fbpx

A ka kush e ndal ekzodin e shqiptarëve?

Nuk besoj se për politikanët shqiptarë (drejtuesit e subjekteve politike, ministrat, kuvendarët dhe gjithë ata që ushtrojnë çfarëdolloj detyre me peshë…) ekziston aktualisht ndonjë detyrë më urgjente se ndërprerja e ekzodit masiv të të rinjëve, e boshatisjes së trojeve stërgjyshore që është bërë shumë alarmante dhe e pakrahasueshme me ndonjë rajon tjetër të vendit të  çudirave. Ata që vazhdojnë ta minimizojnë këtë tragjedi të paparë nëpër të cilën po kalon qenia shqiptare duhet të esëlltohen dhe të ndalin relativizimin e shuarjes sonë kaq të shpejtë duke bërë krahasime me të tjerët. Ata duhet ta thonë të vërtetën lakuriqe të kësaj gjëme të papërjetuar më parë në kohëra pa zjarre lufte dhe ta gjejnë mënyrën për ta ndalur urgjentisht ekzodin e të rinjëve para se të bëhet tepër vonë. U takon atyre t’u përgjigjen drejt ca pyetjeve të thjeshta, si:

  • A e braktis dikush këtë vend më shumë se shqiptarët?
  • A është përqindja e të ikurve 3-4 vitet e fundit e njëjtë ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve në raport me numrin e tyre të përgjithshëm?
  • A ikin maqedonasit për të punuar si të rinjtë tanë çfarëdolloj pune në vendet evropiane?
  • A marrin edhe 15 vjeçarët maqedonas rrugën e kurbetit?
  • A janë shkaqet e njëjta të ikjes së të tjerëve nga ky vend?
  • A është përqindja e njëjtë e të rinjëve të papunë shqiptarë dhe maqedonas?
  • A ballafaqohen ata me padrejtësitë dhe paperspektivën e jetës të cilat u dalin përpara të rinjëve shqiptarë?

Vetëm kësisoj do të kuptohet se kush në të vërtetë po braktis më masivisht vendin, gjë që legjitimon dyshimin se prapa kësaj pune qëndron ndonjë memorandum i përpiluar nga ata që, qysh tani, e shpërfaqin publikisht kënaqësinë për rënien drastike të numrit të etnisë përqindje…

Në një analizë që bëra verën e kaluar për rrënien e shpejtë të numrit të nxënësve nëpër shkollat shqipe të Tetovës me rrethinë, theksova se zbrazja e hovshme e viseve shqiptare nuk ka asgjë të përbashkët me kurbetin që kemi njohur gjer më tani, sepse viteve të fundit rë rinjtë shpërngulen familjarisht për t’mos u kthyer kurrë më këtu.

Po jua rikujtoj vetëm disa të dhëna nga analiza e sipërpërmëndur, për ta kuptuar drejt realitetin pelin. Kështu, në shkollën fillore “Besa” të fshatrave Veshallë e Bozofcë, për 20 vjet numri i nxënësve ka rënë nga 450 në 78;  në shkollën “Rexhep Voka” të Shipkovicës, nga 700 në 156; në shkollën “Hasan Tahsini” të Sedllarevës,10 vitet e fundit numri i nxënësve ka rënë nga 420 në 64; për kaq kohë numri i nxënësve në shkollën “Sabedin Bajrami” të Kamjanit ka rënë nga 1300 në 250; në shkollën “Dervish Cara” të Pallçishtit të Poshtëm nga 700 në 400; në shkollën “Asdreni” të  Gllogjës nga 500 në 250. Situata është e njëjtë edhe në fshatrat: Trebosh, Pallaticë, Shemshovë, Zhelinë, Poroj, Xhepçisht, Xhermë, Llacë, Sellcë, Lisec, Gajre, Brodec, Vicë, Uzurmisht, Tearcë, Sllatinë, Përshefcë, Odër, Miletinë, Stërmnicë, Zherovjan, Reçicë e Madhe,  Novakë, Bogovinë, Pirok, Novo Sellë, Grupçin, Debërcë, Llërcë, Rogle…

Edhe më e trishtueshme është situata në Gostivarin dhe rrethinën e tij të përgjysmuar brenda pak vitesh, për t’mos folur këtu për Kërçovën, Dibrën, Strugën, Ohrin, Manastirin, Resnjën…, ku jeta shqiptare është shuar ose është në grahmat e fundit.

Ekzodi masiv i të rinjëve ka vënë në rrezik funksionimin e shkollave fillore, shkollave të mesme dhe universiteteve ekzistuese. Ai ua ka vënë drynin dyqaneve e ekonomive të vogla, i ka bërë tokat djerrinë, ka lënë bjeshkët pa bagëti… Popullata rezidente shqiptare po plaket me të shpejtë. Në fshatrat malore kanë nisur të rrënohen shtëpitë deri dje të mbushura me jetë. Dritaret e shtëpive më të bukura të fshatrave të fushës janë me roletne, me oxhaqe që nuk timojnë më, me rrugina të mbuluara me barishte. Edhe qytetet po mbeten pa të ardhme. Lagjet e vendbanieve shqiptare, që dikur gumëzhinin nga fëmijët, sot janë qetuar. Në to jetojnë kryesisht pleq të vetmuar, që presin me ankth vetmie fundin e jetës. Atë copë shprese të të rinjëve që kanë mbetur akoma këtu e vret, si askush e asgjë tjetër, padrejtësia dhe hajdutëria e hapur – jeta luksoze, pallatet mbretërore, vilat aristokrate bregdeteve dhe bjeshkëve atraktive, restoranet ekstravagante, foristradat e shtrenjta të matrapazëve, që 30 vitet e fundit ushtruan apo ushtrojnë detyra të rëndësishme, po që, në vend të përpjekjeve për të bërë diçka për të mirën e përgjithshme, u bënë hajna dhe të vetmit mirëqenia e të cilëve grafllon gjithanshëm. Të tillët janë në fakt vrasësit e të ardhmes të atdheut të vetëm që Hyji krijoi për ne.

Prandaj them se nuk ka më vend për pallavra. Politikanët shqiptarë (ata që e konsiderojnë veten të paqtë dhe të papërlyer), duhet të kërkojnë llogari prej hajdutëve të pacipë, t’ua sekuestrojnë pasuritë e vjedhura dhe t’i investojnë ato për të mirën e të gjithëve. Ndryshe të gjithë do të përfundojnë në kamaren e turpit dhe do të jenë përgjegjës për shuarjen e jetës shqiptare nga trojet parajësore të të parëve tanë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Shiko edhe
Close
Back to top button
Close