Maqedoni e Veriut: Shtrenjtohen çmimet, varfërohet shporta e konsumatorëve

Sipas përllogaritjeve që kanë bërë së fundmi sindikatat në Maqedoninë e Veriut, shporta konsumuese e një familjeje katër anëtarëshe arrin vlerën prej rreth 550 eurosh, ndërkohë sipas të dhënave të Entit shtetëror të Statistikave, paga mesatare gjatë muajit korrik ishte në vlerë prej 436 eurosh.

Gjatë muajit gusht të këtij viti, shpenzimet për jetesë janë rritur për 0.5 për qind, krahasuar me muajin korrik, ndërkohë që çmimet në pakicë të produkteve në dyqane janë rritur për 0.8 për qind.

Gjatë gushtit të vitit 2020, është shtrenjtuar çmimi i energjisë elektrike për 7.4 për qind. Sa i përket produkteve ushqimore, ka pasur shtrenjtim të qumështit me 0.5 %, djathi dhe gjiza janë shtrenjtuar për 0.2 %, çmimi i orizit është rritur për 0.4 %, ndërkaq ai i birrës ka shënuar rritje prej 0.3 %.

Në rritjen e çmimeve rritjen e shpenzimeve të jetesës ka ndikuar në formë të drejtpërdrejtë rritja e çmimit të energjisë elektrike, thotë për Radion Evropa e Lirë Arianit Xhaferi, i cili është njëri nga organizatorët e protestave që u mbajtën nga organizatat joqeveritare dhe partitë e opozitës, kundër shtrenjtimit të rrymës.

Qytetarët në Maqedoninë e V. kundërshtojnë shtrenjtimin e energjisë elektrike

“Shtrenjtimi i energjisë elektrike si për amvisëritë ashtu dhe për industrinë, sigurisht se ka ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve, por edhe shërbimet për qytetarët për faktin se rritet kostoja e prodhimit”, thotë Xhaferi.

Xhaferi thotë se në kohë të pandemisë së koronavirusit, shumë biznese dhe qytetarë po përballen me vështirësi ekonomike, andaj sipas tij, nuk është dashur të shtrenjtohet çmimi i energjisë elektrike.

“Qytetarët muajin e fundit ankohen jo vetëm për faturat e larta të energjisë elektrike, por edhe për shkak të shtrenjtimit të produkteve. Shporta familjare është varfëruar sepse tani gjithnjë e më shumë ajo po zbrazet sepse me të njëjtat para mund të blejnë më pak gjëra”, thotë Xhaferi.

Qytetarët e anketuar nga Radio Evropa e Lirë thonë se pandemia e koronavirusit ka prekur shumë sektorë, andaj sipas tyre është vështirësuar edhe sigurimi i të ardhurave.

“Jemi duke e arnuar çdo muaj, çka të paguaj më parë, faturat e rrymës, ato të ujit apo ushqim? Nuk mjafton pensioni. Ndërkohë që shohim se disa produkte në dyqane po shtrenjtohen, dyqanxhinjtë thonë se çka janë një ose dy denarë (15-30 centë), por pensioni është i vogël dhe e ndjejmë çdo lëvizje të çmimeve”, thotë Vera, e cila të ardhurën e vetme financiare që ka është pensioni.

Njohësi i çështjeve ekonomike, Arben Halili, thotë për Radion Evropa e Lirë, se me rritjen e çmimeve është goditur buxheti familjar, në kohën kur, për shkak të pandemisë, familje të shumta në Maqedoninë e Veriut po përballen me vështirësi ekonomike.

“Në këto kushte në të cilat ndodhet Maqedonia e Veriut me standarde të ulët, respektivisht me nivelin e pagës minimale fatkeqësisht, nuk mund të pretendojmë të kemi një mirëqenie të dinjitetshme për çdo qytetarë. Dhe pavarësisht kohës dhe mundit si dhe përkushtimit që japin punëtorët në vendin e punës me një rrogë prej 18 apo 20 mijë denarëve ( 290 euro, respektivisht 325 euro) sigurisht se nuk mund të plotësojnë nevojat e tyre që janë pjesë e shportës konsumuese”, thotë Halili.

Nga ana tjetër, Zoran Ivanovski, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shkupit, thotë se gjatë muajve në vazhdim sfidë do të mbetet mbajtja gjallë e sektorit të biznesit, me këtë edhe sigurimi i pagave për një pjesë të madhe të punëtorëve që punojnë në këtë sektor, në të kundërtën, shton ai, buxheti familjar do të pësojë kolaps.

“Do të jetë e patjetërsueshme të mbahet gjallë sektori privat, prej ku sigurojnë paga një numër i madh i qytetarëve dhe njëkohësisht përmes pagesës së tatimeve, mbushet edhe arka e shtetit”, thotë Ivanovski.

Maqedonia e Veriut: Virusi rrit papunësinë në mesin e të rinjve

Ndërkaq kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka theksuar se prioritet i qeverisë që ai drejton, mbetet subvencionimi i kompanive më të goditura nga kriza e shkaktuar nga pandemia, duke mos lënë anash edhe qytetarët që janë kategori të ndjeshme sociale, siç janë pensionistët, të papunët dhe rastet sociale. Atyre, sipas kryeministrit Zaev, pritet t’iu ndahen kuponë në vlerë të caktuar për blerjen e produkteve vendore.

Pandemia e koronavirusit ka prekur më shumë familje, duke ua ulur të ardhurat për shkak të largimit nga puna të më shumë se 30 mijë punëtorëve. Ndërkaq, një pjesë e madhe e punëtorëve tashmë po punojnë me kohë të pjesshme, gjë dhe që ka çuar në uljen e pagave.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button