RMV, Nesër do të fillojë trajnimi i mësimdhënësve për përdorimin e Platformës për mësim online

Ministria e arsimit dhe shkencës në Maqedoninë e Veriut nesër do të fillon trajnimin e mësimdhënësve për përdorimin e Platformës së vetme nacionale për mësim nga distanca, transmeton Portalb.mk. Ministria njoftoi se Platforma do të lëshohet në përdorim më 1 tetor.

Trajnimi do të zgjasë prej 16 shtatorit deri më 18 shtatori, duke filluar çdo ditë prej orës 09:00. Shkollat në këtë trajnim do të marrin pjesë me disa mësimdhënës (trajnues shkollor), të cilët do të trajnohen nga gjithsej 30 mësimdhënës (trajnuesit nacional) të qyteteve të ndryshme që janë trajnuar paraprakisht. Çdo trajnues nacional do të trajnon rreth 40 trajnues shkollor.

“Duke llogaritur faktin se kemi të bëjmë me rreth 1.200-1.300 trajnues të shkollës në gjithë territorin e vendit, trajnimi i tyre do të mbahet në grupe me nga 40 persona”, sqarojnë nga MASH.

Trajnuesit shkollor, njohuritë e tyre të fituara në këto ditë, do t’i shpërndajnë te të gjithë mësimdhënësit e shkollës në periudhën prej 21 deri më 23 shtator.

“Testimi i platformës do të realizohet në dy faza. Testimi në shkollat pilot do të realizohet më 24 dhe 25 shtator. Testimi në nivel të gjithë shkollave të shtetit do të realizohet në periudhën prej 28 deri 30 shtator. Platforma nacionale për mësim në distancë do të jetë në dispozicion më 1 tetor”, deklarojnë nga MASH.

Ministria gjithashtu kërkoi nga shkollat që të përforcojnë internetin ashtu që të jetë shpejtësia 20 mbps. Oliver Spasovski, kandidati për deputet nga LSDM-ja në zgjedhjet e fundit, gjatë fushatës parazgjedhore premtoi se do të vendosin internet ultra të shpejtë në gjithë shkollat fillore, digjitalizim dhe transformimi të programit mësimor në mandatin e ardhshëm.

Ndryshe, MASH raportoi se 113 shkolla fillore kanë kërkuar mbajtjen e mësimit me prani fizike. Prej 113-të shkollave, 79 janë fillore dhe 34 të mesme.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë.

Gjatë javës së kaluar nxënësit e shkollave të mesme protestuan në Shkup kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online. Ata në protestë theksuan se do të ketë bojkot e protesta tjera, nëse nuk do të kemi mësim të kombinuar. Gjithashtu, protestuan edhe nxënësit gjimnazistët e Strumicës. Kërkesa e nxënësve të shkollave të mesme ishte kthimi i tyre në shkollë dhe vazhdimi i mësimit, qoftë edhe në formë të kombinuar. Këto iniciativa janë përkrahur edhe nga Megjashi.

Sipas ligjeve në fuqi, shkollat duhet të fillojnë mësimin më 1 shtator në shkolla, ndërsa propozimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar. Pikërisht, një propozim të tillë për fillimin e mësimit nga 1 tetori, e propozoi edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button