Zaev në Athinë: E ardhmja më e mirë për Ballkanin Perëndimor është integrimi euroatlantik, çështjet e hapura të tejkalohen me dialog

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev gjatë fjalimit të tij të mbajtur në panel diskutimin e organizuar si tryezë e rrumbullakët me Qeverinë e Greqisë dhe pjesëmarrës nga rajoni në temën “Evropa: Përforcimi i kohezionit në kohërat turbulente”, theksoi se  është e nevojshme të tejkalohen çështjet e hapura dhe me dialog e tolerancë të përmirësohet bashkëpunimi rajonal, njofton Portalb.mk.

Zaev gjatë këtij panel diskutimi deklaroi se, e ardhmja më e mirë për rajonin e Ballkanit Perëndimor është të vazhdohet me integrimin euroatlantik dhe asnjë opsion tjetër nuk është alternativë, duke shtuar se, “Marrëveshja e Prespës është një shembull i shkëlqyer për suksesin e diplomacisë dhe dialogut dhe se mbylli një çështje të hapur dhe të rëndë që zgjaste shumë gjatë”.

“Rezultatet e zgjedhjeve të fundit parlamentare në Maqedoninë e Veriut treguan se qytetarët dinë t’i shpërblejnë politikanët që marrin vendime të rënda që janë të mira dhe me rëndësi të madhe për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve. Nevojitet vullnet i fuqishëm politik që të zgjidhen të gjitha çështjet delikate dhe kjo është një mesazh inkurajues për Ballkanin Perëndimor”, tha Zaev.

Ai theksoi se për të është me rëndësi të veçantë që udhëtimi i tij i parë zyrtar jashtë vendit në mandatin e dytë si kryeministër i Maqedonisë së Veriut është vizita e punës në Greqi, e cila përveç pjesëmarrjes në konferencën “Economist”, përfshin takime me kryeministrin grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenten, Katerina Sakelaropulu.

“Shpresoj që arritjet tona, marrëveshjet me Greqinë dhe Bullgarinë, janë mjaft frymëzuese për udhëheqësit në rajon që të angazhohen për nxitjen e paqes dhe stabilitetit, forcimin e bashkëpunimit rajonal, arritjen e një zhvillimi më të madh ekonomik dhe qëndrojmë deri në fund të përkushtuar ndaj integrimit euroatlantik”, tha Zaev.

Duke folur për pandeminë e Covid-19, Zaev theksoi se, bashkë përballemi me sfidat e njëjta shëndetësore dhe ekonomike dhe vetëm së bashku mund t’i tejkalojmë me një bashkëpunim më të afërt dhe me solidaritet më të madh.. Andaj, siç tha ai, duhet të vazhdojmë të investojmë në marrëdhëniet e mira fqinjësore, t’i tejkalojmë çështjet e hapura me dialog dhe tolerancë dhe ta përmirësojmë bashkëpunimin rajonal

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button