9/11

Nesër shënohet përvjetori i sulmit terrorist mbi Kullat Binjake që ndodhi me 11 shtator 2001. Ishte kjo dita që ndryshoi shumë gjëra në aspekt global. Ishte kjo dita prej kur asnjë udhëtim më nuk ishte si më parë. Ishte kjo dita kur ndasitë e dukshme në botë mes njerëzve me përkatësi të ndryshme fetare dhe etnike filluan të bëhen ende më të thella, dhe me më shumë pasoja. Për gati se njëzet vite bota funksionon në kuadër të këtij realiteti të ri që u krijua atë ditë shtatori me diell. Sulme të ngjashme ndodhën vit pas viti duke marrë viktima të njëpasnjëshme, duke shkaktuar pasiguri dhe mosbesim mes njerëzve. Politika të reja për luftimin e ekstremizmit të dhunshëm u krijuan në ndërkohë, por problemi ende nuk ka një zgjidhje afatgjate dhe vazhdon të shfaqet në forma dhe vende të ndryshme, gjithnjë me karakteristika të reja që përshtaten nga rasti në rast, nga vendi në vend.

Ky realitet i ri botëror u trondit sërish në vitin 2020 nga një krizë tjetër e madhe globale, pandemia Covid19. Dhe vërtet përhapja e këtij virusi në gjithë botën nuk ka se si të mos gjasojë me një sulm të fshehtë terrorist, por me përmasa të gjera, maramendësisht të gjera. E gjithë bota i përjeton të njejtat simptome, dhe të njejtën dhimbje të përbashkët.

Ky virus depërton lehtësisht nëpër shtëpi, dhe nuk e shfaq vehten, është i padukshëm. Shpesh ndodh të mos e dimë qe e kemi, të jemi asimptomatikë. Atëherë jemi si një bombë e gatshme për eksplodim, e që nuk e di se është bombë. Si të tillë, të infektuar, ne hymë dalim nëpër vende të mbyllura, dhe jemi rrezik potencial për të infektuar gjithkë të cilin e takojmë. Si të tillë ne hymë në shtëpitë tona, pikërisht si një bombë që nuk e di se është bombë, dhe në shtëpi ku nuk mbajmë as maskat i infektojmë anëtarët e familjes pa e ditur që e bëjmë këtë gjë. Dhe kur fillojnë shfaqen sipmtompat, atëherë secili reagon në mënyrën e vet. Ne mund të vazhdojmë të mbesim asimptomatik ose mund të kemi simptoma të lehta. Por grupmoshat e rrezikuara shpesh tregojnë simptoma të rënda dhe atëherë fillon gara me kohën. Ky virus është aq dinak dhe i paparashikueshëm që mbrëmja nuk ngjan me mengjesin, e as dreka me darkën. Gjendja e personit të infektuar ndyshon nga çasti në çast, dhe për një periudhë të shkurtër ajo mund të përkeqësohet dhe të ketë pasoja fatale. Kjo pasiguri e madhe ka pasoja shumë të mëdha tek të gjithë që e përjetojnë. Frika dhe stresi për mirëqenien e të afërmve por edhe të vetvehtes është thjeshtë e papërshkrueshme.

Prandaj duhet pasur kujdes. Edhe pse tani jemi në një periudhë më të qetë ku nuk ka numër të madh të të infektuarve, duhet pasur parasyshë që dimrin e kemi para dhe ky pritet të jetë një dimër i gjatë dhe i vështirë. Prandaj sa më shumë që kemi kujdes aq më mirë për të gjithë ne. Prandaj masat parandaluese duhen respektuar në maksimum sepse një lëshim i vetëm është i mjaftueshëm për tu përballur me pasojat e sëmundjes dhe për të luftuar me ndërgjegjen tonë pastaj. Tani koha është ende e ngrohtë dhe vala e re e sëmundjes ende nuk ka filluar. Së shpejti do të fillojë edhe gripi sezonal dhe atëherë kombinimet do të jenë vërtet shumë të vështira për tu përballuar.

Le të mendojmë për mjekët dhe personelin mjekësor të cilët për çdo ditë meren me pacientë të sëmurë nga Covid19. Le ta kuptojmë sakrificën që ata e bëjnë për ne. Le tu ndihmojmë duke qenë maksimalisht të kujdesshëm sepse kur spitalet të mbushen dhe çdo shtrat të jetë i zënë, ajo garë me kohën do të përkesësohet dhe vështirësohet edhe më shumë. Prandaj le të bëjmë më të mirën tonë për të mbrojtur veten dhe të tjerët rreth nesh, sepse kjo luftë jo vetëm që nuk ka mbaruar, por e njëjta do të na mundojë për një kohë të gjatë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button