Kosovë, u nënshkrua marrëveshje që ofron bursa për studime në universitetet e BE-së

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi dhe Rektori i Universitetit të Prishtinës (UP), Marjan Dema, kanë nënshkruar marrëveshje për zbatimin e programit për ofrimin e bursave për studime në universitetet e Bashkimit Evropian (BE) për studentët kosovarë, raporton Anadolu Agency (AA).

Ofrimi i bursave siç u tha nga nënshkruesit e marrëveshjes, do të jetë për studentët që dëshirojnë të studiojnë në fushën e arkitekturës, antropologjisë dhe arkeologjisë në vende të ndryshme të BE-së.

Ministrja Vlora Dumoshi tha se kjo është marrëveshja e tretë që po nënshkruhet në të cilën do të përfitojnë studentët e UP-së duke e konsideruar si “mjaft domethënëse për gjeneratat”.

“Sot është 15 shtatori, fillon muaji i trashëgimisë me mesazhin ‘Trashëgimia dhe Edukimi’. Andaj, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit sot po nënshkruan marrëveshje që është domethënëse për gjeneratat, për ekspertët e fushave të cilat janë shumë të ndjeshme. Studentët tanë më të mirë të studiojnë dhe të marrin ekspertizën nga BE dhe të kthehet truri ynë në Kosovë dhe të punojë. Kosova i ka institucionet e veta dhe ne kemi nevojë për ngritjen e kapaciteteve njerëzore, prandaj këto marrëveshje kanë domethënie”, tha Dumoshi.

Rektori Dema, i cili është në përfundim të mandatit të tij, tha se kjo marrëveshja është shumë e rëndësishme, nga e cila do të mund të përfitojnë shumë studentë.

“Me anë të marrëveshjes do të përfitojnë shumë studiues, hulumtues, shumë studentë e me çka do të jetë një mënyrë dhe simulim që të kenë entuziazëm më të madh për të studiuar, hulumtuar në tri fusha që fatkeqësisht nuk janë prekur më përpara. Në arkitekturë, antropologji dhe arkeologji”, tha Dema i cili shtoi se këto bursa do të japin një mundësi më të madhe që të ketë ekspertë të këtyre fushave.

Universiteti publik i Prishtinës “Hasan Prishtina” është universiteti më i madh dhe më i vjetër në Kosovë, në të cilin, në çdo vit akademik regjistrohen rreth 5 mijë studentë të rinj.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button