fbpx

Mësimet e mësuara gjatë pandemisë së Covid-19.

E gjithë bota ishte në nxitim, teknologjia siç duket kishte arritur kulmin, njerëzit vraponin pas punës, pushtetit, parave, famës dhe sikur kishin harruar gjërat themelore të jetës. Bota siç dukej u bë e vogël, njerëzit sikur bënin gara kush më shumë të shëtis nëpër botë, të vizitoj vende të reja dhe të krenohet me jetën luksoze që po bën, derisa në botë shumë njerëz vuanin nga uria. Shpesh herë flas me veten time se a është e mundur që njerëzit të jenë më shumë solidar, a është e mundur që të mendojnë edhe për të tjerët, a është e mundur që të mos vënë interesin personal para gjithçkaje, por të mendojnë të mirën e përgjithshme?! Mendoj dhe nga ajo që shoh rreth meje duket ndryshe, vështirë, vështirë vërtet…

Qyteti im është i vogël, i rrethuar me male, afër kemi dy lumenj që mbushin një liqe artificial, ndryshe i thonë edhe Dibër e Madhe edhe pse Dibra në të vërtetë është e vogël, dikur emri i qytetit tim ishte i madh, po kohërat ndryshuan, shumë njerëz u larguan dhe qyteti im mbeti disi i harruar, i lënë anash edhe pse ka shumë pasuri dhe bukuri natyrore.

Të gjithë me padurim e prisnim pranverën, pas dimrit të gjithë kemi nevojë për diell e dielli sjell  buzëqeshje dhe gëzim në zemrat e njerëzve, megjithatë pranvera na solli atë që nuk e prisnim, na solli virusin që na ndryshoi jetën. Në fillim kur dëgjuam për këtë virus nuk e besuam fare, eh Kina është shumë larg, megjithatë çudi se si erdhi aq shpejt edhe atë në qytetin tonë të vogël që i thonë edhe ”zorë qore e Maqedonisë ”. Ne ishim të parët që na mbyllën në karantinë, e mësuam jetën në karantinë edhepse nuk ishte e lehtë. Asnjëherë nuk kishim qënduar aq shumë me njërit-tjetrin, u njohëm më shumë, u deshëm më shumë po shpesh edhe u grindëm. Destinacioni i ditës ishte për të gjithë njëlloj: dhomë, korridor, ballkon, banjë, vështirë vërtet vëshitrë. Problemi më i madh ishte për ne meshkujt, se ne si shqiptarë e kemi vështirë të rijmë në shtëpi, në shtëpi më shumë rijnë gratë të cilat edhe nëse punojnë i bëjnë edhe punët e shtëpisë, femrat dibrane janë nikoqire, janë punëtore dhe prandaj kurbetqarët vijnë e na i marrin vajzat më të mira, e si thoni ju si të bëhet Dibra e madhe?! Ikin vajzat, do  ikim edhe ne djemtë!.

Eh! Gjithë jetën punojnë njerëzit të blejnë shtëpi, marrin kredi, futen në borxhe e kur të thonë ri në shtëpi nuk ri dot, hë de këtij i thonë problem! Ne si dibranë jemi në përgjithësi njërëz të urtë që i respektojmë masat dhe kësaj radhe e treguam qytetarinë dhe u morëm si shembull. Virusi iku dhe ne e vazhduam jetën si më parë, por për fat të keq kjo gjendje nuk zgjati shumë dhe virusi na erdhi përsëri si një mik i pa ftuar.

Jetët tona ndryshuan shumë, unë këtë kohë kam lexuar më shumë se zakonisht, kam përgatiur vetë ushqimin dhe po shoh se më pëlqen gatimi, shoh se edhe mami ndjehet e lumtur kur unë e përgatis vetë mëngjesin, po edhe vëllai i lëpin buzët dhe i përgatis edhe atij, siç duket të gjithë jemi më të lumtur. Kemi ndenjur aq shumë me njëri- tjetrin, kemi ndihmuar si të them jemi bërë një ekip i fortë, mamit i shpjegojmë gjërat që i duhen për përdorimin e kompjuterit, ndërsa ajo na mëson si të pastrojmë e gatuajmë, ndërsa babin e kemi adhurues të natyrës, ai jeton për peshkim, pra kohën e pandemisë e kemi kaluar edhe duke punuar por edhe duke zbuluar pasjonet tona. Këto ishin anët e mira të pandemisë pra: koha që kaluam bashkë me familjen e ngushtë, kujdesi për shtëpinë, rëndësia e higjenës, edhepse kjo puna e higjenës gati na çmendi, mbetëm duke dezinfetkuar çdo gjë.

Fatkeqësisht pandemia vazhdon e nuk e dijmë se si do shkojnë punët, po ne kemi mësuar shumë gjëra si : të duam më shumë njerëzit, të respektojmë të tjerët, të bëjmë plane afatshkrutra se jetës nuk i dihet, t’a shfrytëzojmë çdo moment dhe mos e humbim kohën kot, të kujdesemi për ambientin ku jetojmë, të kursejmë se jetës nuk i dihet, të eksplorojmë vendin tonë dhe të vlerësojmë bukuritë e vendit tonë. Dashuria dhe puna për vendin është shumë e rëndëshishme, njerëzit në bazë të punës kanë arritur që shkertëtirat t’i shfytëzojnë e t’i bëjnë vende të njohura e pse të mos bëhet vendi ynë një vend i njohur. Ne duhet të promovojmë bukuritë e vendit tonë e  të krenohemi me to, ne e kemi Grykën e Radikës, kemi Lumin Drin, kemi ajër të pastër po duhet të kemi kujdes e t’i përkushtohemi kësaj pasurie që na e ka dhuruar Zoti. Sejcili kontributin e tij duhet ta jep në vendin e vet, të ardhmen të mundohemi ta shohim në vendin tonë, njerëzit duhet të medojnë për ndryshim, mos shohin vetëm interesin personal, por të mirën e përgjithshme, po të punojmë e të veprojmë bashkë vendi ynë do të bëhet më i mirë dhe më i bukur. Zot bekoje vendin tim!

Veton Sela, me këtë ese, është fitues i vendit të tretë në Konkursin për esenë më të mirë, që është aktivitet i projektit “Të rinjtë gjithmonë aktiv, edhe në kohë sfiduese”, i cili implementohet nga Instituti për Lidership dhe Politika Publike, kurse mbështetet nga Ambasada Britanike në Shkup.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close