OVL e UÇK-së thotë se sërish pranoi dokumente të lidhura me Gjykatën Speciale

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës tha se ka pranuar materiale që kanë të bëjnë me Gjykatën Speciale për krime lufte në Kosovë, transmeton REL.

Përfaqësues të saj thanë se nuk kanë arritur t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.

Kjo është hera e dytë brenda këtij muaji që OVL e UÇK-së pretendon se i janë dorëzuar dosje të Gjykatës Speciale në mënyrë anonime.

“Sot, rreth orës 15:30, kanë sjellë dokumente dhe kanë ikur me shpejtësi të madhe. Nuk kemi arritur t’i identifikojmë”, tha kryetari i kësaj organizate, Hysni Gucati, në një konferencë për media, të mërkurën.

OVL e UÇK-së u bëri thirrje organeve të hetuesisë në Kosovë që të merren me këtë rast dhe t’i identifikojnë personat që i kanë dorëzuar këto dokumente.

Dhomat e Veçanta – apo, siç njihen në Kosovë, Gjykata Speciale – merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Selia e Gjykatës Speciale është në Hagë.

Deri më tani, ajo ka ftuar për intervistim qindra ish-pjesëtarë të UÇK-së, qoftë si dëshmitarë apo si të dyshuar.

Në muajin korrik, në Hagë është intervistuar edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Paraprakisht, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër Thaçit, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Gjyqtari ka gjashtë muaj kohë, nga prilli, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button