fbpx

Bullgaria i vendosi Maqedonisë së Veriut kushte të reja për negociatat me BE-në

Në gjashtë faqe, me arsyetime të gjata historike për “ideologji shtetërore antibullgare” në Maqedoninë e Veriut, Bullgaria u dërgoi memorandum sqarues vendeve anëtare të BE-së në prag të vendimit për fillimin e negociatave me Unionin. Sofja zyrtare kërkon mbështetje prej tyre për pozitën e vet lidhur me identitetin dhe gjuhën maqedonase.

Sofja thekson se vendet kandidate nuk duhet të vendosin konteste të hapura në BE dhe konsideron se mospajtimet me Shkupin paraqesin konflikt të pazgjidhur i cili “do të mundte gjatë anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut negativisht të ndikojë ndaj sjelljes së vendimeve në BE”.

Autoritetet bullgare i bëjnë thirrje Maqedonisë së Veriut të gjejë zgjidhje afatgjate me vullnet të sinqertë politik dhe guxim dhe të “ndalojë me trashëgiminë ideologjike nga Jugosllavia komuniste”. Sipas Bullgarisë kjo “trashëgimi” është shkak për “inxhinierë etnike” në Maqedoninë e Veriut.

Sa i përket gjuhës, Sofja e shfrytëzon gjuhën maqedonase nën thonjëza dhe konsideron se deri më dy gusht 1944 nuk ka ekzistuar as gjuha maqedonase, e as identiteti etnik maqedonas, dhe se ato janë krijuar me qëllim që të ndahen popujt në Republikën Socialiste të Maqedonisë dhe Bullgarisë. Sofja e vendos në pikëpyetje kodifikimin e gjuhës maqedonase dhe konsideron se ajo është dialekt rajonal i gjuhës bullgare.

Në memorandum ceket edhe se formimi i kombit maqedonas është projekt i Beogradit për minim të identitetit bullgar. Sofja zyrtare parashtron kushte edhe lidhur me pakicat.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Maqedonisë së Veriut thonë se këmbimi i memorandumeve mes vendeve anëtare është proces i rregullt dhe nuk kanë më tepër informata rreth dokumentit.

Nga Institucionet e BE-së, tani për tani nuk ka reagim ndaj këtij dokumenti bullgar.

Burime diplomatike për MIA-n thonë se është normale që në fillim të diskutimeve në BE secila palë t’i shpjegojë pozicionet e saj, dhe se është e zakonshme që të jenë maksimaliste, por mbetet shpresa se mund të gjendet zgjidhje e përbashkët e pranueshme me Sofjen që të fillojnë bisedimet për anëtarësim në Maqedoninë e Veriut para fundit të këtij viti.

Bashkëkryesuesi i Komisionit të përzier maqedono-bullgar për çështje historike dhe arsimore nga pala e Maqedonisë së Veriut, Dragi Gjorgiev, për televizionin bullgar Evropa paralajmëroi se komisioni do të takohet këtë muaj.

Gjorgiev me atë rast konfirmon se Goce Dellçevi mbetet çështja kryesore kontestuese dhe se dialogu për atë duhet të vazhdojë, ndërsa për kërcënimet nga Sofja për bllokim tël mundshëm të fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE-në konsideron se do të ishte vendim i gabuar politik që mund t’u shkaktojë goditje të madhe marrëdhënieve mes dy vendeve.

Zëvendëskryeministri bullgar dhe ministër i Mbrojtjes, Krasimir Karakaçanov para disa ditëve deklaroi se Bullgaria do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me BE-në, nëse komisioni i përzier nuk arrin pajtueshmëri për çështjet e hapura historike.

Sipas Sofjes zyrtare, pala e Maqedonisë së Veriut i eviton takimet e historianëve në mënyrë që të mos përballet me çështjen për Goce Dellçevin dhe me atë tregon se nuk ka dëshirë të zhvillojë dialog të sinqertë.

Karakaçanov porositë se askush nga BE-ja nuk mund të bëjë presion dhe t’i thotë Bullgarisë ta ndryshojë pozicionin dhe se nuk mundet vetëm njëra palë të bëjë kompromise, ndërsa tjetra të bëjë çka të dëshirojë.

Ish-presidenti bullgar, Rosen Plevneliev, ndërkaq pohon se Sofja nuk do të vendosë veto dhe ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

“Unë mendoj se kjo nuk do të ndodhë. Bullgaria çdoherë e mbështetë Republikën e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt prosperitetit të qetë, demokratik dhe evropian. Agjenda e Sofjes kur Bullgaria ishte kryesuese me Unionin e hapi rrugën e vendeve nga Ballkani Perëndimor drejt BE-së. Bullgaria e para e njohu Maqedoninë. Ne jemi popull vëllazëror. Disa politikanë mund të flasin si do të vendosin, por e vërteta është se Bullgaria është avokate e madhe e fqinjëve, ne dëshirojmë prosperitet, e kjo është e mundur vetëm me hyrje në BE”, deklaroi Plevneliev.

Ai shfaq bindje se Maqedonia e Veriut nuk do të përballet me bllokim nga Sofja në dhjetor, por megjithatë potencon se çështja me Goce Dellçevin duhet të zgjidhet.

Kreu shtetëror i Maqedonisë së Veriut disa herë e ka paraqitur publikisht qëndrimin se nuk pret që Bullgaria ta bllokojë fillimin e negociatave me BE-në. Shkupi zyrtar pret së shpejti të publikohet korniza negociuese, ndërsa konferenca ndërqeveritare për fillim të negociatave inkuadruese me BE-në të fillojë deri në fund të këtij viti.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close