RMV, MASH fillon me procesin e punësimit të asistentëve arsimorë

Ministria e arsimit dhe shkencës ka edhe pak kohë për të zbatuar protokollet e mësimdhënies para fillimit të vitit të ri shkollor më 1 tetor, por prindërit e fëmijëve me nevoja të veçanta reagojnë se në këto protokolle fëmijët me nevoja të veçanta arsimore janë lënë pas dore.

“Fëmija im me autizëm nuk është në gjendje të përcjellë onlajn mësimin që është përgatitur për nxënës të tjerë. Fëmijët me nevoja të veçanta, kur shkojnë në shkollë kanë një kurrikulë të veçantë që përfshin edukatorë specialë, logoped, pedagog, program individual për secilin, sipas të cilit marrin nota. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, nuk na dhanë program të tillë për onlajn mësimdhënie, por atë mund ta kuptoj, sepse situata na zuri të gjithëve të papërgatitur. Por tani, pas gjashtë muajsh, nuk e kuptoj që për fëmijët me nevoja të veçanta askush nuk është përpjekur të zhvillojë program të përshtatshëm për të mësuar nga shtëpia”, thotë Sanja, nënë e një nxënësi të klasës shtatë me autizëm.

Problem për fëmijët me nevoja të veçanta, por edhe për prindërit, është mungesa e asistentëve arsimorë dhe personalë.

Komuna Gjorçe Petrov, ku jeton Sanja, na konfirmoi se po përballen me vështirësi në përpjekjen për të siguruar asistentë personalë dhe arsimorë.

“UNDP na lejoi fonde për nëntë asistentë personalë, por deri më tani vetëm shtatë kanë aplikuar. Nuk ka interes për shkak të pagave të ulëta mujore që u ofrohen asistentëve. Askush nuk dëshiron të punojë për pagë prej 7.000 denarë, ndërsa ka diplomë të fakultetit. Por, edhe nëse aplikohen edhe dy tjerë të cilët nevojiten, sërish nuk do të mjaftojë, sepse kemi nevojë reale për 20 ndihmës personalë”, deklaroi Sonja Palçevska Qoseva, nga sektori i arsimit në Komunën Gjorçe Petrov.

Slloboden Peçat” bisedoi me dy nëna të tjera të fëmijëve me nevoja të veçanta. Të dy fëmijët kanë një spektër autik dhe kanë vështirësi në nxënie. Për Ognenin, i cili do të jetë klasa e parë këtë vit, është përcaktuar ndihmës arsimor, ndërsa Kosta, i cili gjithashtu do të jetë klasa e parë, u refuzua nga Komuna e Aerodromit, duke mos i dhënë familjes asnjë dokument me arsyetim.

Ekziston një zgjidhje për problemin, thonë njohësit e kësaj problematiket, e kjo është që asistentët arsimorë të punësohen dhe të marrin të ardhura adekuate mujore, dhe jo 7.500 denarë të mjera.

Andrijana, e cila me profesion është mësuese në grup klasor, është asistente arsimore e një fëmije të shurdhër për të tretin vit radhazi. Ajo flet hapur për sfidat me të cilat përballet, duke u përpjekur për një kompensim prej 7.500 denarë në muaj për të siguruar vijim të pandërprerë në mësimit.

“Për të tretin vit radhazi unë punoj me të njëjtin fëmijë. Fëmija është i shurdhër, nuk ka përqendrim dhe nuk ishte e lehtë të vendoset kontakt i ngushtë dhe besim. Vitin e parë ikte, fshihej nga unë, por tani ne jemi shumë të lidhur. Ka përparim, edhe prindërit janë të kënaqur dhe fëmija është i lumtur. Sidoqoftë, nuk është e lehtë të jesh ndihmës i një fëmije me nevoja të veçanta, disa fëmijë janë gjithashtu agresivë, të vështirë për të bashkëpunuar. Dhe kompensimi monetar që marrim për këtë është shumë i vogël, 7.500 denarë nga UNDP. Nuk jemi të regjistruar, nuk kemi stazh të punës. Paraqitëm kërkesë në MASH dhe te presidenti  Pendarovski për stazh të. Nga kabineti i presidentit na thanë se ata nuk janë të autorizuar për këtë çështje, ndërsa nga MASH ende nuk ka përgjigje”, shpjegon Andrijana.

Asistentët arsimorë ulen me fëmijët gjatë orëve të mësimit dhe kontribuojnë dukshëm në përvetësimin e materialit mësimor që është i ndryshëm për secilin fëmijë me nevoja të veçanta. Por problemi lind kur për shkak të motivimit të pamjaftueshëm asistentët heqin dorë, gjë që prek më së shumti fëmijët.

“Nuk besoj se asistentët arsimorë do të heqin dorë nga angazhimet e tyre nëse punësohen. Kur filluam ishim 15, tani jemi shtatë asistentë. Është e vështirë të heqësh dorë nga fëmija, lidhesh me të, por kur bëhet fjalë për një ofertë më të mirë për punë, të gjithë vendosin ekzistencën e tyre mbi të gjitha”, thotë Andrijana.

Nga MASH sqarojnë se është e mundur të fillohet procesi i punësimit të asistentëve arsimorë.

“Prioriteti kryesor i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH) është të sigurojë realizim të koncepcionit të arsimit gjithëpërfshirës dhe të sigurojë qëndrueshmëri të sistemit, që nënkupton punësimin e ofruesve të shërbimeve në procesin arsimor. MASH aktualisht po punon në saktësimin plotësues të rregulloreve me të cilat do të standardizohet shërbimi i ndihmësve arsimorë, pas çka do të jetë e mundur të fillohet procesi i punësimit të asistentëve arsimorë. Deri në fund të këtij procesi, asistentët arsimorë do të punësohen përmes Programit për punë të dobishme shoqërore. Përgatitja e rregullores që do të japë standardet për shërbimin asistent arsimor është në fazën përfundimtare, pas së cilës do të fillojnë trajnimet për personat e interesuar”, thonë nga MASH.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button