Bisedë telefonike Vuçiç-Putin: Serbia dhe Rusia miq të sinqertë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin konfirmuan sot në një bisedë telefonike se të dy vendet janë miq të sinqertë, bashkëpunimi i të cilave bazohet në besimin e ndërsjellë, raporton Anadolu Agency (AA).

Vuçiç informoi Putinin për bisedimet në Washington dhe Bruksel. Ata shkëmbyen mendime mbi situatën në Ballkan dhe diskutuan mbi çështjet aktuale të partneritetit strategjik Serbi-Rusi, përfshirë zhvillimin e dialogut në nivelin më të lartë.

Të dy bashkëbiseduesit konfirmuan se Serbia dhe Rusia janë miq të sinqertë, bashkëpunimi i të cilave bazohet në besimin e ndërsjellë, thuhet në njoftimin nga kabineti i Vuçiçit.

Vuçiç theksoi se Serbia është një vend ushtarakisht neutral dhe Putini përshëndeti përcaktimin e vendosur të Serbisë.

“Pavarësisht nga pesha dhe kompleksiteti i pozitës së saj gjeopolitike, të sigurisë ushtarake dhe ekonomike, Serbia do të mbrojë parimet e neutralitetit ushtarak dhe do të mbetet një partner i vërtetë dhe korrekt i Federatës Ruse”, tha presidenti serb.

Ai shprehu mirënjohje për Putinin për mbështetjen e palëkundur të Rusisë për integritetin territorial dhe sovranitetin e Serbisë si dhe për përpjekjet e saj për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon.

Putini tha se Federata Ruse do t’i sigurojë Serbisë mbështetje politike në përpjekjet e saj për të ruajtur integritetin e saj territorial dhe të koordinojë veprimet e saj të politikës së jashtme me Serbinë, të gjitha me qëllim të mbrojtjes së rendit ndërkombëtar publik dhe ligjor.

Dy presidentët theksuan se lidhjet ekonomike midis Serbisë dhe Rusisë po forcohen vazhdimisht, por që mundësitë për bashkëpunim në fushën e ekonomisë janë shumë më të mëdha se ato të përdorura, kështu që ka vend për projekte të reja të përbashkëta.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button