngjarje e rëndë ka qenë edhe nata e 25 korrikut e vitit 2011, ku njësiti special i policisë së Kosovës ishte nisur drejt veriut për t’i kontrolluar pikat kufitare me Serbinë, por gjatë këtij udhëtimi shumë serbë kishin dalur në rrugë për t’i penguar dhe aty kishte filluar një konflikt i armatosur mes policisë së Kosovës dhe serbëve lokal, ku gjatë kësaj përleshje kishte mbetur i vrarë një policë i Kosovës. Kanë kaluar 21 vite që nga përfundimi i luftës dhe gjatë kësaj periudhe shqiptarët dhe serbët kanë pasur shumë mospajtime dhe kjo e ka bërë edhe më të vështirë ndërtimin e paqes.

Përpjekjet për ndërtimin e paqes mes shqiptarëve dhe serbëve po janë të vështira, kjo sepse një pjesë e serbëve po e kundërshtojnë funksionimin e institucioneve të Kosovës, sidomos në veri të vendit. Shqiptarët që nga pas lufta e deri më tani, e kanë dëshmuar se janë të gatshëm për paqe dhe për një shtet multietntik në mënyrë që vendi të ketë stabilitet dhe siguri dhe kështu të kemi integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian, por problemi qëndron tek serbët të cilët në veri të vendit aspak nuk i respektojnë ligjet e miratuara nga Kuvendi  i Kosovës dhe vazhdimisht provokojnë, duke deklaruar se nuk i njohin institucionet e Kosovës dhe kështu i kundërshtojnë iniciativat për një mundësi paqeje, po ashtu një ndër synimet e serbëve është edhe krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe, e cila kundërshtohet në masë të madhe nga shqiptarët, sepse në të ardhmen mund të jetë problem shumë i madh për vendin. Bashkimi Evropian ia ka bërë me dije Kosovës dhe Serbisë, por edhe shteteve tjera të Ballkanit perëndimor se përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike është një ndër kushtet kryesore për integrim, prandaj ka kërkuar prej këtyre shteteve të kenë më shumë progresë në këtë aspekt.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button