BIÇIKLETA E MEHMET GEGËS

Shpesh e shihnim një burrë të pashëm, mjekërbardhë, të përkorë, të fisëm, teksa lëvizte me biçikletën e vjetër nëpër Tetovë. Biografia e tij ishte shkruar me ngjyrën e sakrificës, durimit dhe vuajtjes. Dobitë materiale, që për shumë të tjerë mund të ishin tepër të rëndësishme, për këtë personalitet madhështor kalonin në plan të fundit. Se për njeriun që është formuar për të qenë i lirë edhe në kushte robërie nuk ka asgjë më të shtrenjtë se sa liria.

Ishte përndjekur përgjatë jetës, ishte dënuar dy herë me burg të rëndë, sepse nuk bëri kompromise në dëm të idealit të tij. Nuk u ligështua asnjëherë. Askujt nuk iu ankua për dënimet. Nuk u pendua për veprimtarinë e tij. Nuk kërkoi merita e privilegje. Ishte shfaqur krenar edhe para hetuesve e gjykatësve, që bashkë me shtypin e kohës e quanin “të rrezikshëm”, “armik”, “nacionalist” e “irredentist”.

Emri i tij është Mehmetriza Murtezani (1921- 2006). Njihet si Mehmet Gega, mësues dhe atdhetar nga Tetova, i cili që në moshë të re ishte anëtar i organizatës kulturore dhe politike “Besa”, e themeluar në vitin 1938.

“Besa” kishte projekt vizionar: arsimimin dhe ngritjen kulturore të shqiptarëve. E organizoi jetën kulturore, arsimore dhe më pas edhe politike në kushte të rënda shoqërore.

Mehmet Gega, i formuar me idealin e lëvizjes “Besa”, në vitin 1955 e kundërshtoi haptas dëbimin me dhunë të familjeve shqiptare për në Turqi. U dënua me dhjetë vjet burg të rëndë dhe u lirua pas shtatë vitesh, më 1962.

Në vitin 1968 ishte ideologu i protestave në Tetovë kundër shtypjes ndaj shqiptarëve. Ishte njëra nga protestat e para masive në shtetet ish-komuniste. Sërish u dënua me dhjetë vjet burg të rëndë, së bashku me shumë të tjerë. Bashkë me Mehmet Gegën, atëherë i punësuar në fabrikën “Teteks”, Gjykata e Shkupit dënoi edhe Faik Mustafën (24 vjeçar), mësues; Abdylselam Selamin (30), mësues; Ramadan Sinanin (25), mësimdhënës i gjimnazit të Tetovës; Fehmi Rufatin (22), student i Fakultetit të Filozofisë në Shkup; Xhemajl Mustafën (23), student; Agim Xhaferin (23), student i Fakultetit të Drejtësisë në Shkup; Arbën Xhaferin (21), student i Fakultetit të Filozofisë në Beograd; Abdulmenaf Xhaferin (23), mësues: Hysnixhevat Hyseinin (24), student; Isniqemal Sherifin (26) e Refik Muratin (34), mësues; Agim Jakën (21) dhe Ibrahim Rudin (23), të dy nga Gjakova, studentë të Fakultetit të Filozofisë në Prishtinë. Për pjesëmarrje në demonstrata u dënuan edhe shumë të rinj shqiptarë.

Le të shohim se çfarë shkruajnë gazetat e kohës kundër “nacionalistit të përbetuar shqiptar”. Sa për ilustrim, le të japim disa shkrime nga gazeta kroate “Slobodna Dalmacija” dhe ajo sllovene, “Delo”, që shumëfishonin lajmet e Tanjugut.

Gazeta kroate “Slobodna Dalmacija” (SD) shkruante më 26 prill 1969 (f. 2), se Memetriza Murtezani ishte “lideri shpirtëror i grupit”, se “njihej si nacionalist i përbetuar shqiptar, armik i rendit shoqëror e politik dhe i vëllazërimit e bashkimit të kombeve dhe kombësive në Jugosllavi” se “ky armik i përbetuar edhe më parë ishte dënuar me dhjetë vjet burg të rëndë”.

Mbi Mehmet Gegën dhe të akuzuarit tjerë rëndonte akuza “e organizimit të demonstratave antishtetërore, tentimit për rrënimin e rendit shtetëror, sulmit të organizuar ndaj policisë, shkatërrimit të objekteve shoqërore dhe cenimit të pronës publike e private”.

Sipas gazetës “SD”, të 3 qershorit 1969, Mehmet Gega e kishte formuar “grupin armiqësor” në vitin 1967, pasi kishte shkruar një platformë politike. Akuza e ngarkonte Gegën se deklaronte hapur që “maqedonasit i eksploatojnë shqiptarët”; se “punëtorët e arsimit dhe hoxhallarët e kishin për detyrë ta zgjonin vetëdijen kombëtare dhe shpirtin luftarak të shqiptarëve të RS të Maqedonisë, si përgatitje për çlirim përfundimtar”.

Mehmet Gega, sipas gazetës, i kishte kërkuar një hoxhe nga Tetova të organizonte lutje për dëshmorët shqiptarë, që ai e kishte pranuar kërkesën. I njëjti informacion është botuar edhe në gazetën sllovene “Delo” të 3 qershorit 1969 (f. 12). Kjo gazetë, më 19 qershor të vitit 1969 (f. 15), shkruante se Mehmet Gega u kishte thënë njerëzve se duhej të ndihmohej populli shqiptar dhe të emancipohej kulturalisht.

Lajmet për dënimin e Mehmet Gegës dhe të akuzuarve të tjerë japin detaje për procesin gjyqësor. Vërehet se të akuzuarit kishin mbajtur qëndrim dinjitoz përkundër presionit të ushtruar ndaj tyre.

Mehmet Gega kontribuoi edhe pas viteve 90-të. Ishte pjesëmarrës në protestat ku kërkohej barazi për shqiptarët. Në vitin 1990/91 përkrahu nismën për pajtimin e gjaqeve në Kosovë e Maqedoni. Për kontributin e tij, Adem Demaçi e quajti “hero i vërtetë i kombit”.

Nga viti 2006, kur iku në amshim, më nuk e shohim Mehmet Gegën hipur mbi biçikletën e vjetër. Kjo biçikletë e ka vendin në muze. Me këtë biçikletë lëvizi njeriu që nuk bëri pasuri, por pasuri e kishte idealin e tij. Kjo biçikletë është më e shtrenjtë se sa shumë vetura luksoze. Ajo është pjesë e kujtesës sonë. E vendosur në ndonjë muze do të bëhej pjesë e historisë, në pllakën e përjetshme të së cilës është gdhendur edhe emri i pronarit i saj –  të urtit Mehmet Gega.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button