Afaristët nga Maqedonia e Veriut dhe Kosova kërkojnë heqjen e testit PCR gjatë kalimit kufitar

Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) dhe Oda e Afarizmit të Kosovës kërkojnë nga pushtetarët të heqin testin e detyrueshëm PCR gjatë kalimit kufitar ndërmjet të dy vendeve, transmeton Portalb.mk.

“OEMVP dhe OAK apelojnë deri tek Qeveritë e të dy shteteve që të shfuqizojnë vendimin për PCR test negative të obligueshëm, në koordinim me ministritë dhe komisionet përkatëse në mënyrë që të mundësohet vazhdimi I bashkëpunimit të pandërprerë rajonal, duke ju përmbajtur të gjitha masave për mbrojtje dhe parandalim të Covid-19”, thuhet në komunikatë.

Ata vlerësojnë se kjo do të lehtësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, si dhe do të lehtësohet shkëmbimi tregtar, duke ndikuar në zhvillimin e ekonomisë së dy vendeve.

“PCR testi negative i obligueshëm i vendosur në të dyja shtetet po paraqet një barrier shtesë si për personat fizik, ashtu edhe për bizneset, sepse së pari goditet ekonomia e cila pëson humbje të mëdha nga ky vendim”, thuet në komunikatën e përbashkët.

Të dy Odat theksojnë se është e panevojshme të vendoset një test i tillë ndërmjet Kosovës dhe RMV-së, derisa të dy vendet nuk kanë vendosur një test të tillë me Shqipërinë.

Ndryshe, Maqedonia e Veriut dhe Kosova javën e kaluar diskutuan në Shkup gjendjen epidemiologjike me COVID-19, si dhe mundësinë e lehtësirave për lëvizjen e qytetarëve, jo vetëm mes dy vendeve, por edhe më gjerë në rajon. Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj para takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas, Venko Filipçe, ka folur për gjendjen epidemiologjike në Kosovë duke theksuar nevojën për lehtësira gjatë kalimeve kufitare.

Autoritetet e të dyja vendeve, për shkak të pandemisë, kanë vendosur kufizime për lëvizjen e qytetarëve duke lejuar qarkullimin vetëm me test negativ PCR, jo më të vjetër se 72 orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button