UNSHM kushtëzon: Mësim me prezencë fizike në të kundërtën do të ketë bojkot, autoritetet ende pa vendim të qartë

Sfidat të cilat solli pandemia me Covid – 19 në sistemin arsimor, ka vënë në një “fushëbetejë” institucionet shtetërore dhe nxënësit. Edhe pse tani më ndodhemi në javën e dytë të shtatorit, Ministria e Arsimit akoma nuk ka ndonjë plan konkret se si do të zhvillohet procesi arsimor këtë vit. Nxënësit prej klasës së parë deri në të tretën do të vazhdojnë mësimin me prezencë fizike, megjithatë për pjesën tjetër ka akoma paqartësi se di do të veprohet.

MASH, duhet të vendos, mes mësimit në distancë apo me prezencë fizike, në një situatë kur mësimi nëpër shkolla paraqet rrezik për infektim, ndërkohë që shumica e nxënësve nuk posedojnë mjetet dhe pajisjet e nevojshme për mësim online. Për më tepër, mësimi online që u zhvillua vitin e kaluar shkollor, ka pasur mjaft kritika ndërkohë nxënësit e konsiderojnë atë të dështuar.

Blendi Hodai

“Në shumë paraqitje tona publike kemi theksuar që mësimi nga distanca, respektivisht nga shtëpia ka qenë vetëm një improvizim tërësisht i dështuar – për shkak se Qeveria gjithmonë e ka arsimin si prioritet të fundit. Mësimi nga distanca ka thelluar pabarazitë që ekzistonin edhe më parë duke degraduar ende më shumë kualitetin arsimor në vend. Arsimi është proces afatgjatë, i menduar mirë dhe digjitalizimi i sistemit arsimor është dashur të mendohet shumë më herët dhe të hartohet si plan/vizion. Me mungesë të platformës nacionale për mësim nga distanca, pa standardizim për notim të nxënësve, me qasje jo të barabartë në ICT mjete tek nxënësit nuk mundemi të kemi mësim të tërësishëm online. Nuk do ta lejojmë që të krijohen gjenerata, kuadro joprofesionale që do të ndikojnë në mos zhvillim të vendit”, deklaroi Blendi Hodai nga Unioni i Shkollave të Mesme të Maqedonisë.

UNSHM kërkon që procesi mësimor të zhvillohet në formë të kombinuar dhe me qasje të decentralizuar kudo që lejojnë kushtet epidemiologjike, duke krijuar grupe nxënësish, që njëri të ndjek mësimin nga distanca (livestream ose të dërgohet si material i inçizuar tek nxënësit) e tjetri grup fizikisht dhe grupet bëjnë rotacion çdo një javë.

Sara Shaqiri

“Unioni ka qenë vazhdimisht në kontakt me nxënësit e shkollave të mesme dhe pjesa dërmuese e nxënësve  nuk pajtohen që mësimi të zhvillohet online. Njëra nga kërkesat e UNSHM-së, është  qasja e decentralizuar, dmth secila komunë dhe shkollë të vendosë për mënyrën më të mirë të zhvillimit të mësimit, varësisht nga gjendja epidemiologjike”, tha Sara Shaqiri nga UNSHM.

Komunat, si themelues të shkollave, deri më 10 shtator duhet t’i përgjigjen  Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për modelin e mësimit në shkollat e tyre dhe të aplikojnë për prani fizike, ndërsa MASH dhe komisioni qeveritar do t’u japin leje nëse plotësohen kushtet.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Mila Carovska në deklaratën për mediat të dhënë pas takimit me kryetarët e komunave që realizoi javën e kaluar, tha se një pjesë e shkollave janë të gatshme për mësim me prani fizike sipas protokolleve shëndetësore dhe dorëzojnë kërkesë për leje, shkollat tjera përgatiten për mësim online për të cilën përgatitet platformë kombëtare.

Nga ana tjetër, qëndrimi i ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe, është decid se, shkollave në Shkup nuk do t’u lejohet që të mbajnë distancë edhe nëse arrijnë të krijojnë kushte për mësim me prezencë fizike edhe për nxënësit nga klasa e katërt deri në të pestën.

“Po qe se një shkollë në Shkup do që të bëjë përjashtim dhe aplikon që të marrë lejen, për shembull, që fizikisht të jenë të pranishëm edhe nxënësit e klasës së katërt dhe të pestë, në fillim të tetorit nuk do ta lejojmë këtë”, theksoi ai.

Megjithatë, UNSHM nuk lëshon pe. Edhe përkundër kësaj, ata qëndroj pas kërkesës së tyre për mësim me prezencë fizike, në të kundërtën do të bojkotojnë mësimin online e do të radikalizojnë protestat.

Në lidhje me këtë, ata organizuan edhe një protestë ditë më parë,e cila filloi nga objekti i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës deri te objekti i Qeverisë së RMV-së.

Blendi Hodai

“Janë bërë përpjekje të mëdha nga UNSHM dhe jemi të kënaqur nga arritjet që kemi në diskutime me institucionet arsimore dhe shëndetësore. Sot, kryeministri e ministrat konsultohen edhe me nxënësit. Sot, nxënësit janë pjesë e vendimmarrjes në nivelet më të larta shtetërore kur bëhet fjalë për vendime që ndikojnë në jetët tona si nxënës. Ne kemi arritur që katër nga pesë kërkesa të jenë të pranuara dhe të inkuadruara në protokolet dhe planin për fillim viti (shto këtu edhe 10 amandamente të tjera që me shumë gjasë do të pranohen nga palët e interesit)”, deklaroi Blendi Hodai nga UNSHM.

Nga ky union kanë drejtuar kritika edhe sa i përket mangësive të tjera të sistemit arsimor në vend.

“Ne kemi nevojë për një departizim të tërësishëm sistemit arsimor, drejtorët të mos jenë të zgjedhur nga partitë sepse shumica prej tyre nuk dinë as që të përgatisin një plan aksional për shkollat që udhëheqin. Janë me qindra probleme që na duhet një reformë e mirëfilltë inkluzive arsimore që të ndryshojmë këtë status-quo të vjetërsuar. Ka shumë punë për tu bërë, por më vështirë janë hapat e para që ne vetëm se i kemi hedhur. Duke patur parasysh zhvillimet e deritanishme, nga bisedat që janë zhvilluar në mes Unionit dhe institucioneve kompetente, një pjesë e kërkesave të Unionit janë miratuar, që pëfshin edhe mësimin me prezencë fizike”, shtoi më tej Hodai.

Sipas një ankete të realizuar nga Avokatit të Popullit, vetëm 11% nga arsimtarët në fillore kanë kushte për mësimin online, ndërsa 58% janë përgjigjur se nuk janë të trajnuar edhe pse kanë pajisje kompjuteri, ose janë të trajnuar por nuk kanë pajisje kompjuterike.

Viti i ri shkollor këtë vit është për shkak të situatës së krijuar me pandeminë dhe i njëjti duhet të fillojë më 1 tetor, por paraprakisht duhet të precizohet për opinionit dhe nxënësit dhe në çfarë forme do të zhvillohet.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button