Irani dënoi arritjen e marrëveshjes mes Bahrejnit dhe Izraelit

Irani ka dënuar sot vendimin e Bahrejnit për të vendosur marrëdhënie të plota diplomatike me Izraelin.

Shtëpia e Bardhë njoftoi për marrëveshjen më 11 shtator, vetëm katër javë pasi Emiratet e Bashkuara Arabe arritën marrëveshje të ngjashme me Izraelin. Të tri shtetet planifikojnë që të marrin pjesë në një ceremoni, që do të mbahet në Uashington javën e ardhshme, transmeton REL.

“Ishte një vendim i ulët dhe i turpshëm që do të hyjë në histori si akt skandaloz”, tha Ministria e Jashtme iraniane përmes një njoftimi për media.

Kjo ministri akuzoi Bahrejnin se ka sakrifikuar palestinezët për hir të fushatës për rizgjedhjen e presidentit amerikan, Donald Trump.

“Populli palestinez dhe bota islamike asnjëherë nuk do të pranojnë normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin”, tha Ministria e Jashtme e Iranit.

Muajin e kaluar, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Izraeli arritën marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve dhe atëbotë u përfol se të njëjtën gjë mund ta bëjë edhe Bahrejni.

Presidenti Trump ka ndihmuar në arritjen e të dyja marrëveshjeve, si pjesë e presionit diplomatik për të integruar plotësisht shtetin hebre në Lindjen e Mesme.

Bahrejni është pajtuar që ta formalizojë marrëveshjen me Izraelin në një ceremoni në Shtëpinë e Bardhë më 15 shtator, ku Emiratet e Bashkuara Arabe po ashtu do ta nënshkruajnë marrëveshjen për normalizim me Izraelin.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button