Grubi-Tahiri: Kufiri midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës duhet të jetë i hapur pa kushte

Zv/kryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi dhe homologu i tij kosovar, Besnik Tahiri, pas takimit në Shkup kanë deklaruar se kufiri midis dy vendeve duhet të jetë i hapur pa kushte gjatë pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) që ka kapluar mbarë botën, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur për masat kundër përhapjes së koronavirusit, përfshirë testet COVID-19 që kërkohen për të kaluar kufirin midis Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, zv/kryeministri Grubi tha se duhet të ecet përpara dhe jo vetëm me Kosovën, por edhe me vendet tjera fqinje t’i liberalizojnë kufijtë që të mund të funksionojnë ekonomitë në mënyrë më të lirë dhe më efikase.

“Unë personalisht jam për hapjen e kufijve me shembullin e kufirit midis Kosovës dhe Shqipërisë, sepse Kosova dhe Shqipëria asnjëherë nuk i mbyllën kufijtë dhe transmetimi i infektimit është minimal, ndërsa përfitimet për ekonomitë e të dy vendeve ishin të mëdha, veçanërisht me pasojat që mban pandemia”, tha Grubi.

Ndërkaq, sipas zv/kryeministrit Tahiri sistemi i testeve për COVID-19 për të kaluar kufirin është plotësisht e palogjikshme.

“Për mua është plotësisht e palogjikshme të kemi një sistem të testimit bilateral, përderisa me Shqipërinë (kufiri) është i hapur. Shkëmbimi i qytetarëve të Kosovës me Shqipërinë ka qenë shumë i madh. Mendoj se duhet parë të gjitha mundësitë, duke ruajtur shëndetin publik, që të lehtësojmë komunikimin e qytetarëve”, tha Tahiri.

Zv/kryeministrat e të dy vendeve njoftuan se në takim janë diskutuar disa çështje me interes dypalësh, duke u fokusuar në procesin e integrimit të dy vendeve fqinje, shkëmbimin e njohurive dhe përvojave të institucioneve, si dhe rrugën 12-kilometërshe nga Shkupi drejt kufirit me Kosovën, që do të lidh kryeqytetet e dy vendeve fqinje.

Që nga shpërthimi i pandemisë COVID-19, Maqedonia e Veriut ka raportuar gjithsej 15.925 raste të virusit, me 661 viktimadhe 13.418 të shëruar, ndërsa Kosova ka raportuar gjithsej 14.763 raste të konfirmuara, me 601 viktima dhe 11.784 të shëruar.

Kufijtë midis dy vendeve janë mbyllur në kuadër të masave për të frenuar përhapjen e pandemisë dhe qytetarët e të dy vendeve fqinje për të kaluar kufirin u nevojitet testi negativ ndaj COVID-19 jo më i vjetër se 72 orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button