Serbia dhe Kosova midis SHBA-së dhe BE-së

Analizë speciale për Portalb.mk nga Malinka Ristevska Jordanova, Instituti për Politika Evropiane.

Marrëveshja, ose siç e quan BE, “dokumentet e dakorduara” midis Serbisë dhe Kosovës, me ndërmjetësim nga Presidenti i SHBA Tramp, në fillim të këtij muaji, shkaktoi një sërë reagimesh në komunitetin ndërkombëtar. U parashtruan pyetje nëse ishte e mundur të flitej për ndonjë marrëveshje dhe cila do të ishte vlefshmëria e saj. Nga ana tjetër, rajoni nuk mbeti pa komentuar fotot e Shtëpisë së Bardhë në formë të anekdotave, me një dozë të konsiderueshme të jugo-nostalgjisë.

Malinka Ristevska Jordanova

Këtu e shqyrtojmë vetëm rëndësinë e marrëveshjes, përkatësisht “dokumentet e dakorduara” për procesin e integrimit evropian të Serbisë dhe Kosovës.

Tre ditë pas nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë, më 7 Shtator të këtij viti, Vuçiq dhe Hoti u takuan me Komisionerin e BE-së për politikë të përbashkët dhe të jashtme Borel në Bruksel. Nga takimi doli një deklaratë e shkurtër e përbashkët e Vuçiqit dhe Hotit, qysh para takimit, ndërsa deklarata bënë edhe Komisioneri Borel dhe Përfaqësuesi special i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë Miroslav Lajçak. Prej tyre mund të nxirren dy mesazhe kryesore të BE-së.

E para: dialogu Beograd-Prishtinë të kthehet nën udhëheqje të Evropës. Për këtë arsye në  deklaratën e përbashkët, Vuçiq dhe Hoti “ia kanë konfirmuar komisionerit” se për ta “prioriteti më i lartë është integrimi në BE dhe vazhdimi i dialogut Beograd-Prishtinë, i lehtësuar nga BE, si një element vendimtar i rrugëve të tyre përkatëse në BE.”

Zyrtarët e BE madje shmangën përmendjen e “dokumentit” të nënshkruar në Shtetet e Bashkuara. Ata ia lanë këtë Vuçiqit dhe Hotit, të cilët në një deklaratë të përbashkët i referohen jo së “marrëveshje”, por “dokumente të dakorduar para pak kohe në Uashington DC”. Për më tepër, ata i vendosin këto “dokumente” në kontekstin e vazhdimësisë së dialogut “i cili mund të japë një kontribut të dobishëm për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve”. Kjo tregon qartë se BE e trajton marrëveshjen si të detyrueshme juridikisht, duke lënë hapësirë ​​për Vuçiqin dhe Hotin për ta relativizuar atë.

Sidoqoftë, është një fakt që për një kohë të gjatë, për ta thënë butë, nuk ka koordinim të fortë midis SHBA-së dhe BE-së në dialogun Beograd-Prishtinë. Nevoja për ta mohuar këtë në fillim të vitit tregoi qartë se kishte mosmarrëveshje dhe një garë për epërsi. Konkurrenca e tillë nuk i ndihmon as Beogradit as Prishtinës – si brenda dhe jashtë, dhe nuk i dërgon mesazh inkurajimi për rajonin.

Mesazhi i dytë është se Serbia dhe Kosova pritet të bashkërenditen me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së. Në një deklaratë të përbashkët, Vuçiq dhe Hoti u zotuan që të “dyfishojnë përpjekjet e tyre për bashkërenditje të mëtejme me BE-në në përputhje me angazhimet e tyre”. Sigurisht, kjo frazë mund të lexohet shumë përgjithësisht – harmonizimi me të gjithë acquis e BE-së, përkatësisht atë që është pjesë e Marrëveshjeve për stabilizim asociim. Sidoqoftë, në këtë kontekst, fraza i referohet harmonizimit me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së ose Kapitullit 31 të negociatave për aderim në BE. Si Serbia, ashtu edhe Kosova, nën Marrëveshjet e tyre për stabilizim asociim me BE, janë zotuar të “rritin harmonizimin me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE”.

Kjo do të nënkuptonte se BE pret të korrigjohen ose të mos zbatojë ato elemente të “dokumenteve” që janë në kundërshtim me politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë. Në këtë rast, është para së gjithash detyrimi i Serbisë për të zhvendosur ambasadën nga Tel Aviv në Jerusalem dhe njohja de facto e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit. BE ka pozicion të përbashkët (i cili është pjesë e legjislacionit të Bashkimit) me të cilin mbështet “zgjidhja me dy shtete”, përkatësisht BE konsideron se Jerusalemi duhet të jetë kryeqyteti edhe i Izraelit edhe i shtetit të ardhshëm Palestinez. Nëse zhvendos ambasadën e saj në Izrael nga Tel Aviv në Jerusalem, Serbia do të ishte vendi i parë evropian që e bën këtë, duke shkelur detyrimet e saj ndaj BE-së. Çështja tjetër është shpallja e Hezbollahut si tërësi organizatë terroriste ndaj së cilës Serbia dhe Kosova janë angazhuar në Shtëpinë e Bardhë, në përputhje me pozicionin e SHBA. Dallimi është se BE e konsideron krahun ushtarak të Hezbollahut organizatë terroriste, por jo edhe krahun politik.

Sidoqoftë, për Serbinë dhe Kosovën, por edhe për vendet tjera në rajon, çështjet e politikës së jashtme në të ardhmen mund të jenë shumë më të komplikuara sesa duken në shikim të parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button