Sot mbaron afati, vetëm 36 shkolla në RMV kanë kërkuar ndjekjen e mësimit me prani fizike

Mila Carovska, ministrja e arsimit në Maqedoninë e Veriut raportoi se sot janë dorëzuar kërkesa për mbajtjen e mësimit me prani fizike vetëm nga 36 shkollat e vendit, transmeton Portalb.mk.

“Deri më tani gjithsej 36 shkolla kanë dorëzuar kërkesën për mësimin me prani fizike, prej të cilat 15 janë shkolla të mesme dhe 21 janë shkolla fillore. Afati mbaron deri në fund të ditës, dhe pastaj do të pritet edhe tri ditë të tjera për ndonjë kërkese eventuale që është dorëzuar me postë”, raportoi Carovska.

Ajo theksoi se Komisioni qeveritar do të vendosë për çdo kërkesë, duke sqaruar që në seancën tjetër qeveritare pritet të kemi edhe vendimet e para.

Ndryshe, sot u mbaron afati komunave, që si themelues të shkollave duhet t’i përgjigjen MMASH-it për modelin e mësimit në shkollat e tyre dhe të aplikojnë për prani fizike, ndërsa MASH dhe komisioni qeveritar do t’u japin leje nëse plotësohen kushtet.

Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e parë formoi Komisionin që do të vendosë për ndonjë shkollë të caktuar se a do të ndjekë mësimin me prani fizike apo online, nëse paraprakisht parashtrohet një kërkesë e tillë.

Gjatë javës së kaluar nxënësit e shkollave të mesme protestuan në Shkup kundër propozimit që mësimi të zhvillohet online. Ata në protestë theksuan se do të ketë bojkot e protesta tjera, nëse nuk do të kemi mësim të kombinuar. Gjithashtu, protestuan edhe nxënësit gjimnazistët e Strumicës. Kërkesa e nxënësve të shkollave të mesme ishte kthimi i tyre në shkollë dhe vazhdimi i mësimit, qoftë edhe në formë të kombinuar. Këto iniciativa janë përkrahur edhe nga Megjashi.

Sipas ligjeve në fuqi, shkollat duhet të fillojnë mësimin më 1 shtator në shkolla, ndërsa propozimi i Qeverisë në seancën e 82-të qeveritare është që mësimi të fillojë më 1 tetor dhe mësimi të jetë në shkolla për nxënësit nga klasa e parë në të tretën, me disa përjashtime, duke respektuar Protokollin e miratuar. Pikërisht, një propozim të tillë për fillimin e mësimit nga 1 tetori, e propozoi edhe kryetari i LSDM-së dhe kryeministri Zoran Zaev.

Anketa e Avokatit të Popullit theksoi se vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike. Anketa ishte zhvilluar nga qershori në gusht, ku kishin marrë pjesë 72 shkolla nga gjithë vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button