“The Times of Israel”: Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën në Jerusalem nëse Izraeli e njeh Kosovën

Serbia nuk do ta përmbushë premtimin për ta zhvendosur ambasadën për në Jerusalem, nëse Izraeli e njeh shtetin e Kosovës, ka thënë një burim pranë qeverisë së Serbisë për “The Times of Israel”.

Ky burim ka thënë se pranimi i Kosovës nga Izraeli do të “shkatërrojë” marrëdhënien e Izraelit me Serbinë.

“Do të bëhet rrëmujë e madhe, përderisa nuk ka një kompromis në atë se çfarë lloj marrëdhënie Izraeli do të ketë me Kosovën”, ka thënë burimi, duke folur në kushte anonimiteti. “Marrëdhëniet diplomatike me Kosovën janë një gjë, njohja e Kosovës si shtet i pavarur është gjë krejt tjetër. Kjo do të shkatërronte marrëdhënien mes Izraelit e Serbisë”, shkruan Koha Ditore.

Të premten, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka lëshuar një komunikatë duke thënë se Kosova e Izraeli kanë vendosur të “krijojnë marrëdhënie të plota diplomatike mes dy shteteve”.

Kjo ka qenë pjesë e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë të arritur me ndërmjetësimin e SHBA-së. Kosova e Serbia kanë firmosur marrëveshje ndaras me SHBA-në për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy shteteve të Ballkanit.

Në ceremoninë e nënshkrimit në Shtëpinë e Bardhë të premten, presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka përmendur se ka qenë “luftë e madhe” mes Serbisë dhe SHBA-së për njohjen e Kosovës nga Izraeli.

“Ata mendonin se ne duhet t’i bëjmë thirrje Izraelit për ta njohur Kosovën dhe ne thamë se nuk mund të bëjmë këtë pasi është kundër politikave tona. Ne thamë se nëse Izraeli dhe Prishtina arrijnë marrëveshje në këtë – atëherë në rregull. Ne po ashtu i thamë Izraelit se nëse respekton Serbinë, atëherë vendi ynë do të vazhdojë para me lëvizjen e ambasadës për në Jerusalem”, ka thënë Vuçiq.

Disa analistë e kuptuan këtë “respekt ndaj Serbisë”, si një indikacion që shteti do të lëvizë ambasadën për në Jerusalem në rast se Izraeli nuk e njeh Kosovën.

“Vuçiq tha se vendimi i Izraelit për të njohur Kosovën nuk është i lidhur me marrëveshjen e firmosur në Shtëpinë e Bardhë dhe se është vendim i vet Izraelit. E po ashtu se transferimi i ambasadës së Serbisë për në Jerusalem është me kusht se Izraeli respekton interesant e Serbisë”, ka thënë Arthur Koll, ish-ambasadori i Izraelit në Serbi për “Media Line”. “Është një dëshmi e madhe se Serbia nuk do ta zhvendosë fare ambasadën në Jerusalem”.

Duke folur për “The Times of Israel”, burimi serb, ka thënë se është takuar disa herë me Vuçiqin në ditët e fundit, përfshirë edhe pas ceremonisë në Washington, duke cekur se një lloj “marrëdhënie diplomatike” mes Jerusalemit dhe Prishtinës është i pranueshëm, por jo edhe njoha formale e shtetit të Kosovës nga Izraeli.

“Unë mund t’u them se Serbia nuk do ta zhvendosë ambasadën për në Jerusalem nëse Izraeli e njeh Kosovën si shtet të pavarur”, ka thënë burimi. “Për më tepër, kjo lëvizje do të dëmtojë marrëdhënien e ngushtë mes Izraelit dhe Serbisë dhe kurrë më nuk do të jetë e njëjt. Është e thjeshtë”, ka thënë burimi.

Ai ka thënë po ashtu se dy palët kanë firmosur dokumente ndaras.

“Dokumenti i nënshkruar nga Vuçiqi nuk thotë asgjë për njohjen e Kosovës nga Izraeli”, ka thënë burimi.

Netanyahu ka thënë se Kosova dhe Izraeli janë pajtuar të njohin njëra-tjetrën, por nuk është nënshkruar ndonjë dokument formal.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button