SHBA bllokoi disa eksporte nga Ksinjiangu i Kinës

Shtetet e Bashkuara i urdhëruan zyrtarët kufitarë që t’i bllokojnë dërgesat e veshjeve, të pjesëve kompjuterike dhe të disa prodhimeve të tjera, të bëra në disa lokacione të rajonit Ksinjiang të Kinës, shkruan REL.

Me këtë veprim, administrata e Donald Trumpit synon t’i bëjë presion Kinës për trajtimin e myslimanëve ujgurë në Ksinjiang.

Sipas SHBA-së, autoritetet i shfrytëzojnë objektet e prodhimit në këtë rajon për punë të detyruar ose burgim.

Kina besohet se ka ndaluar mbi një milion njerëz nga Ksinjiangu, duke thënë se paraqesin rrezik për sigurinë.

Ajo thotë se programet e saj ofrojnë trajnim dhe shkollim për punë dhe se janë të nevojshme për të luftuar terrorizmin dhe kërcënimet e separatistëve.

Uashingtoni dhe Pekini janë përplasur vazhdimisht për këto praktika.

SHBA-ja e ka akuzuar Kinën për abuzim me të drejtat e njeriut.

Urdhrat për bllokimin e dërgesave “i dërgojnë mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar se ne nuk do t’i tolerojmë praktikat e paligjshme, çnjerëzore dhe shfrytëzuese në zinxhirët e furnizimit në SHBA”, tha Mark Morgan, ushtrues i detyrës së komisionarit të Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorëve dhe Kufijve të SHBA-së.

Kina prodhon rreth 20% të pambukut në botë dhe pjesa më e madhe e tij vjen nga Ksinjiangu.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button