OKB: Ka prova të arsyeshme se Arabia Saudite dhe EBA kanë kryer krime lufte në Jemen

Një hetim i mandatuar nga Kombet e Bashkuara (OKB) tregoi se ekzistojnë “prova të arsyeshme” për të besuar se grupet e përfshira në konfliktin e përgjakshëm gjashtëvjeçar të Jemenit kanë kryer mizori kundër të drejtave të njeriut, përfshirë krime lufte, transmeton Anadolu Agency (AA).

Të gjitha palët vazhdojnë të mos respektojnë ligjin ndërkombëtar ose jetën, dinjitetin dhe të drejtat e njerëzve në Jemen, tha raporti i tretë të Grupit të Ekspertëve të Shquar Ndërkombëtarë dhe Rajonalë mbi Jemenin.

Grupi nënvizoi se qeveritë e Jemenit, Arabisë Saudite, Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) dhe Këshilli Kalimtar Jugor janë përgjegjës për shkelje të të drejtave të njeriut që përfshijnë vrasje, ndalim arbitrar dhe dhunë seksuale.

Disa pjesëtarë në qeverinë dhe koalicionin aktual të Jemenit, në veçanti Arabia Saudite dhe EBA, si dhe Këshilli Kalimtar Jugor, kanë kryer “veprime që mund të përbëjnë krime lufte”.

Këto përfshijnë “vrasjen e civilëve, torturat, trajtimet mizore ose çnjerëzore, përdhunimet dhe format e tjera të dhunës seksuale, dëmtimin e dinjitetit personal, mohimin e gjykimit të drejtë dhe regjistrimin e fëmijëve nën moshën 15 vjeç ose përdorimin e tyre për të marrë pjesë aktive në armiqësi”.

“Individë në koalicion, në veçanti Arabia Saudite, mund të kenë kryer sulme ajrore duke shkelur parimet e dallimit, proporcionalitetit dhe masës paraprake, akte që mund të përbëjnë krime lufte”, tha grupi.

Raporti rekomandoi që palët në konflikt “të bien dakord për një ndërprerje gjithëpërfshirëse të armiqësive dhe të arrijnë një paqe të qëndrueshme dhe inkluzive, përmes një procesi paqeje që siguron përfshirjen e plotë të grave, të rinjve dhe grupeve të pakicave”.

Ai bëri thirrje për “drejtësi për të gjitha viktimat e shkeljeve të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut dhe ligjit humanitar”.

Grupi i ekspertëve publikoi ​​raportin e tij të tretë, të titulluar Jemeni: Një Pandemi e Mosndëshkimit në një Tokë të Torturuar, mbi të drejtat e njeriut në vendin e shkatërruar nga lufta, duke mbuluar zhvillimet nga korriku 2019 deri në qershor 2020.

Ai do të paraqesë raportin në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në seancën e tij të 45-të më 29 Shtator.

Jemeni është shkatërruar nga një konflikt që u përshkallëzua në mars të vitit 2015 pasi rebelët Houthi të mbështetur nga Irani pushtuan kryeqytetin Sana dhe detyruan presidentin Abdrabbuh Mansur Hadi të largohej nga vendi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button