U afrua për të qetësuar sherrin, gjen vdekjen tragjikisht 21-vjeçari në Itali

E gjithë Italia është tronditur nga vdekja e një të riu 21-vjeçar, i cili u rrah barbarisht nga agresorët pasi ndërhyri për të qetësuar një sherr, transmeton Class.

Willy Monteiro Duarte, një 21-vjeçar me ngjyrë, i lindur në Romë, vdiq pasi ndërhyri për të ndaluar një sherr tjetër. Agresorët ishin 4 të rinj të bardhë, të cilët tashmë janë vënë nën pranga.

Siç mësohet nga mediat italiane, Willy Monteiro Duarte ndërroi jetë mëngjesin e së dielës, në Colleferro, afër Romës, pasi u bë pjesë e një përleshjeje me katër djem të tjerë midis moshës 22 dhe 26-vjeçare.

Të arrestuarit janë dy vëllezër, Marco dhe Gabriele Bianchi, Mario Pincarelli dhe Francesco Belleggia, të cilët akuzohen për vrasje të rëndë me dashje për motive të dobëta, por hetuesit kanë përjashtuar faktin e vrasjes për shkak të racizmit.

Fotoja me fytyrën e qeshur të Willy Monteiro Duarte, një djalë i ri që dëshironte të ishte kuzhinier dhe që ëndërronte të luante futboll me Romën, është ndarë gjatë dy ditëve të fundit në të gjitha mediat italiane. Edhe personazhet e njohur kanë ndarë fotografinë e të riut, duke shprehur ngushëllimet e duke kërkuar drejtësi për të riun.

Sipas mediave italiane, vrasja ndodhi në orët e para të së dielës në pjesën e pasme të një ndërtese, jo shumë larg një stacioni policie.

Monteiro Duarte po kthehej në shtëpi me miqtë e tij dhe dyshohet se ishte dëshmitar i një sherri në të cilin ishin përfshirë disa djem – njëri prej tyre mendohet se ishte shok i tij. Sipas rindërtimeve të para të skenës nga policia, Monteiro Duarte ishte afruar për të qetësuar sherrin, por mori një goditje të fortë në kokë nga njeri prej djemve. Mendohet se goditja në kokë ishte fatale për të riun, por kjo nuk është konfirmuar ende nga autopsia.

Willy jetonte me familjen në Paliano, në provincën e Frosinone-t. Kishte studiuar në institutin “Fiuggi” dhe punonte si ndihmës kuzhine në një hotel në Artena.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button