Janë arrestuar nëntë serbë të Bosnjës nën akuzat për krime të luftës

Autoritetet në Bosnje dhe Hercegovinë thonë se ata kanë arrestuar nëntë serbë etnikë të dyshuar për përfshirje në vrasjet e 44 civilëve myslimanë gjatë luftës së Bosnjës më 1992-95. Nëntë burrat, të gjithë ish-oficerë dhe ushtarë serbë të Bosnjës, dyshohet se kanë “planifikuar, organizuar dhe marrë pjesë” në vrasjet dhe persekutimin e civilëve myslimanë në zonën e Sokollacit në Bosnjën juglindore, njoftoi zyra e prokurorit më 16 shtator, njofton REL.

Në shtator të vitit 1992, forcat serbe të Bosnjës rrethuan fshatin Novoseoci, rreth 40 kilometra nga Sarajeva, pastaj i dërguan fshatarët meshkuj në një deponi mbeturinash dhe i qëlluan për vdekje, thuhet në deklaratë.

Gratë dhe fëmijët u dëbuan nga fshati.

Një xhami në Novoseoci u shkatërrua më vonë dhe mbeturinat e saj u hodhën mbi eshtrat e të vrarëve. Në mesin e viktimave, të moshës 14-82 vjeç, gjithashtu është edhe një grua e cila është vrarë gjatë sulmit.

Prokurorët boshnjakë thanë se ish-komandanti serb, Radislav Kërstiq është gjithashtu i dyshuar në këtë çështje dhe do të merret në pyetje në Poloni, ku ai po vuan një dënim prej 35-vjetësh të cilin ia ka shqiptuar gjykata e Hagës për krimet e luftës në ish-Jugosllavi.

Autoritetet boshnjake do të kërkojnë ekstradimin e një të dyshuari të 11-të, të identifikuar si K.N., i cili aktualisht banon në Kanada, njoftuan prokurorët.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button