fbpx

Yuri Kim: Gjykata Kushtetuese të funksionojë deri në fund të vitit

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës Yuri Kim iu rikthye sot (e enjte) çështjes së Gjykatës Kushtetuese gjatë një vizite që zhvilloi në qytetin e Shkodrës. Duke ju përgjigjur pyetjes së gazetarëve ambasadorja amerikane tha se Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë duhet të ngrihet deri në fund të këtij viti.

“Sikurse jeni në dijeni, Shqipëria ka qenë pa një Gjykatë Kushtetuese për një kohë të gjate. Kjo nuk është një situatë e pranueshme për një vend që është anëtar i NATO-s dhe një vend që aspiron të anëtarësohet në BE.

E kam thënë edhe më parë, tha ambasadorja Kim, se opsioni i dhënë nga Komisioni i Venecias ofron një mundësi për të ecur përpara. “Kemi qenë të kënaqur gjithashtu që edhe kryetari i Kuvendit, zoti Ruçi, ka rënë dakort që, deri në fund të vitit, duhet të ngrihet Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë”, shtoi ajo, transmeton VoA.

Ambasadorja Kim nxiti përfaqësuesit e partive politike që të vazhdojnë dialogun në Këshillin Politik për reformën zgjedhore dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Kjo, tha ambasadorja, është përgjegjësi e drejtuesve politikë të Shqipërisë dhe jo e ambasadores amerikane. Ajo shtoi se do të luajë një rol në mbështetjen e këtyre përpjekjeve, por ky është një vend sovran dhe zyrtarët e zgjedhur kanë një përgjegjësi, të cilës nuk mund t’i largohen sic tha ambasadorja.

“Mendoj që është një lajm i mirë që palët politike, si ato që janë brenda në Kuvend si dhe ato që janë jashtë tij, të mund të mblidhen së bashku për të diskutuar për çështje mbi të cilat mund të bien dakort. Jam e sigurt se do të zhvillohen debate të shëndetshme dhe gjithashtu entuziaste, por jam gjithashtu po aq e sigurtë që në fund do të arrijnë një kompromis për popullin shqiptar”.

Ambasadorja amerikane ishte e prerë sot ndaj përpjekjeve, siç u shpreh ajo, të disa personave për të penguar funksionimin sa më parë të Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, përmes intimidimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

“Mendoj që është një gjë e mirë dhe ka ardhur koha që SPAK të jetë plotësisht funksional. Kemi parë që disa po përpiqen t’i pengojnë në punën e tyre dhe madje t’i intimidojnë gjykatësit dhe prokurorët, por ka ardhur koha që t’i qëndrojmë fort ndaj këtyre personave”.

Ambasadorja amerikane Yuri Kim u rikujtoi sot krerëve të partive politike letrën që u ka dërguar me 31 gusht, në nisje të përzgjedhjes së kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 2021. Ambasadorja tha se ligjet e Shqipërisë janë të qarta dhe se kushdo, që e ka marrë atë letër, e di saktësisht se “për çfarë jam duke folur”.

Tags

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close